Tregu i sigurimeve dominohet tërësisht nga sigurimet e detyrueshme, pavarësisht ngjarjeve të fundit sic ishte tërmeti i vitit 2019 apo pandemia e Covid-19.
Ekspertja e tregut të sigurimeve Venera Xhillari thotë se sensibilizimi i qytetarëve për sigurimin e jetës është ende në nivele të ulëta
Sipas saj, pandemia ka ndikuar shumë pak në sensibilizimin e njerëzve për të siguruar jetën apo shëndetin.
Ajo thotë se tregu vijon të dominohet tërësisht nga sigurimet e detyrueshme, duke lënë në plan të dytë ato vullnetaret, për jetën apo shëndetin.
Raporti i AMF nxjerr edhe në pah dominimin e kompanisë SIGAL UNIQA Group Austria, si për primet e shkruara ashtu edhe për dëmet e paguara.
Parë nga këndvështrimi i ndarjes së tregut sipas llojit të sigurimit, i detyrueshëm dhe vullnetar, primet e shkruara bruto të sigurimit vullnetar zënë 39.35% dhe primet e shkruara bruto të sigurimit të detyrueshëm zënë 60.65% të totalit të tregut.
Gjatë periudhës janar-shtator 2021, dëmet e paguara bruto në tregun e sigurimeve, arritën në rreth 5,171 milionë lekë, ose 7.21% më pak se në periudhën janar-shtator 2020, ndikuar kryesisht nga pagesa e pjesës më të madhe të dëmshpërblimeve për tërmetet e fund vitit 2019 gjatë vitit të kaluar.
Ndërkohë dëmet e paguara bruto në sigurimin motorik për periudhën janar-shtator 2021 kapën vlerën 3,025 milionë lekë, duke pësuar një rritje me rreth 42% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.