Banka e Shqipërisë me asistencën teknike të Bankës Botërore, ka hartuar Strategjinë për Edukimin dhe Përfshirjen Financiare, një dokument i koordinuar institucionalisht për të promovuar edukimin financiar si një nxitës kyç i përfshirjes financiare, mirëqenies dhe qëndrueshmërisë për të gjithë.
Kjo strategji është hartuar duke u mbështetur në punën dhe objektivat e Bankës së Shqipërisë, në zhvillim të përpjekjeve ekzistuese shumëvjeçare në fushën e edukimit financiar, si dhe në ato të institucioneve partnere publike dhe private.
Strategjia është mbështetur nga rezultatet dhe analizat e Vrojtimit për Matjen e Kulturës dhe Përfshirjes Financiare të kryer në vitin 2019 nga Banka e Shqipërisë.
Por çfarë thonë të dhënat e këtij publikimi sa i përket edukimit financiar në Shqipëri?
Banka e Shqipërisë e ka kryer vrojtimin kombëtar për matjen e nivelit të kulturës dhe përfshirjes financiare të popullatës së rritur në Shqipëri, bazuar në metodologjinë e OECD prej 13 vitesh tashmë, me një frekuencë çdo katër vite.
Ky vrojtim vlerëson njohuritë, sjelljet dhe qëndrimet financiare të popullatës dhe të dhënat e tij përdoren për të informuar vendimmarrjen dhe politikat e edukimit.
Konkretisht sipas rezultateve më të fundit të vrojtimit, shifrat tregojnë se individët në Shqipëri zotërojnë vetëm 53% të njohurive, sjelljeve dhe qëndrimeve të duhura financiare, krahasuar me mesataren globale prej 63%.
Gjithashtu, një tjetër objektiv i edukimit financiar është edhe mirëqenia financiare, objektiv ky që ka rezultuar jo i suksesshëm pasi vlerësimi i këtij treguesi ka qenë 7.7 pikë nga 20 pikë në total. Ky pikëzim tregon se individët në Shqipëri janë përgjithësisht të pasigurtë për financat e tyre. Vlerësimi i mirëqenies financiare të individëve në Shqipëri mbetet i dobët krahasuar edhe me indeksin mesatar global që është 9.5 pikë dhe ai i OECD që është 9.9 pikë.
Pra, Shqipëria paraqitet me një rezultat nën mesataren dhe kjo tregon se mirëqenia financiare e individëve në Shqipëri është e ulët, duke i bërë të ndihen të pasigurt për të ardhmen dhe të kenë më pak besim që do të jenë në gjendje të absorbojnë goditjet financiare.
LEXO EDHE: Përfshihet nga flakët pallati në Tiranë/ Mungesa e kulturës së sigurimit që po na kushton shumë