Një temë e nxehtë diskutimi në vendin tonë lidhet edhe me largimin e të rinjve nga vendi për shkak të punës.
86.3% e të rinjve, sipas një sondazhi të “Deloitte”, titulluar “Hapat e Parë në Tregun e Punës 2020”, do të ishin të gatshëm të zhvendoseshin në një shtet tjetër për shkak të punës. Vihet re një ulje e këtij trendi krahasuar me vitet e mëparshme, sidomos në rastin e atyre të cilët janë absolutisht të gatshëm për t’u zhvendosur.
Pyetur nëse pandemia COVID-19 ka ndikuar në gatishmërinë e tyre, vetëm 19.9% janë shprehur se gatishmëria e tyre është ulur. Pjesa tjetër konfirmojnë se kjo gatishmëri nuk ka ndryshuar (64%) apo është rritur (16.1%).
Edhe në nivel rajonal, të rinjtë do të ishin të gatshëm të zhvendoseshin jashtë vendit për shkak të punës.
E lidhur kjo edhe me dëshirën e tyre për tu zhvilluar profesionalisht, për të përfituar përvoja të larmishme pune dhe jetësore, ky aspekt mund të konsiderohet si një karakteristikë e brezit Millennials, thuhet në raport.
Mundësia për t’u rritur në karrierë, si zgjedhja e parë
Kur zgjedhin një punëdhënës, faktori më i rëndësishëm për ta është mundësia për t’u rritur profesionalisht dhe në karrierë dhe kjo është zgjedhja e parë për 57% të pjesëmarrësve në vrojtim. Nuk është e re se faktori pagë vazhdon të jetë një faktor i rëndësishëm në këtë drejtim.
Ndërkohë për faktorët e tjerë, nuk ka dallime të qarta mes grupmoshave.
Niveli i preferuar i pagës
Një aspekt tjetër i rëndësishëm që analizon ky vrojtim janë pritshmëritë mbi nivelin e pagës:
43.7% janë shprehur se do të donin të fitonin 251 deri në 500 euro në muaj. Në këtë kategori përfshihen pjesa më e madhe e pjesëmarrësve në vrojtim të grupmoshave 18-22 vjeç dhe 21-24 vjeç, të cilët janë në fillimet e karrierës profesionale.
Pyetur se si do të ishte përgjigjja e tyre nëse do të ishin pyetur para pandemisë, 27.3% kanë vlerësuar se do të dëshironin të fitonin më shumë, 70.2% janë përgjigjur se do ta vlerësonin me të njëjtën vlerë dhe 2.5% do ta vlerësonin më ulët.
Të punuarit në formë hibride, preferohet online
Me ardhjen e COVID-19 dhe masave që u morën nga qeveria për mbrojtjen dhe sigurinë e qytetarëve, shumë kompani ashtu si dhe universitete u detyruan të përqafonin të punuarit/mësuarit në distancë. Kjo mënyrë e re pune solli edhe diskutimin më të madh që po haset lidhur me të ardhmen e punës. Pjesa më e madhe e jona përpara pandemisë njihte një mënyrë pune, atë nga zyra; gjatë pandemisë mësuam sesi të punonim nga shtëpia dhe sot, kur kemi pasur mundësi të jetojmë të dy mënyrat, diskutojmë sesi do të donim të ishte e ardhmja e punës: plotësisht në zyrë- formë hibride- apo plotësisht në shtëpi.
Për vetë rëndësinë që ka forma e punës, edhe të rinjve pjesëmarrës në vrojtim iu drejtua kjo pyetje.
51.8% e të anketuarve u përgjigjën një ose dy herë në javë do të preferonin të punonin në distancë. Gjithashtu një numër i konsiderueshëm janë përgjigjur se preferojnë të punojnë më shumë se një javë në muaj në distancë (17.3 për qind).
Vlerësimi i pamjaftueshëm i nxit punonjësit të ikin nga puna
Elementi i fundit i cili plotëson profilin e të rinjve lidhur me punën janë edhe arsyet kryesore për të ndryshuar punëdhënës.
Të dhënat tregojnë se paga e ulët, nuk është vlerësuar si aspekti parësor nga pjesëmarrësit në vrojtim për ndryshimin e punëdhënësit. 47.4% e tyre janë përgjigjur se mos-vlerësimi i punës së tyre është komponenti kryesor i cili do ti orientonte ata drejt marrjes së një vendimi për të ndryshuar punëdhënës;
17.6% e tyre shprehen se pamjaftueshmëria e mundësive për zhvillim dhe rritje profesionale do t’i orientonte ata drejt kërkimit të varianteve të tjera dhe 11.9% e konsiderojnë atmosferën e keqe dhe marrëdhëniet jo të mira në punë si shkaktarët kryesorë që çon në prishjen e marrëdhënies së punës.
Të gjithë këto elemente tërheqin vëmendjen për rëndësinë që duhet t’i kushtojnë bizneset në vend sistemit të vlerësimit të performancës së punonjësve dhe lidhjen e saj me skemat e shpërblimit dhe shtegun në karrierë, rekomandon raporti.
Vrojtimi me temë “Hapat e Parë në Tregun e Punës” është realizuar në muajt tetor – nëntor 2020, gjatë një periudhe pesë javore.
Numri i studentëve dhe i të diplomuarve të cilët plotësuan vrojtimin arrin 1081, numër i cili shënon një rritje krahasuar me edicionet e kaluara (965 në vitin 2017, 259 në vitin 2015 dhe 79 në edicionin e vitit 2013).