Një sulm masiv kibernetik, më i madhi i regjistruar ndonjëherë në historinë e Francës, ka sjellë vjedhjen e të dhënave të gjysmës së popullsisë franceze, 33 milionë banorë.
Dy kompani, “Viamedis” dhe “Almerys”, ofrues shërbimesh për kompanitë e sigurimit shëndetësor, ishin shënjestër e një sulmi kibernetik që ndodhi në fillim të shkurtit.
Sipas “Viamedis”, hakerët përdorën aksesin e mjekëve për të hyrë në sistem.
Ndërsa nga “Almerys” janë shprehur se hakerët nuk kishin shkelur sistemin qendror, por kishin hyrë në një portal të përdorur nga profesionistët e shëndetësisë.
Mbi 33 milionë njerëz, pak më pak se gjysma e popullsisë franceze, u prekën nga rrjedhja e të dhënave, e cila përfshinte detaje si “gjendja civile, data e lindjes dhe numri i sigurimeve shoqërore, apo emri i siguruesit shëndetësor.
Autoritetit francez për mbrojtjen e të dhënave (CNIL), siguroi se pjesë e sulmit nuk ishin detajet bankare, të dhëna mjekësore, adresa postare, numër telefoni ose e-mail.
“Kjo është hera e parë që ka pasur një shkelje në një shkallë të tillë,” tha për “Franceinfo” Yann Padova, një avokat i specializuar në mbrojtjen e të dhënave dixhitale dhe ish-sekretar i përgjithshëm i autoritetit francez për mbrojtjen e të dhënave (CNIL).
Sipas tij,, kjo është “shkelja më e madhe e sigurisë në Francë”.