6.5 C
Tirana
Saturday, December 7, 2024
spot_img
Faqe KryesoreLajmeAktualitet280 milionë euro në një vit/ Birn: Bankat shqiptare rekord fitimesh nga...

280 milionë euro në një vit/ Birn: Bankat shqiptare rekord fitimesh nga rritja e interesave

Bankat në Shqipëri realizuan fitime neto në masën 28.5 miliardë lekë, rreth 280 milionë euro, gjatë vitit 2023, bëhet e ditur nga të dhënat e publikuara nga Shoqata e Bankave, raporton Birn.

Fitimet e vitit të kaluar përbëjnë një rekord absolut historik si në vetvete, ashtu edhe në raport me kapitalin aksioner apo në raport me asetet, gjë që do të thotë se bankat janë në gjendje të vjelin më shumë fitime neto përkundrejt parave të investuara në këto sipërmarrje apo parave të menaxhuara nga këto sipërmarrje.

Rezultati i jashtëzakonshëm duket se i detyrohet fitimeve të shtuara nga rritja e normave bazë të interesit në Shqipëri, të cilat, gjatë dy viteve të fundit, janë shoqëruar me një rritje edhe më të lartë në normat e interesit të titujve të borxhit publik, ku bankat kontrollojnë pjesën më të madhe të tregut.

Fitime rekord

Të dhënat e raportuara nga Shoqata e Bankave, një grup lobimi me anëtarë vetë bankat, tregojnë se të njëmbëdhjetë bankat e nivelit të dytë e mbyllën vitin e kaluar me fitime, ndërsa bankat mbyllën degë apo agjenci dhe rritën numrin e punonjësve.

Asetet e menaxhuara nga bankat u rritën me 5% gjatë vitit të kaluar, kapitali aksioner u rrit me 8%, ndërsa fitimet u rritën me 19%.

Bankat realizuan bashkërisht një normë kthimi mbi kapitalin aksioner në masën 22% gjatë vitit të kaluar, nga 14.2% që ishte në vitin 2022 dhe më pak se 10% që ishte në dekadën paraardhëse.

Pjesa më e madhe e fitimeve i takoi BKT me 23.4%, pasuar nga Raiffeisen me 22.8% dhe OTP Albania me 11.7%.

Në mënyrë të ngjashme, kthimet mbi asetet ishin 2.2% vitin e kaluar nga 1.3% që ishin në vitin 2022.

Fitimet e shtuara të bankave duket se kanë ardhur në pjesën më të madhe nga rritja e interesave të borxhit publik. Bonot e thesarit 12 mujore, të cilat përbëjnë një pjesë thelbësore të të gjithë titujve të borxhit publik në Shqipëri, patën mesatarisht një interes prej 3.6% vitin e kaluar, nga 3.2 në vitin 2022 dhe 1.76 në vitin 2021.

Bankat e nivelit të dytë në Shqipëri

Në Shqipëri kryejnë aktivitet 11 banka, të cilat kanë bashkërisht asete në masën 1.96 trilionë lekë, rreth 19 miliardë euro, ndërsa më të mëdhatë sa i përket aseteve janë BKT, Credins, Raiffeisen dhe Intesa San Paolo Bank.

Sa i përket tregut të kredive, Credins është banka më e madhe pasuar nga Raiffeisen dhe BKT.

Në tregun e titujve, ku dominojnë në mënyrë dërrmuese titujt e borxhit publik, BKT renditet e para me 38%, pasuar nga Raiffeisen me 13% dhe Credins me 12%.

Në tregun e depozitave, BKT është më e madhja me 25%, pasuar nga Credins me 17% dhe Raiffeisen me 16%.

spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

REKLAME

spot_img

Me te lexuarat