Shoqata Kombëtare e Autoshkollave bojkoton aktivitetin në të gjithë vendin, pas vendimit të Drejtorisë së Transporteve për të rritur çmimin e pajisjes me leje drejtimi.
Kreu i shoqatës kombëtare të Autoshkollave, Agron Beja është shprehur se vendimi i marrë nga Drejtoria e Transportit Rrugor nuk është diskutuar, madje as nuk janë informuar për të grupet e interesit.
Disa nga rritjet e tarifave, ai i quan të palogjikshme.
“Kryesia e shoqatës kombëtare të autoshkollave, duke marrë një vendim për bojkotin të të gjitha shërbimeve pranë drejtorisë së Transportit rrugor, pasi veprimet e saj bien ndesh me disa elementë të një transparence mbi këto lloj shërbimesh. Ajo që është më kryesorja, mosinformimi i grupit të interesit, veprim të cilin nga ana ligjore e ka të detyrueshëm që 30 ditë përpara se të aprovohet një shërbim detyrimisht duhet të njihet grupi i interesit për procedurën e veprimit.
Këtu bëhet fjalë për ndryshimin e tarifave. Edhe sot që ne flasim, që ka hyrë në fuqi ky vendim, në të gjitha drejtoritë rajonale, autoshkollat si grupe interesi në mënyrë indirekte janë të cenuara nga ky lloj veprimi. Cenimi kryesor vjen si rezultat i mosinformimit. Sot ne nuk dimë akoma sesi është kjo lloj procedure shërbimi.
Si qytetar, disa nga këto rritje nuk qëndrojnë. Autoshkollës i është rritur shërbimi në disa aspekte. Konkretisht, një kandidat për leje drejtimi të kategorisë B, përpara se të regjistrohet pranë autoshkollës, duhet të prezantojë pranë Drejtorisë së Transportit Rrugor një pagesë 1 mijë lekë të reja që lidhet me autorizimin e shërbimit për trajtimin e teorisë. Drejtuesi i mjetit i nënshtrohet anës teorike. Automatikisht, ai duhet të prezantohet pranë këtij institucioni ditën që e ndjen veten të aftë për teorinë, duke iu shtuar një tarifë shërbimi 1 mijë lekë të reja”.
Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor, njoftoi pak ditë më parë se tarifa e pajisjes me leje drejtimi me afat vlefshmërie 10 vite, nga 3,500 lekë bëhet 4,500 lekë, por afati tashmë zgjatet në 15 vite.
Tarifa e re prej 4,500 lekë, e shpërndarë në vite, nga 350 lekë/viti bëhet 300 lekë/viti!
Tarifa e pajisjes me leje drejtimi për grupmoshën mbi 65 vjeç, me afat vlefshmërie 5 vite, nga 3,500 lekë, tashmë bëhet 2,000 lekë, me afat vlefshmërie 15 vite!
Tarifa e pajisjes me Leje Drejtimi Ndërkombëtare me afat vlefshmërie 1 vit nga 500 lekë që ishte, kalon në 1,000 lekë, me një afat vlefshmërie 3-vjeçare.
Tarifa e re prej 1,000 lekë, e shpërndarë në vite, nga 500 lekë/vit bëhet 333 lekë/vit!
Kalimi nga Leje Drejtimi e Kategorisë B në D/D1, pa qenë i detyrueshëm kalimi në kategorinë C, nga 2,200 lekë, bëhet 0, pasi është eliminuar testimi për kategorinë C!
Ky vendim, për ndryshimin e tarifave për shërbimin e lejeve të drejtimit, hyn në fuqi më datë 5 Shkurt 2024 dhe do të pasqyrohen në faqen zyrtare www.dpshtrr.gov.al“, njoftonte Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor.