Luhatjet e mëdha të temperaturave përkeqësojnë situatën gripale në vend.
Mbi 15 mijë persona raportohen të prekur vetëm javën e fundit nga gripi AH1N1 dhe ai i tipit B.
Sipas buletinit të Institutit të Shëndetit Publik kurba e infektimeve vetëm po rritet.
Javën e dytë të janarit janë rritur me 13% rastet e prekura nga gripi i stinës dhe thuajse në çdo grup-moshë. Pacientët më të shpeshtë në qendrat shëndetësore apo urgjenca janë fëmijët dhe të moshuarit.
Mbi 400 urgjenca në ditë i drejtohen shërbimit të pediatrisë në QSUT, ku mbizotërojnë komplikacionet nga gripi apo mbivendosjet e infeksioneve respitarore.
LEXO EDHE: “Alo Doktor”! Rritet numri i fëmijëve me viroza respiratore/ Prindër, pse ju nevojitet “TeleShëndet”
Rritje e urgjencave dhe e shtrimeve në spital po raportohet edhe nga shërbimi infektiv dhe ai i Spitalit “Shefqet Ndroqi”.
Javën e fundit kanë kërkuar ndihmën e urgjencës mbi 120 pacientë në ditë nga të cilët 20 kanë patur nevojë për shtrim në spital.
Në këtë periudhë të dimrit dhe qarkullimit të infeksioneve respiratore Tirana kryeson për numrin më të lartë të rasteve me grip, ndjekur nga Gjirokastra dhe Durrësi.
Ekspertët e ISHP konfirmojnë se, gripi i tipit A dhe B po dominon këtë periudhë ndaj Covid-19 dhe virozave të tjera në qarkullim. Rastet pritet të rriten dhe sipas ecurisë së kurbës piku i infektimeve nga gripi pritet të shënohet në fund të janarit dhe fillim të shkurtit.
Zyrtarisht në vendin tonë vetëm një person ka gjetur vdekjen deri tani nga gripi sezonal.
Ndërkohë CDC, qendra për kontrollin dhe parandalimin e sëmundjeve në SHBA thekson se vetëm për këtë sezon janë shtruar në spital më probleme nga gripi 150,000 persona dhe kanë humbur jetën nga gripi 9400 nga të cilat 40 vdekje kanë ndodhur në moshat pediatrike.