14.5 C
Tirana
Friday, November 22, 2024
spot_img
Faqe KryesoreLajmeAktualitetSkuterët elektrikë/ Siguria, rreziqet dhe 17 rregullat që detyron ligji

Skuterët elektrikë/ Siguria, rreziqet dhe 17 rregullat që detyron ligji

Skuterët elektrikë apo monopatinat për të rritur, një mjet i dashur vitet e fundit, për shkak të shpejtësisë që të ofrojnë në rrugët urbane dhe kostos së ulët të konsumit, janë bërë pjesë e përditshme e jetës së banorëve të Tiranës.

Çfarë rreziku paraqesin dhe si do të vijojë funksionimi i tyre?

Siguria

Blendi Gonxhe, drejtues i DPPSHT, thotë për “Monitor” se siguria e skuterëve elektrikë është një përgjegjësi e përbashkët midis përdoruesve, kompanive dhe autoriteteve vendore.

Sipas ekspertëve, duke ndjekur udhëzimet dhe duke respektuar rregullat e rrugës, përdorimi i skuterëve elektrikë mund të jetë i sigurt dhe efikas për transportin urban, ndërsa përmirësimet në infrastrukturë dhe teknologji mund të ndihmojnë në përmirësimin e sigurisë së tyre.

Ndaj janë vendosur rregulla për këto mjete, mbase do të vijojnë edhe me udhëzime edhe më të detajuara, duke marrë parasysh sa shumë janë përhapur. Përdoruesit e këtij mjeti shpesh raportohen që nuk respektojnë fare semaforët. Ne duhet të zbatojmë vetëm rregullat e qarkullimit”, thotë Gonxhe.

Kur drejtuesve të këtyre mjeteve nuk u nevojitet një leje drejtimi, sa të informuar mund të jenë mbi këto rregulla?

Arben Lazi, ekspert rrugor, thotë se si çdo lloj mjeti, edhe monopatinat kanë rrezikshmërinë e tyre për qarkullimin në rrugë.

Sidomos me këtë lloj mjeti, sepse është risi, pavarësisht se u bënë dy vite që kanë hyrë në treg. Gjithsesi konsiderohen të rinj ndaj dhe aksidentet kanë qenë të shumta. Të dhëna kemi nga spitalet, nga ku kemi raportime për aksidente. Të sillen në rrugë si të gjithë drejtuesit e tjerë të mjeteve. Të ecin vetëm në korsinë e biçikletave, të respektojnë semaforin dhe të mbajnë kaska”.

Eksperti i qarkullimit shton se, në një kohë kur këto mjete janë duke ndryshuar rrugët e qyteteve tona, është koha të bëjmë një analizë të thellë të sfidave të lidhura me përdorimin e tyre, dhe të punojmë drejt një qëllimi të përbashkët: sigurinë e transportit të qytetit tonë.

Në këtë rrugëtim drejt një përdorimi më të sigurt të skuterëve elektrikë, duhet të bashkëpunojmë si shoqëri, autoritete vendore dhe përdorues, në mënyrë që kjo alternativë të bëhet jo vetëm e qëndrueshme, por edhe e sigurt”, thotë më tej për “Monitor” eksperti.

Sipas vëzhgimeve, evidentohen rastet kur drejtuesit e monopatinave kalojnë me semafor të kuq, ecin me shpejtësi në trotuare, bulevarde, kundërvajtje, u presin rrugën drejtuesve të automjeteve që kanë përparësi me semafor jeshil, nuk ecin në korsitë e biçikletave e motoçikletave.

Edhe Eneida Bica, përdoruese prej dy vitesh e këtij mjeti, e pohon këtë gjë.

Ajo shton se hasin problematika me drejtuesit e biçikletave, të cilët nuk i lejojnë që të qarkullojnë me kujdes në korsinë e tyre dhe së dyti, edhe me vetë përdorues skuterash që nuk janë të kujdesshëm dhe tejkalojnë shpejtësinë e lejuar në qytet.

Rreziqet

Përdorimi i skuterëve elektrikë pa një ligj ose rregullim të përshtatur mund të sjellë disa rreziqe dhe shqetësime.

A mund të përdoren nga minorenët monopatinat?

Eksperti Lazi thotë se aktualisht nuk është e përcaktuar dhe se mund t’i përdorin të gjitha moshat, por duke respektuar rregullat e qarkullimit rrugor që janë edhe për mjetet e tjera.

Pra, edhe një minoren, i papajisur me leje drejtimi të asnjë lloj mjeti, mund të shëtisë rrugëve me monopatina, por duke respektuar rregullat e qarkullimit rrugor që nuk i njeh.

Sipas vëzhgimeve në terren, këto janë disa nga problemet që mund të lindin:

Siguria rrugore: Skuterët elektrikë mund të lëvizin me shpejtësi dhe në rrugë, prandaj është e rëndësishme të keni rregulla të qarta të sigurisë rrugore. Mungesa e rregullave mund të rrisë rrezikun e aksidenteve dhe dëmtimeve të mundshme.

Konfliktet me trafikun e një mjeti tjetër: Skuterët elektrikë mund të lëvizin në trotuare ose rrugë dhe të konkurrojnë për hapësirë me këmbësorët dhe makinat e tjera. Kjo mund të shkaktojë konflikte dhe tensione në trafik.

Mungesa e sigurisë personale: Përdoruesit e skuterëve elektrikë duhet të kenë pajisjet e duhura të mbrojtjes dhe të vënë masat e sigurisë. Mungesa e ligjit për këtë lloj transporti mund të çojë në neglizhencë të këtyre aspekteve.

Për të minimizuar këto rreziqe, sipas ekspertëve, është e rëndësishme që të ketë rregulla dhe ligje të përshtatura për përdorimin e skuterëve elektrikë. Këto rregulla duhet të mbulojnë çështje si siguria rrugore, licencimi, rregullimi i shpejtësisë, siguria personale dhe ndikimi mbi kalimtarët.

Nëse mungon një rregullim i përshtatur, shteti mund të ketë vështirësi në menaxhimin e këtyre sfidave dhe mbrojtjen e interesave të përdoruesve dhe të mjedisit.

Rregullat

Policia Rrugore ka ndërmarrë një plan masash në lidhje me përdorimin e skuterëve elektrikë dhe patinave elektrike.

Janë rreth 17 rregulla të parashikuara nga VKM 153, “rregullorja e Kodit Rrugor”, që duhet të zbatojnë përdoruesit e këtyre mjeteve. Moszbatimi i këtyre rregullave parashikon ndëshkimin me gjobë të përdoruesit të mjetit.

1.Drejtuesit e mjeteve me pedale dhe të patinave elektrike në lëvizjen e zakonshme në rrugë ku lëvizin dhe mjete të tjera duhet të mos bëjnë shmangie të papritura ose lëvizje zigzage, që mund të bëhen pengesë ose rrezik për mjetet që vijnë pas.

2.Ata duhet të qarkullojnë në rrugë të rezervuara për ta, kur ato ekzistojnë, përveç ndalimeve për kategori të caktuara me mënyrat e përcaktuara nga aktet në zbatim, duke zbatuar rregullat e përcaktuara të ecjes plotësisht në krahun e djathtë.

3.Kur afrohen në degëzime e kryqëzime, duhet të respektojnë sistemin e sinjalizimit rrugor, të zvogëlojnë shpejtësinë deri në ndalim të plotë dhe të marrin masa për t’i kaluar ato pa rrezik.

4.Këto mjete të kenë gjendje të mirë teknike dhe sisteme frenimi funksionale.

5.Drejtuesit e mjeteve rrugore me pedale dhe të patinave elektrike, kur drejtojnë këto mjete, detyrimisht duhet të vendosin në kokë kaska mbrojtëse, sipas modelit të përcaktuar të tipave të miratuar për Bashkimin Europian (Marka CE).

6.Në rastin e kalimit të rrugës me trafik të dendur dhe në përgjithësi kur e kërkojnë rrethanat, drejtuesit e mjeteve me pedale dhe të patinave elektrike janë të detyruar të kalojnë rrugën, duke mbajtur mjetin me pedale për dore.

7.Në çdo rast, kur duan të kthehen majtas, të kthehen djathtas apo të ndalojnë, drejtuesit e mjeteve me pedale dhe të patinave elektrike duhet të japin sinjale në kohën e duhur, me krah.

8.Gjysmë ore pas perëndimit të diellit, gjatë të gjithë periudhës së errësuar dhe ditën, nëse kushtet atmosferike kërkojnë ndriçimin, mjetet me pedale dhe patinat elektrike, që nuk janë të pajisura me sistemet përkatëse të sinjalizimit pamor, nuk mund të përdoren, por vetëm të merren për dore.

9.Mjetet me pedal të ndërtuara dhe të njohura për transportin e njerëzve të tjerë, përveç drejtuesit, mund të drejtohen, kur janë me më shumë se dy rrota simetrike, nga dy drejtues. Në një rast të tillë duhet të pedalojnë vetëm këta persona.

10.Në mjetet e përmendura më sipër nuk mund të transportohen më shumë se 4 persona madhorë, duke përfshirë edhe drejtuesit; lejohet dhe transportimi i njëkohshëm i dy fëmijëve me moshë deri në 10 vjeç.

11.Është i ndaluar transportimi i njerëzve të tjerë në mjete me pedal, kur nuk janë të ndërtuara dhe të pajisura për një qëllim të tillë. I lejohet sidoqoftë drejtuesit të mjetit madhor transporti i një fëmije deri në moshën 6 vjeç, i siguruar në mënyrë të përshtatshme me pajisjet e nevojshme, e cila përbëhet me një ndenjëse të përshtatshme, me vende për të mbështetur krahët, këmbët dhe shpinën.

Ndenjësja nuk duhet t’i kalojë përmasat gabarite të mjetit me pedale. Kjo duhet të vendoset në mënyrë të tillë që të mos pengojë pamjen e drejtuesit dhe t’i japë mundësi e liri lëvizjeje. Kjo ndenjëse duhet të fiksohet me trupin e mjetit rrugor me pedale dhe të jetë e pajisur me një sistem mbrojtës për këmbët dhe krahët e fëmijës.

12.Atje ku pistat e mjeteve me pedale dhe të patinave ndërpriten, duke u futur në rrugë me trafik të shpejtë, drejtuesit e këtyre mjeteve janë të detyruar t’i kryejnë manovrat me kujdes shumë të madh, duke shmangur ndryshimet e papritura të drejtimit.

13.Drejtuesit e mjeteve me pedal duhet të ecin në një rresht në të gjitha rastet, në rrugë brenda dhe jashtë qendrave të banuara, përveçse kur njëri prej tyre është më i vogël se 10 vjeç dhe lëviz në të djathtë të tjetrit. Kur lëvizet në korsi të veçanta për mjete me pedal, asnjëherë nuk mund të jenë më shumë se dy rreshta.

14.Drejtuesit e mjeteve me pedal duhet të kenë të lirë përdorimin e krahëve e të duarve dhe ta mbajnë timonin të paktën me një dorë. Ata duhet të jenë në gjendje në çdo moment të shikojnë lirisht përpara tyre në të dy krahët dhe të kryejnë me lirshmëri maksimale, gatishmëri dhe lehtësi manovrat e nevojshme.

15.Ndalohet tërheqja e mjeteve, të mbajnë kafshë dhe të tërhiqen nga një mjet tjetër.

16.Drejtuesit e mjeteve me pedal duhet ta marrin mjetin për dore, kur si pasojë e kushteve të qarkullimit, bëhen pengesë ose rrezik për këmbësorët. Në një rast të tillë bashkohen me këmbësorët dhe duhet të përdorin kujdesin dhe gatishmërinë e zakonshme.

17.Për qarkullimin e mjeteve rrugore me pedale dhe të patinave elektrike, në rrugëkalimet (pista) për mjetet me pedale dhe patina elektrike, zbatohen, për sa është e mundur, normat përkatëse të qarkullimit të mjeteve rrugore.

Cilido që shkel dispozitat e këtij neni, ndëshkohet me masë administrative me gjobë nga dyqind e pesëdhjetë deri në një mijë lekë (250 – 1000 lekë). Për mjetet me pedale që drejtohen nga dy drejtues, gjoba është nga pesëqind deri në dy mijë lekë (500 – 2000 lekë).

spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

REKLAME

spot_img

Me te lexuarat