1.5 C
Tirana
Monday, November 25, 2024
spot_img
Faqe KryesoreLajmeAktualitetNga muaji prill, të gjithë me karta bankare

Nga muaji prill, të gjithë me karta bankare

Kosto zero për kategoritë në nevojë, kosto të reduktuara për shtresat me të ardhura të kufizuara.

Ligji, i cili parashikon paisjen e të gjithë qytetarëve shqiptarë me karta bankare dhe që detyron bankat të plotësojnë çdo kërkesë për to, është publikuar që më 2 janar në Fletoren Zyrtare dhe detyron subjektet përkatëse të marrin masat për zbatimin e tij që nga 2 prilli.

Ligji krijon kushtet për mosdiskriminimin e konsumatorëve për hapjen e një llogarie pagese me shërbime bazike, dhe detyron specifikisht bankat për çeljen e tyre.

Sipas ligjit, llogaria e pagesave me shërbime bazike do t’iu ofrohet konsumatorëve në Republikën e Shqipërisë nga të gjitha bankat, pavarësisht nivelit të të ardhurave, statusit të punësimit dhe historikut të aftësisë paguese. Për mbajtësit e kësaj llogarie, bankat duhet të ofrojnë disa shërbime bazike të pagesave pa aplikuar tarifa ose kundrejt një tarife të arsyeshme.

Llogaria e pagesave me shërbime bazike përfshin shërbime që mundësojnë të gjitha operacionet e kërkuara për hapjen, funksionimin dhe mbylljen e një llogarie pagesash; shërbime që mundësojnë depozitimin e fondeve në një llogari pagesash; shërbime që mundësojnë tërheqjen e fondeve nga një llogari pagesash brenda Shqipërisë në sportele ose në ATM gjatë ose jashtë orarit zyrtar të punës së bankave; si edhe ekzekutimin e transaksioneve të pagesave brenda territorit të Republikës së Shqipërisë, ku përfshihen debitimet direkte; transaksionet e pagesave përmes një karte (përjashtuar transaksionet e pagesave me karta krediti), përfshirë pagesat online; transfertat e kreditit, përfshirë pagesat periodike, aty ku është e zbatueshme, në terminale dhe në sportelet e bankës dhe nëpërmjet platformave online.

Bankat do ta ofrojnë llogaritë e pagesave me shërbime bazike vetëm në monedhën vendase.

Metodologjia e përllogaritjes së tarifës së arsyeshme nga bankat do të përcaktohet me akt nënligjor të Bankës së Shqipërisë, duke konsideruar të paktën nivelin e të ardhurave kombëtare dhe tarifat mesatare të aplikuara nga bankat për shërbimet e pagesave të ofruara në llogaritë e pagesave.

Megjithatë, bankat duhet ofrojnë të gjitha shërbimet bazike të pagesave me tarifë zero, për kategoritë të cilët përfitojnë nga programet dhe politikat për skemat e ndihmës ekonomike dhe sociale sipas legjislacionit përkatës në Republikën e Shqipërisë.

Këtu përfshihen përfituesit e pagesës së papunësisë; familjet dhe individët, të cilët trajtohen me ndihmë ekonomike; përfituesit e pagesës së aftësisë së kufizuar dhe ndihmësit personalë të tyre; individët përfitues të statusit të invalidit dhe ndihmësit personal të tyre; individët përfitues të statusit të të verbrit dhe ndihmësit personal të tyre; invalidët e punës; jetimët; përfituesit e masës së financimit për fëmijën e vendosur në familje kujdestare me vendim gjykate; përfituesit e pensionit social; përfituesit e pensionit të pleqërisë; përfituesit e invaliditetit, si dhe përfituesit e pensionit të invaliditetit të përhershëm për shkak të aksidentit në punë dhe sëmundjeve profesionale; përfituesit e pensionit familjar; përfituesit e ndihmës ekonomike për arsimin e lartë.

Konsumatorëve, të cilët posedojnë llogari të tjera përveç llogarisë së pagesave me shërbime bazike, u lind e drejta, me kërkesë të tyre, të pajisen me një llogari pagese me shërbime bazike.

Kjo realizohet duke konvertuar një llogari ekzistuese në një llogari pagesash me shërbime bazike ose duke hapur një llogari të re e duke mbyllur atë ekzistuese.

Banka e Shqipërisë duhet të përcaktojë gjithashtu me akt nënligjor kërkesat për krahasueshmërinë dhe transparencën për tarifat e lidhura me llogarinë e pagesave me shërbime bazike, si dhe për shërbimin e transferimit të llogarisë së pagesave me shërbime bazike.

spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

REKLAME

spot_img

Me te lexuarat