Kreditimi i ekonomisë u rrit përsëri gjatë muajit nëntor.
Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, kredia e re kishte vlerën e 27.1 miliardë lekëve, në rritje me 34% krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar.
Për 11 muajt e vitit 2023, kredia e re e disbursuar nga sektori bankar ka arritur vlerën e 273.7 miliardë lekëve, në rritje me 10.4% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2023.
Kredia e re ka prekur tashmë ritme dyshifrore të rritjes, pavarësisht efektit negativ të kursit të këmbimit, që ka ulur vlerën e kredisë së dhënë në valutë të huaj.
Kredia e re po shfaq ritme të larta të rritjes, duke konsideruar faktin që politika monetare ndodhet në një cikël shtrëngues dhe normat e interesit janë rritur në dy vitet e fundit.
Pavarësisht kësaj, qasja më e moderuar që ka ndjekur Banka e Shqipërisë në ritmet e normalizimit të politikës monetare duket se ka dhënë efekt e saj në kreditim, sidomos duke parë që rritja ka ardhur kryesisht nga kredia në monedhën vendase.
Shqipëria ka një normë bazë në nivelin 3.25%, ndër më të ulëtat në Europë. Kredia e re këtë vit është në rritje si në segmentin e bizneseve, ashtu edhe në atë të individëve.
Kredia për shoqëritë tregtare private për 11-mujorin 2023 arriti në 181.6 miliardë lekë, në rritje me 10.5% kundrejt të njëjtës periudhë të vitit të kaluar. Pavarësisht ritmeve të ngadalësuara të rritjes ekonomike, kreditimi i biznesit duket se po ruan ritme mjaft të larta.
Kreditimi i biznesit është rritur në monedhën vendase dhe kryesisht në produktet e kredisë afatshkurtër për nevoja likuiditeti.
Edhe kreditimi i individëve paraqitet në rritje, në vijim të një cikli pozitiv disavjeçar.
Sipas Bankës së Shqipërisë, kredia e re për individë gjatë 11-mujorit 2023 arriti në 82.5 miliardë lekë, në rritje me 6.2% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Edhe tek individët rritja e kredisë ka ardhur e gjithë në monedhën vendase, ndërsa kjo rritje paraqitet e shpërndarë mes kredisë për blerje banesash dhe kredisë konsumatore.
LEXO EDHE: Kredia për apartamente “prek majat” në Tiranë/ Çfarë duhet të dimë para se ta marrim atë