Shqipëria, vit pas viti, po bëhet atraksion turistik, me miliona vizitorë të huaj që ndër të tjetra kërkojnë akses në pagesa digjitale, që në Shqipëri nuk janë shumë të përhapura, sidomos në tregtinë me pakicë.
Një raport i fundit i Bankës Botërore evidenton se Shqipëria ka përqindjen më të ulët të popullsisë mbi 15 vjeç që përdor pagesa digjitale.
Në vitin 2021, vetëm 35% e popullsisë mbi 15 vjeç në Shqipëri mori ose kreu një pagesë digjitale në krahasim me 29% në vitin 2017.
Banka vëren se vendet e tjera të rajonit kanë bërë hapa më të shpejtë në këtë drejtim, madje edhe Kosova renditet shumë më mirë.
Në vitin 2021, gati 48% e popullsisë mbi 15 vjeç në Kosovë ishte përdorues i pagesave digjitale nga 39% në 2017.
Në Bosnjë dhe Hercegovinë 67% e popullsisë mbi 15 vjeç përdorën pagesa digjitale, në Maqedoninë e Veriut, 74%, ndërsa në Serbi 87%.
Banka analizon se pagesat digjitale janë bërë më të përhapura në Ballkanin Perëndimor, megjithëse mbetet ende shumë për të bërë.
Ndërsa ekonomitë bëhen më digjitale, pagesat mundësojnë këtë tranzicion. Ato lejojnë që aktivitetet ekonomike dhe financiare të zhvillohen në një normë më të shpejtë, më të përshtatshme dhe më e sigurt.
Shkalla e përdorimit të pagesave digjitale përfshin pagesat përmes një instrumenti, pajisjeje ose kanali digjital të pagesave siç është banka elektronike, transfertat, kartat e kreditit dhe debitit, paratë elektronike (e-money).
Digjitalizimi i pagesave është veçanërisht i rëndësishëm për Ballkanin Perëndimor, si për pagesat/transfertat e brendshme ashtu edhe ato ndërkufitare në përpjekjet e tyre për përputhje me standardet e BE-së.
Brenda vendit, pagesat digjitale mbështesin bizneset për të operuar në mënyrë më efikase dhe të sigurt. Për më tepër, ato ndihmojnë në reduktimin e informalitetit dhe rritjes së transparencë.
Për shembull, rritja e pagesave digjitale me 10% (me anë të konvertimit të pagesave nga cash në digjitale) do të reduktonte informalitetin në ekonomi me 2%.