Java që sapo nisëm pritet të jetë nën ndikimin e kushteve atmosferike të paqëndrueshme deri në mesjavë.
Dita e Hënë parashikohet të jetë me kthjellime dhe shtim gradual të vranësirave gjatë orëve të pasdites.
Dita e Martë do të ketë mot të vranët deri në orët e para të mëngjesit dhe më pas alternime kthjellimesh. Reshjet e shiut do të bëhen prezente që në orët e para të 24-orëshit, fillimisht në veriperëndim e gradualisht do të shtrihen në pjesën më të madhe të vendit. Reshjet pritet të jenë me intensitet të ulët deri mesatar, ndërsa në veriperëndim dhe jugperëndim reshjet pritet të jenë me intensitet mesatar e lokalisht deri të lartë, hera herës reshje në formën e shtrëngatave shoqëruar me shkarkesa elektrike dhe breshër. Kjo situatë do të jetë prezente deri në orët e mëngjesit e më pas reshjet do të lokalizohen vetëm përgjatë relieveve malore.
Ditën e Mërkurë dhe ditën e Enjte reshjet e shiut do të jenë prezente gjatë orëve të natës në pjesën më të madhe të vendit, ndërsa gjatë ditës do të lokalizohen vetëm përgjatë relieveve malore.
Ditën e Premte moti parashikohet të jetë kryesisht i kthjellët e vranësira në zhvillim gjatë orëve të mesditës përgjatë relieveve malore, të cilat do të pasohen me reshje lokale shiu.