Ashtu siç paralajmëroi edhe më parë qeveria ka rritur çmimet e referencës së apartamenteve mbi të cilat bëhet vlerësimi i taksës së pasurisë, me qëllim afrimin e vlerës së tyre me tregun aktual të shitjes dhe blerjes së pasurive të paluajtshme.
Në Fletoren Zyrtare janë botuar ndryshimet për vendimin e vitit 2018 për metodologjinë e vlerës së taksueshme të pasurisë së paluajtshme.
Konkretisht, në ndryshimet e miratuara, qeveria ka rritur çmimet e referencës për metër katror të banesave mbi të cilat llogaritet taksa e pasurisë.
Rritja mesatare e çmimeve të referencës për 32 zonat kadastrale të kryeqytetit llogaritet rreth 29,600 lekë për metër katror.
Konkretisht rritje e çmimeve të referencës së apartamenteve për 32 zonat kadastarale të Tiranës varion nga vlera 5,100 lekë për metër katror të zonës kadastrale 1/1 (ku përfshin zonat Kinema “Ali Demi”, Fusha e Sportit, fshati Shkozë, Depo e Ujit; 1/2 Poligrafiku, Shkoza, Autotraktorët, fshati Shkozë, LanaBregas, Linzë, Sauk) deri në 57,800 lekë për metër katror që është rritja më e lartë në vlerë e çmimeve të referencës për zonën kadastrale 5/3 në Tiranë që përkon me zonat si: Kopshti Botanik, rruga “Komuna e Parisit” Liqeni artificial.
Zona me çmimet më të lartë të referencës vijon të mbetet ajo e ish–Bllokut që përkon me zonën kadastrale 5/1. Me çmimet e referencës të 2016-ës çmimi fiskal i kësaj zone ishte 190,000 lekë për metër katror. Me ndryshimet e fundit çmimi arrin në 228,400 (rritet 38,400 për metër katror).
Me rritjen më të lartë përfshihen zonat kadastrale 8/2 (Medreseja, Farmacia nr.10, Tregu Industrial). Në vlerë çmimi referencë është rritur 56,700 lekë/m2.
Rritja e çmimeve të referencës pritet të rrisë vlerës e taksës së pronës për qytetarët dhe bizneset. Taksa mblidhet nga pushteti vendor nëpërmjet faturave të ujësjellësit.
Zonat kadastrale
ZONA 1
1/1 Kinema “Ali Demi”, Fusha e Sportit, fshati Shkozë, Depo e Ujit; 1/2 Poligrafiku, Shkoza, Autotraktorët, fshati Shkozë, LanaBregas, Linzë, Sauk
ZONA 2
2/1 Piramida, stadiumi “Qemal Stafa”; 2/2 Pazari i Ri, 9-katëshet, shkolla “Avni Rustemi”; 2/3 Ministria e Jashtme, Ambulanca nr.1, Bërryli; 2/4 Shkolla e Baletit, Ambasada Amerikane; 2/5 Qyteti “Studenti”, Fakulteti Ekonomik, Varrezat e Dëshmorëve, Sauk, Selitë
ZONA 3
3/1 Xhamllëku, Profarma, rruga “Bardhyl”, rruga “Kongresi i Manastirit”, Bulevardi “Zhan D’Ark”; 3/2) Porcelani, IK V, Kinostudio, rruga “Hoxha Tahsim”, Lana e vjetër, fshati Linzë
ZONA 4
4/1 Kompleksi i spitaleve, SHIK, Oxhaku, Allias i ri, fshati Tufinë; 4/2 Allias, rruga “Njazi Meka”, Bregu i Lumit, Alliasi i Ri, rruga “Myslym Keta” “5 Maji”
ZONA 5
5/1 Ish–Blloku, Libri Universitar, Vodafone; 5/2 Stadiumi “Selman Stermasi”, Shushica, Liqeni Artificial; 5/3 Kopshti Botanik, rruga “Komuna e Parisit” Liqeni artificial; 5/4 Hotel “Diplomat”, blloku “Vasil Shanto”, Selitë e Vogël
ZONA 6 Shkolla Teknologjike, Kombinati, Vaqar, Selitë, Yzberisht, Sharrë
ZONA 7
7/1 Rr. Gjykata e rrethit, Ish-Ekspozita “Shqipëria Sot”; 7/2 Blloku i Ambasadave, Fakulteti i Inxhinierisë së Ndërtimit; 7/3 NSHRAK, parku i Ministrisë së Brendshme, Fabrika e bukës; 7/4 Unaza e Re, Fabrika e Miellit, ish-Fusha e Aviacionit, Yzberisht
ZONA 8
8/1 Selvia, gjimnazi “Partizani” rruga “Tafajt”; 8/2 Medreseja, farmacia nr.10, Tregu Industrial; 8/3 Tregu Industrial, fabrika “Ajka”, uzina “Dinamo”, Bregu i Lumit
ZONA 9
9/1 Bar Piazza, Blloku përgjatë “Zogu I”, Rruga e Barrikadave, rruga “Fortuzi”, “Sulejman Pasha” deri te “Mine Peza”; 9/2 Stacioni i trenit, Arkiva e Përgjithshme, Hipoteka, Politeknikumi; 9/3 “Don Bosko”, Fabrika e Këpucëve, Bregu i Lumit, Politeknikumi, rruga “Siri Kodra”
ZONA 10
10/1 PTT, Telekomi, ish-Lidhja e Shkrimtarëve; 10/2 Rruga “Myslym Shyri”, Drejtoria e Policisë, Kisha katolike; 10/3 Blloku i Ambasadave, Prokuroria, Rruga e Durrësit
ZONA 11
11/1 Zogu i Zi, ish-Shkolla e Partisë; 11/2 Ferluti, ish-Uzina Tirana, FIAT, Zbritja drejt Laprakës; 11/3 Laprakë, Drejtoria e Doganave, Spitali Ushtarak, Bregu i lumit, Fushë Mëzes, Don Bosko.