Bordi i Drejtorëve Ekzekutivë të Bankës Botërore ka miratuar një financim prej 900 mln dollarësh për Shqipërinë në periudhën 2023-2027 si dhe katër projekte të reja, me qëllim përmirësimin e tregut të punës, forcimin e ekonomisë dhe tranzicionin e saj të gjelbër si dhe një jetesë të shëndetshme.
Katër projektet e reja nisin me “Projektin e Ndërtimit të Urave të Forta”, 100 milionë dollarë, që synon rehabilitimin e urave në rrezik dhe përmirësimin e sistemeve të tyre të mirëmbajtjes.
Në “Projektin e Bujqësisë Konkurruese dhe me Aftësi Përballuese ndaj Klimës”, 70 milionë dollarë do të përdoren për nxitjen e inovacionit në bujqësi, në zgjerimin e ujitjes inteligjente dhe rritjen e aksesit të produkteve bujqësore në tregjet vendase dhe ato të BE-së.
“Projekti i Qasjes Universale në Shërbime Publike me Standard të Lartë (GovTech)”, me 65 milionë dollarë, do të ndihmojë digjitalizimin e shërbimeve publike dhe zgjerimin e aftësive digjitale për fëmijët në shkolla.
“Financimi i Politikave të Zhvillimit”, 120 milionë dollarë do të ndihmojë në forcimin e aftësisë ripërtëritëse të ekonomisë dhe qëndrueshmërinë mjedisore të modelit të rritjes së Shqipërisë.
Këto projekte të reja do të plotësojnë portofolin aktual të Bankës Botërore prej 5 projektesh në fushat e zhvillimit të qëndrueshëm, infrastrukturës, dhe zhvillimit njerëzor.
Emanuel Salinas, Menaxher i Zyrës së Bankës Botërore në Shqipëri, tha se strategjia e partneritetit synon të ndihmojë vendin të rimëkëmbet shpejt dhe të transformohet në një ekonomi më të fuqishme, më gjithëpërfshirëse, me aftësi ripërtëritëse dhe më të gjelbër, si dhe të krijojë jetesë më të shëndetshme dhe produktive për popullin shqiptar.
“Ne do të vijojmë të punojmë së bashku për institucione më të fuqishme, qeverisje të përmirësuar dhe forcimin e kapitalit njerëzor, si elementë kyçë për përballimin e sfidave të zhvillimit dhe nxitjen e rritjes së qëndrueshme dhe të barabartë”, tha ai.
Në njoftimin e BB-së, tregohet se do të ketë edhe bashkëpunim me Korporatën Ndërkombëtare Financiare (IFC-në) që do të përmirësojnë mjedisin e biznesit, do të zhvillojnë tregjet e kapitalit, do të përforcojnë legjislacionin dhe praktikat për partneritetet publike private, do të forcojnë konkurrueshmërinë, si dhe do të sigurojnë financim për zhvillimin afatgjatë. Agjencia Shumëpalëshe e Garantimit të Investimeve (MIGA) do të vijojë të mbështesë investimet e huaja përmes produkteve të sigurimit të riskut dhe do të lehtësojë investimet e huaja.
“Tërheqja e investimeve të reja private do të jetë element kyç për rritjen e qëndrueshme dhe me aftësi ripërtëritëse në të ardhmen,” tha Ary Naïm, Menaxher Rajonal i IFC-së për Evropën Qendrore dhe Juglindore.
“Veprimtaritë e investimit dhe këshillimit të IFC-së do të përqendrohen në përmirësimin e infrastrukturës së biznesit për konkurrueshmëri, rritjen e shtimit të vlerës vendase në sektorët e orientuar nga eksporti, dhe ofrimin e alternativave të financimit për tranzicionin e gjelbër të vendit” shtoi ai.
Strategjia e Partneritetit me Shqipërinë është përgatitur mbi bazën e analizave gjithëpërfshirëse të sfidave zhvillimore të vendit, si dhe bazuar në konsultime me qeverinë, sektorin privat, shoqërinë civile dhe partnerët për zhvillim.