Aksidentet me pasojë vdekje gjatë ditëve të fundit në vendin tonë kanë ngritur alarm tek autoritetet përkatëse rrugore.
Rasti i aksidentit në mbikalimin e TEG -ut në Tiranë ku humbën jetën 3 të rinj të cilët udhëtonin me një automjet luksoz Audi A8, ishte më i rëndi.
Në këtë aksident fatal pasditen e 9 Marsit, humbën jetën shoferi Klevis Ruçaj 20 vjeç dhe dy pasagjeret Erisilda Alushi 22 vjeçe dhe Sikela Përroj 23 vjeçe.
Eksperti i Policisë Rrugore Ali Yzeiri, deklaroi në studion e emisionit Uniko nga Spartak Koka se makina po lëvizte me të paktën 150 km/h dhe pas përplasjes me barrierën mbrojtëse fluturoi rreth 30 metra.
I pyetur nga gazetari Spartak Koka nëse policia po harton masa për të parandaluar të tilla aksidente të rënda, ai paralajmëroi se tashmë po shqyrtohen disa ndryshime në Kodin Rrugor.
Sipas tij, një ndër to që po diskutohet është të ndalohen shoferët e rinj në 3 vitet e para që të përdorin makina me fuqi motorike të lartë.
Ali Yzeiri: Po shikohen ndryshimet në Kodin Rrugor, është ngritur një grup pune për të parë jo vetëm pjesën e kësaj grupmoshe, por dhe për mjetet që ata mund të përdorin, pra për kubikët, për fuqitë motorike të larta. Për 3 vitet e para të pajisjes me leje drejtimi të një drejtuesi po shikohet mundësia që këta të mos përdorin mjete me fuqi të tillë. Pra, një mjet i tillë me atë fuqi motorike është për një adoleshent tamam një armë vrasëse.
Audi A8 që u përfshi në aksidentin te mbikalimi i TEG-ut ishte me fuqi motorike 4200 kubikë.
Specialisti i Policisë Rrugore nuk përcaktoi shifra se sa do të jetë fuqia motorike që do të lejohet të përdorin shoferët e rinj pasi ky ndryshim është ende në diskutim nga grupi i punës.