0.5 C
Tirana
Monday, November 25, 2024
spot_img
Faqe KryesoreLajmeAktualitetVOA jep alarmin: Zonat e mbrojtura po kërcënohen nga dora e njeriut

VOA jep alarmin: Zonat e mbrojtura po kërcënohen nga dora e njeriut

Në Shqipëri turizmi natyror po njeh kohët e fundit një rritje si rezultat i rritjes së vizitorëve, sidomos nga jashtë vendit. Vetëm Parku Kombëtar i Divjakë -Karavastasë u vizitua vitin e shkuar nga rreth 500 mijë turistë.

Por organizatat mjedisore dhe studiuesit po shprehin gjithnjë e më shumë shqetësimin se zonat e mbrojtura natyrore janë të kërcënuara nga politika dhe veprimtari të paqëndrueshme ekonomike dhe sidomos nga ndërtimet.

Parku Kombëtar Divjakë- Karavasta është një nga pasuritë më të mëdha natyrore të Shqipërisë që vit pas viti njeh një rritje të vizitorëve, si vendas dhe të huaj.

Sipërfaqet e mëdha pyjore me pishë të butë, me pasurinë e florës dhe faunës, kombinohen me peisazhet e lagunës dhe mundësinë për plazhe në zonën bregdetare.

Drejtori i parkut Ardian Koçi thotë se vitin e shkuar rreth gjysëm milionë vizitorë ishin në Divjakë.

“Ka qenë një vit i sukseshëm, do të thoja, me mbi gjysëm milionë turistë që kanë vizituar Parkun Kombëtar Divjakë-Karavasta nga të cilët rreth 65 mijë ishin turistë të huaj”.

Koçi thotë se synimi është që turistët të qëndrojnë disa ditë në park dhe kjo përmes shtimit të tërheqjeve turistike.

“Kërkojmë që turisti që arrin këtu të mos qëndrojë disa orë, por disa ditë në park. Dhe kjo bëhet duke shtuar objekte turistike. Po punojmë për të shtuar destinacionet. Nga ana tjetër përparësi është mbrojtja e mjedisit të parkut dhe burimeve të tij. Kaluam një vit të vështirë me një verë tejet të thatë dhe me rrezikshmëri për zjarret edhe në stinët që pasuan kjo u përballua mjaft mirë nga punonjësit e parkut .”

Vitin e shkuar qeveria shqiptare rishikoi hartën e zonave të mbrojtura natyrore duke hequr sipërfaqe të mëdha në disa parqe kombëtare dhe zona ligatinore ku tani po shfaqen projekte ndërtimore. Disa Organizata mjedisore e kanë paditur në gjykatë këtë vendimarrje duke kërkuar anullimin e kufijve të rinj.

Ndërkohë, 49 organizata kombëtare dhe ndërkombëtare mjedisore përmes një deklarate të përbashkët ditët e fundit shprehën shqetësimin se habitate natyrore në zonat e mbrojtura natyore janë të kërcënuara nga politika dhe veprimtari të paqëndrushme ekonomike.

Organizatat përmendin në reagimin e tyre ndërtimin e aeroportit ndërkombëtar të Vlorës në zonën e Peizazhit të Mbrojtur Vjosë-Nartë , ndërtime rezidenciale në Rezervatin Natyror të Kune-Vain , hidrocentralet në Zall-Gjocaj dhe Valbonë , investimet strategjike në formën e bujqësisë intensive në Divjakë-Karavasta si dhe qendrat e pushimit të planifikuara dhe disa në zhvillim në ish-zonën e mbrojtur të Parkut Kombëtar të Butrintit. / VOA

spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

REKLAME

spot_img

Me te lexuarat