Palët e CEFTA-s fillojnë të zbatojnë rregullat kalimtare për origjinën preferenciale të mallrave, krahas rregullave të Konventës Pan-Euro-Mesdhetare (PEM).
Sipas njoftimit zyrtar, në pritje të rishikimit të Konventës PEM, shumica e palëve kontraktuese PEM-it, duke përfshirë Palët e CEFTA-s, BE-së dhe EFTA-s, vendosën t’ua lejojnë kompanive të përfitojnë nga rregullat e modernizuara dhe të thjeshtuara të origjinës dhe filluan zbatimin e rregullave kalimtare në baza dypalëshe.
Rregullat e reja janë më fleksibël duke synuar uljen e barrës administrative, dhe për këtë arsye e bëjnë tregtinë më të thjeshtë, ofrojnë më shumë mundësi, si dhe ua mundësojnë kompanive të bëhen më konkurruese në tregje të tjera.
Rregullat hynë në fuqi nga 1 shkurt 2023, pasi të gjitha palët e CEFTA-s i finalizuan procedurat e brendshme.
“Duke zbatuar rregullat e rishikuara, më fleksibël dhe moderne, palët do të jenë në gjendje ta rrisin konkurrueshmërinë e eksporteve të tyre. Rregullat kalimtare për origjinën e mallrave thjeshtojnë sistemin, thjeshtojnë përcaktimin e origjinës së mallrave dhe e lehtësojnë më tej tregtinë në CEFTA dhe me BE-në”, shpjegoi drejtori i Sekretariatit të CEFTA-s Emir Djikic.
Konventa PEM është një marrëveshje ndërkombëtare që synon vendosjen e një grupi unik të rregullave për origjinën e mallrave. Palët Kontraktuese të PEM-it filluan diskutimin për rishikimin e Konventës në vitin 2013, me qëllim përshtatjen e saj me realitetin ekonomik.
Meqenëse miratimi i Konventës së rishikuar dështoi në vitin 2019, shumica e Palëve Kontraktuese vendosën t’i zbatojnë rregullat e rishikuara paraprakisht.
Aktualisht, dy grupet e rregullave, rregullat origjinale të origjinës PEM dhe rregullat kalimtare, do të zbatohen paralelisht dhe operatorët ekonomikë do të mund të zgjedhin ndërmjet rregullave të zbatueshme.
Cilat janë përfitimet?
Ky hap i ri që po ndërmerr CEFTA drejt lehtësimit të tregtisë fokusohet në uljen e burokracisë administrative dhe rritjen e vëllimit të tregtisë.
Rregullat e reja parashikojnë disa thjeshtime, duke përfshirë:
- Rregulla më fleksibël dhe më të thjeshta për produktet
- Rregulla më fleksibël të tolerancës: Rritja e pjesës së materialeve jo preferenciale në produktet e gatshme nga 10% në 15% në bazë të peshës neto për produktet bujqësore, ndërsa për produktet industriale (përveç tekstileve) toleranca vendoset në 15% të materialeve jo origjinuese bazuar në çmimin ex-works të produktit final.
- EUR.1 ose deklarata e origjinës do të jetë një lloj i vetëm i vërtetimit të origjinës dhe do të mjaftojë për një periudhë 10 mujore në vend të 4 muajve.
- Parashikohen gjithashtu opsionet e dakordimit për aplikimin e një sistemi të eksportuesve të regjistruar dhe dakordimit për përdorimin e vërtetimit të origjinës që lëshohet dhe/ose dorëzohet në mënyrë elektronike.
Mundësitë e kthimit të detyrimeve dhe akumulimit të plotë si përfitime të rregullave kalimtare, janë zbatuar në CEFTA që nga viti 2019. /Monitor
LEXO EDHE: Në tokë, në det, në ajër/ Ju çojmë në destinacion të sigurtë dhe të shëndetshëm