Rritja e normave të interesave po vë në alarm Qeverinë lidhur me kostot e shërbimit të borxhit.
Për 9 muajt e parë të vitit 2022, Shqipëria ka paguar rreth 30 miliardë lekë, afërisht 300 milionë dollarë interesa. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2021, në përputhje me planin buxhetor 2022, shpenzimet e interesit për borxhin e qeverisë janë rritur me 1.6 miliardë lekë, apo afërisht 16 milionë dollarë.
Por nuk është ky shqetësimi i vetëm i Qeverisë.
Risku i rifinancimit të borxhit të jashtëm është i lartë në disa vite specifike, siç është viti 2025, kur kemi shlyerje të mëdha, si Eurobondi dhe një kredi të marrë nëpërmjet kreditorit privat dhe të mbështetur përmes një Garancie (PBG) të Bankës Botërore.
Si masë zbutëse e këtij risku të rifinancimit, po shqyrtohet paraprakisht opsioni i një transaksioni të menaxhimit të detyrimeve (Liability Management) që me shumë mundësi mund të zbatohet së bashku me një emetim të ri, gjatë vitit 2023 ose 2024, kur kushtet financiare të tregjeve të jenë të favorshme për ta realizuar këtë transaksion.
E njëjta gjë mund të konsiderohet të zbatohet në lidhje me maturime të tjera të larta si në vitet 2027 e më tej.
Sipas një analize mbi këtë temë nga Ministria e Financave, pavarësisht zhvillimeve pozitive në treguesit e riskut, duke pasur parasysh mjedisin e ri të normave të rritura të interesit në vitin 2022, të ndikuar nga Lufta Rusi-Ukrainë, hezitimi i investitorëve për të investuar në obligacionet e qeverisë dhe bazën e investitorëve që nuk është shumë e diversifikuar, borxhi i brendshëm mbetet i ekspozuar ndaj riskut të normës së interesit dhe riskut të rifinancimit.
Në këtë drejtim, në periudhën afatmesme dhe afatgjatë, menaxhimi i borxhit do të vazhdojë të ndërmarrë aktivitete që synojnë zbutjen e mëtejshme të këtyre risqeve.
Me synimin për stabilitet të mëtejshëm të portofolit të borxhit, strategjia e re e afatmesme e menaxhimit të borxhit, e përditësuar në vitin 2022, ka përcaktuar disa objektiva më ambicioze krahasuar me strategjinë paraardhëse përsa i përket riskut të normës së interesit, riskut të rifinancimit dhe riskut të kursit të këmbimit/ SCAN