Dy zhytës japonezë së fundmi arritën të kapnin imazhe të rralla të një kallamari gjigant 2.5 metra që notonte në brigjet perëndimore të arkipelagut japonez.
Yosuke Tanaka dhe gruaja e tij Miki, instruktorë zhytjeje në Toyuka, prefektura Hyogo, në Japoninë perëndimore , u lajmëruan nga një shitës mjetesh peshkimi që kishte parë kallamarin gjigant pranë sipërfaqes së detit në një gji, dhe u nisën me varkë për ta gjetur atë.
“Aty ishte, një kallamar i madh ,” tregoi Tanaka.
“Nuk kishte shkathtësinë e shumë peshqve dhe krijesave të detit”, shtoi ai. “Tentakulat dhe pendët e tij po lëviznin shumë ngadalë”.
Kallamari dukej i dobët dhe lëkura e tij dukej se po zhvishej në disa vende, vërejti zhytësi.
Madhësia e kallamarit dhe sytë e tij të mëdhenj ishin tronditëse, dhe Tanaka tha se duke e parë atë e bëri të imagjinonte se sa i fortë duhet të jetë një kallamar për të sulmuar një balenë.
“Unë mund të shihja tentakulat e tij duke lëvizur. Mendova se do të ishte e rrezikshme të më kapte dhe të më merrte kjo krijesë,” vazhdoi ai.
Dihet se kallamarët gjigantë jetojnë pranë brigjeve të Japonisë dhe ndonjëherë disa dalin në brigjet e saj, por është shumë e rrallë t’i shohësh duke notuar në det.
“Ishte emocionuese. Mendoj se pak gjëra janë më të rralla se kjo pamje”, tha Tanaka, duke shtuar: “Kam dëgjuar që nuk dimë shumë për këtë krijesë. Do të isha i lumtur nëse kjo na ndihmon të mësojmë më shumë.”