INSTAT raporton se gjatë muajit Nëntor 2022 janë regjistruar 92 aksidente rrugore.
“Numri i të aksidentuarve (të vrarë dhe të plagosur) rezulton 117 persona nga 156 në muajin Nëntor 2021. Aksidentet rrugore, në 80,4 % të rasteve, kanë ndodhur si pasojë e sjelljes së drejtuesit të mjetit. Numri më i lartë i aksidenteve në këtë periudhë është kryer nga grup-mosha 25-34 vjeç, duke zënë 27,2 % të numrit të aksidenteve gjithsej”, thotë ndër të tjera Instituti i Statistikave.
Ndërkohë për 11-mujorin 2022, numërohen 1.060 aksidente rrugore.
LEXO EDHE: Rrugët që vrasin/ Shqipëria 49% më shumë fatalitete nga aksidentet rrugore se norma e BE
“Numri i të aksidentuarve është 1.479 persona nga 1.726 persona të aksidentuar në njëmbëdhjetëmujorin e vitit 2021”.
Shkak kryesor për aksidentet vijon të mbetet sjellja e shofereve në timon ndërkohë duket se ka një ndërgjegjësim më të madh të këmbësorëve ku aksidentet që vijnë si pasojë e sjelljes së tyre ka shënuar rënie në 11-mujorin e këtij viti.
“Aksidentet rrugore, në 13,7 % të rasteve, në njëmbëdhjetëmujorin e vitit 2022 kanë ndodhur si pasojë e sjelljes së këmbësorit. Numri i aksidenteve sipas sjelljes së këmbësorit është ulur me 24,9 %”.
Aksidentet rrugore dhe numri i të aksidentuarve sipas gjinisë
Aksidentet rrugore dhe numri i të vdekurve sipas qarqeve
Por pavarësisht shifrave zyrtare që jep INSTAT, të gjithë jemi të vetëdijshëm se numri i aksidenteve rrugore është akoma më i lartë pasi në shumë raste ato nuk raportohen nga Policia Rrugore.
Në botë, sipas statistikave nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSh), çdo vit mbi 1.3 milionë njerëz humbasin jetën si pasojë e aksidenteve rrugore.
Ndërkohë 20 deri 50 milionë njerëz vuajnë nga dëmtime fatale, ku shumica mbeten me aftësi të kufizuara.
Këto dëmtime si pasojë e akidenteve rrugore shkaktojnë humbje ekonomike të konsiderueshme për individët, familjet e tyre dhe vendin si një të tërë. Këto humbje vijnë si pasojë e kostove të trajtimit, si edhe të humbjes së produktivitetit dhe për anëtarët e familjeve të tyre të cilët duhet të shkëputen nga shkolla apo nga puna për t’u kujdesur për këta anëtarë të familjes të cilët mund të jenë dëmtuar në një aksident rrugor.
Aksidentet rrugore i kushtojnë shumicës së vendeve 3% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB).
Por lajmi i mirë është se aksidentet rrugore mund të parandalohen. Të gjithë aktorët publikë, të lidhur me sigurinë rrugore, duhet të ndërmarrin veprime konkrete për zgjidhjen urgjente të çështjeve të sigurisë rrugore, duke përfshirë të gjithë aktorët: transportin, policinë, shëndetin, edukimin, kompanitë e sigurimit dhe të gjithë përdoruesit e tjerë të rrugës (këmbësorët, biçikletat, motorrët etj).
Përse duhet të sigurohemi?
Nëse makina juaj përfshihet në një aksident rrugor që rezulton në dëmtime apo humbje ndaj pronës apo dëmtimit fizik të një pale të tretë, ato mbulohen nga sigurimi i makinës.
Vazhdimisht kemi apeluar tek qytetarët që të bëjnë kujdes me qarkullimin në rrugë, duke respektuar normat e qarkullimit, duke vendosur rripin e sigurimit por në të njëjtën kohë të marrin masa për t’i paraprirë çdo rreziku potencial, duke kryer sigurimin e përgjegjësisë ndaj palëve të treta.
Qytetarët duhet të jenë të ndërgjegjshëm, të kryejnë sigurimin e përgjegjësisë ndaj palëve të treta (TPL), pasi në një aksident jo vetëm mund të ndodhë dëmtimi i personit që shkakton aksidentin, por edhe i palës tjetër, apo fatkeqësisht të përfshihet edhe ndonjë kalimtar i rastit.
Një aksident, vec pasojave materiale apo fizike, përfundon edhe me kosto të larta financiare për përgjegjësin e aksidentit, gjë që e thellon edhe më shumë ngjarjen.
Kompanitë e Sigurimit nuk bëjnë gjë tjetër veçse ndihmojnë drejtuesit e automjetit shkaktar ta heqë këtë përgjegjësi nga vetja, duke i marrë përsipër mbulimin e dëmit të shkaktuar.
Sigurimi i përgjegjësisë ndaj palëve të treta, ose siç e njohim ndryshe Siguracioni TPL, na mbron duke ofruar garanci dhe pagesë financiare për çdo dëm material.
Mospatja e këtij siguracioni automatikisht bën që në rast aksidenti, shkaktari të paguajë nga xhepi cdo dëm që shkakton tek të tretët.