Aeroporti Ndërkombëtar “Tirana International Airport” njofton se duke filluar nga data 6 Shtator, qytetarët të cilët hyjnë në Republikën e Shqipërisë duhet të plotësojnë një nga këto tre kushte:
- Të kenë pasaportën e vaksinimit, ku nga data e vaksinimit të plotë të kenë të paktën dy javë.
- Të kenë testin PCR negativ brenda 72 orëve ose testin e shpejtë të antigenit brenda 48 orëve.
- Të kenë provë të kalimit të infeksionit Sars-Cov2, të vlefshme deri në 6 muaj pas shërimit.
Sipas njoftimit këto rregulla janë të vlefshme edhe për ata qytetarë të cilët kalojnë tranzit në Shqipëri ndërsa fëmijët deri në 6 vjeç nuk i nënshtrohen këtyre rregullave.
TIA informon se qytetarët shqiptarë rezidentë në Shqipëri, të cilët kthehen dhe nuk kanë një nga dokumentet e sipërcituara, duhet të vetë izolohen për 10 ditë dhe të informojnë autoritetin shëndetësor për të kryer një test në fund të periudhës së izolimit.
Lexo edhe: A e mbulon polica ime e sigurimit Variantin Delta të Coranavirusit?
Sipas informacionit të publikuar në ndërtesën e aeroportit do të lejohen të hyjnë vetëm pasagjerët që udhëtojnë, duke shmangur shoqërimin nga familjarë të tyre ndërsa këta pasagjerë duhet të zbatojnë me rigorozitet mbajtjen e maskës, ashtu siç është rekomanduar në protokollin e masave te sigurisë së shëndetit.