17.5 C
Tirana
Friday, November 22, 2024
spot_img
Faqe KryesoreLajmeAktualitetRritja e ekonomisë shqiptare në 2023/ FMN tkurr ndjeshëm parashikimin, më e...

Rritja e ekonomisë shqiptare në 2023/ FMN tkurr ndjeshëm parashikimin, më e ulëta në rajon

Fondi Monetar Ndërkombëtar ka ulur ndjeshëm parashikimin për rritjen ekonomike të Shqipërisë gjatë vitit të ardhshëm. Rishikimi në ulje ka ndodhur dy herë brenda një kohe të shkurtër, duke e çuar në rreth 2%.

Sipas “Pasqyrës Ekonomike Globale”, të publikuar sot, vendi pritej që të zgjerohej me 2.5% gjatë vitit 2023, nga 2.8% që ishte pritshmëria në raportin e prillit. Në raport përmendet që ky vlerësim është bërë përpara vizitës së misionit.

Ky i fundit, që përfundoi të hënën vizitën në Shqipëri ka rishikuar sërish në ulje pritshmërinë për performancën e ekonomisë, duke e zbritur në rreth 2%.

Misioni ka ulur dhe pritshmërinë për rritjen e këtij viti, në 3.7%, nga 4% që është në raportin e pasqyrës globale, si rrjedhojë e ecurisë së dobët në tremujorin e dytë të vitit.

“Pas një rritje të lartë në vitin 2021, ekonomia shqiptare ka mbajtur një ritëm pozitiv këtë vit, pavarësisht goditjes që ekonomia globale ka marrë nga lufta e Rusisë në Ukrainë. Ne parashikojmë që rritja ekonomike për vitin 2022 të jetë 3,7 për qind, mbështetur nga një aktivitet i lartë në turizëm, në pasuritë e paluajtshme dhe tek shërbimet. Rritja parashikohet të ngadalësohet në rreth 2 për qind në vitin 2023, duke pasqyruar kushte financiare më të shtrënguara, ngadalësimin në Europë, dhe tërheqjen e nevojshme të politikave mbështetëse”, thuhet në deklaratën e FMN-së.

Inflacioni, sipas pasqyrës ekonomike globale pritet të jetë mesatarisht 6.2% këtë vit, duke u ngadalësuar në 4.3% vitin e ardhshëm dhe vetëm pas 2023-it do të shkojë në objektivin e bankës së Shqipërisë prej rreth 3%.

Inflacioni është rritur ndjeshëm dhe po bëhet me bazë gjithnjë e më të gjerë. Norma e inflacionit pritet të arrijë kulmin në muajt në vijim, duke filluar uljen vetëm në vitin 2023 dhe të kthehet në objektivin prej 3 për qind e Bankës së Shqipërisë (BSH) nga mesi i 2024, kur çmimet ndërkombëtare të mallrave të bursës të stabilizohen, politika fiskale dhe monetare të shtrëngohen dhe rritja ekonomike të ngadalësohet. Parashikimet tona të tanishme supozojnë se norma bazë e interesit do të rritet në 3-3.5 për qind në vitin 2022 dhe 4-4.5 për qind në vitin 2023”, thuhet në deklaratën e misionit të FMN-së në Shqipëri.

LEXO EDHEShqipëri vs Kosovë, përballja e shifrave/ Krahasimi ekonomik dhe social mes dy shteteve

Rritja më e ulët në rajon

Në krahasim me vendet e tjera të rajonit, Shqipëria pritet që të ketë ritmet më të ulëta të rritjes vitin e ardhshëm, së bashku me Bosnjë Hercegovinën, të dyja me rreth 2%.. Zgjerimin më të fortë parashikohet ta ketë Kosova, me 3.5%, Maqedonia e Veriut, me 3%, Mali i Zi me 2.5 dhe Serbia me 2.7%.

Për të gjitha këto vende FMN ka rishikuar për poshtë rritjen ekonomike, si rrjedhojë e pasojave që do të sjellë ngadalësimi i ekonomisë në Europë dhe çmimet e larta. Vlerësimi më i ulët për ekonominë shqiptare lidhet me politikën shtrënguese fiskale që pritet të ndiqet në vitin 2023.

spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

REKLAME

spot_img

Me te lexuarat