22.5 C
Tirana
Wednesday, May 15, 2024
spot_img
Faqe KryesoreLajmeAktualitet82 milionë euro vetëm në 2023-shin/ Shqiptarët 3-fishojnë blerjen e automjeteve nga...

82 milionë euro vetëm në 2023-shin/ Shqiptarët 3-fishojnë blerjen e automjeteve nga Korea. Gjeografia e importeve

Shqiptarët vijojnë të preferojnë më së shumti blerjen e automjeteve të përdorura nga jashtë, për shkak edhe të çmimeve më të favorshme që kanë në krahasim me makinat e reja që shiten në koncesionare.

Të dhënat zyrtare të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, tregojnë se zëri i automjeteve të përdorura renditet në vendin e katërt për të ardhurat doganore që sjell në buxhetin e shtetit, në raport me të gjitha mallrat e importuara.

Konkretisht në 2023 ky zë ka sjellë afro 10 miliardë lekë të ardhura, me një kontribut prej 4.59 % në raport më të ardhurave totale doganore.

Por ndërsa deri vonë dy tregjet kryesore të importit të automjeteve të përdorura kanë qenë Gjermania dhe Italia, tashmë një tjetër shtet ka fituar terren të konsiderueshëm në Shqipëri.

Interesi i qytetarëve shqiptarë për të blerë automjete të përdorura me çmime shumë më të lira se vendet evropiane, është zhvendosur në Korenë e Jugut.

Të dhënat e INSTAT tregojnë se, importi i mjeteve të transportit nga Korea e Jugut ka pësuar një rritje të konsiderueshme nga viti në vit,  ku në 2018 regjistroheshin në vetëm 869 milionë lekë dhe në 2023-shin importet kanë arritur në 8.5 miliardë lekë.

Nëse do të marrim në konsideratë dy vitet e fundit, në 2023 ka një trefishim të importit në raport me 2022-shin.

Por cila është gjeografia e blerjeve të automjeteve nga shqiptarët?

Në vendin e parë për hapësirën që zë në tregun vendas renditet Gjermania, e cila ka sjellë 25.5 miliardë lekë mjete transporti në Shqipëri gjatë vitit 2023, dhe në vendin e dytë renditet Italia, ndjekur nga Korea e Jugut, e cila thuajse është barazuar me Italinë, dhe ne vendin e katërt rezulton Zvicra.

Me interesin në rritje ndaj tregut të Koresë, kanë lulëzuar së fundmi edhe bizneset e transportit që sjellin automjetet nga ky shtet në Shqipëri.

spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

REKLAME

spot_img

Me te lexuarat