17.5 C
Tirana
Monday, April 20, 2026
spot_img
Faqe KryesoreIntervistaZjarret në Tiranë dhe mungesa e sigurimit, çfarë duhet të dini. Ponari...

Zjarret në Tiranë dhe mungesa e sigurimit, çfarë duhet të dini. Ponari intervistë për Gogo.al

Sigurime.Online, në këtë artikull, sjell të plotë zbardhjen e intervistës së podkastit “Gogo.al”, i drejtuar nga gazetarja Valmora Gogo. I ftuar në takimin e fundit ishte z. Avni Ponari, CEO i SIGAL INSURANCE Group. Në pjesën e parë u fol për sigurimet, rëndësinë e sigurimit të pronës dhe rastin e zjarrit në Tiranë. Këtu do të gjeni të zbardhur vetëm pjesën e parë të bisedës. Pjesët e tjera Sigurime.Online do t’i sjellë në vijim. Po ashtu gjeni edhe videon e plotë të intervistës.  

Gogo: Faleminderit, mirë se erdhët. Sot kemi 5-vjetorin tonë.

Ponari: Interesante, sepse moshat e bizneseve në Shqipëri janë pothuajse të reja. Nganjëherë, kur takoj biznese në Evropë apo Azi, apo diku tjetër, dhe u them që Shqipëria ka filluar biznesin 30 vjet më parë, më shohin me habi dhe thonë… “Përpara çfarë ishit?” Kemi qenë vetëm shtet. Asgjë nuk ka qenë private. As bankë private, as siguracione private, as shtëpi private. Gjithçka ishte e shtetit. Kështu që për 30 vjet kemi bërë shumë.

Gogo: Të shpresojmë. Tragjike për ne si shoqëri është fakti që shumë pak i dedikohemi sigurisë dhe cilësisë së jetës dhe këtu gjej rastin për të nisur bisedën tonë me ngjarjen tragjike të dy ditëve më parë, ku një pallat u shkrumbua në mes të Tiranës. Këto ngjarje tragjike na bëjnë të reflektojmë dhe të pyesim pse jemi kaq indiferentë ndaj mirëqenies, sigurisë së jetës dhe rrezikut?

Ponari: Ajo që është e veçantë në Shqipëri… Unë jam prezent në RMV dhe Kosovë. Ajo që bie në sy këtu është mungesa e besimit. E kemi shkatërruar, nuk besojmë te njëri-tjetri. Kjo na ka bërë të humbasim orientimin. Nëse dikush flet për një gjë dhe do ta tregojë, menjëherë reagimi është i tillë që shfaqet mosbesimi ndaj asaj gjëje. Ndoshta është ajo periudha e piramidave që krijoi një klimë të pakëndshme dhe pastaj ky lloj besimi u shkatërrua dhe u bë i njëjtë në të gjitha drejtimet. Edhe media, natyrisht, ka ndikim shumë të madh, sepse një pjesë e madhe e tyre hedhin gjëra që janë të pavërteta dhe krijojnë mungesë besimi. Nuk e shoh këtë në vende të tjera. Nuk e shoh në Kosovë, nuk e shoh në Maqedoni. Janë më të kujdesshëm, nuk shfaqin këtë lloj mosbesimi që kemi ne për gjithçka që thuhet e flitet. Kjo është ajo që duhet të luftojmë fort të gjithë. Media, biznesi, të gjithë ata që kanë diçka në dorë për të krijuar besim te njerëzit. Pa besim është shumë e vështirë të ecësh përpara. Kjo mungesë besimi bën që edhe për atë që thua ti, edhe për atë që them unë, dikush do të thotë: “Ia fut kot, e ka një hall”. Nëse dikush bën një analizë dhe nxjerr qindra argumente për atë që ke thënë, një të vërtetë, por duke qenë në klimën e madhe të mosbesimit, gjithçka bie poshtë.

Le të kthehemi te ajo që folëm pak më parë, që ishte ngjarja te pallati. Shqipëria nuk ka një ngjarje. Shqipëria ka plot ngjarje. Ngjarjet në Shqipëri janë të jashtëzakonshme. Tani që unë them këtë, me siguri ata që e dëgjojnë thonë: “He mo, se Avniu kështu thotë gjithmonë, do na thotë diçka për sigurimet, e ka biznesin e tij, do të bëjë siguracione, të bëjë lekë në kurriz të popullit”, etj. Lloj-lloj gjërash thuhen. Në fakt, e kundërta është. Ne përpiqemi të themi: kjo është rruga. Ti mos e bëj. Unë nuk të detyroj të bësh një siguracion. Nëse them se sigurimi i shtëpisë është në të gjithë botën masiv, ti thua jo, nuk e siguroj sepse për mua kujdeset shteti. Kjo ishte përpara 35 vjetësh. Sot kemi ekonominë e tregut, ku secili është përgjegjës për çfarë ka krijuar dhe do të krijojë. Natyrisht ai do të thotë: unë e bleva shtëpinë sipas standardeve dhe kushteve, por ajo nuk ka qenë. Edhe një makinë, nëse e blen të prodhuar në Gjermani, mund të jetë e re dhe të marrë flakë. Ngjarje që ndodhin. Bota ka ngjarje nga më të ndryshmet. Ndaj janë sigurimet: industri si barrikadë dhe mbrojtëse financiare e jotja. Njerëzit nuk e kuptojnë që po, është e rëndësishme, sepse vijnë nga një mentalitet dhe kulturë që dikush duhet të kujdeset për ne. Shteti, kujdestari ynë.

Gogo: Duan bari mbi kokë.

Ponari: Shteti kujdeset për mjekësinë. Për shtëpinë time, nëse më digjet, për shtëpinë time nëse përmbytet, për arën time nëse më digjet, për stallën e bagëtive apo frutikulturën… gjithçka që kemi, ai duhet të jetë përgjegjës. Në fakt, nuk është kjo.

Nganjëherë marrja përsipër e shtetit e këtyre e zvogëlon dhe e zbeh industrinë e sigurimeve, që është njëra nga tre shtyllat e zhvillimit ekonomik të një vendi. Pesha e saj është shumë e rëndësishme. Pse të gjitha bankat e botës janë të siguruara te industria e sigurimeve? Sepse pesha e tyre është e jashtëzakonshme kudo. Pse të gjitha raketat, avionët, anijet, gjithçka mbi tokë e krijuar nga njeriu është e siguruar? Jetët e njerëzve? Në Shqipëri kjo nuk ndodh. Mentaliteti ynë është tjetër, i ardhur nga një sistem totalitar. Ne ia trashëgojmë njëri-tjetrit. Flasim akoma, edhe pse leku ka ndryshuar para pesëdhjetë vjetësh, për “të reja” e “të vjetra”. Nuk e kemi ndryshuar. E trashëgojmë këtë edhe te fëmija i vogël: 2 mijë apo 20 mijë. I imponohemi që ai ta kuptojë. Ne vazhdojmë të ecim me këtë hap, që është shumë i gabuar.

Gogo: Me sa kuptoj, është çështje mendësie, jo se s’ke para për sigurime.

Ponari: Nuk është paraja. Ka dy arsye. Gjëja më e rëndësishme është shëndeti. Njerëzit thonë që shteti i ka siguruar falas. Në fakt kanë një të drejtë, sepse të gjithë paguajnë sigurime shëndetësore. Duhet ta marrin si shërbim. Nga ana tjetër janë sigurimet shëndetësore private. Privat do të thotë që nuk do të presësh radhën për analiza, por do të shkosh drejtpërdrejt në klinikë private për të marrë shërbimin menjëherë. Këtu kemi të bëjmë me një reformë që duhet gërshetuar, sepse shteti, fakti që ka krijuar klinika dhe spitale private, duhet të bëjë edhe reformën shëndetësore si kudo në botë. Nuk kemi nevojë të krijojmë diçka të re.

Gogo: Modelet janë aty.

Ponari: Marrim modelin kroat, maqedonas, moldav, austriak dhe themi: ky është modeli më i përshtatshëm. Ta ndërtojmë. Sot shkon në të gjitha klinikat shtetërore dhe nuk merr një faturë. Jo se do paguash, por duhet të shkosh atje të bësh analizat dhe të japë një faturë që analizat të kushtuan kaq lekë. Ti shkon te spitali, merr shërbim dhe largohesh. Kjo nuk ndodh askund në botë. Te privatët shkon dhe merr faturë. Më parë e paguan dhe pastaj merr shërbimin. Kjo e bën pak të dyshimtë.

Njerëzit i duan sigurimet. U duhen, natyrisht, por nuk duan të paguajnë dhe e dyta mendojnë që nëse paguajnë sigurimin duhet t’i marrin ato lekë që i futën sot, t’i marrin nesër. Nuk presin për shërbimin. Ka raste kur… një mik imi tha: kam dy vite që sigurohem dhe s’kam marrë asnjë lek. I thashë: duhet të jesh i lumtur, sepse do të thotë që je shëndoshë. Pas dy javësh më tha: jam në spital. E pyeta si ishte, dhe pasi u sigurova që ishte mirë, me diçka kalimtare, i thashë: tani do të marrësh para. Më tha: a bëra gabim që të pyeta? Nuk e di.

Sigurimet janë të domosdoshme dhe fakti që penetrimi i shqiptarëve në këtë industri është 5-7%, do të thotë që mbi 90% nuk kanë asnjë lloj siguracioni. Kanë sigurimin e makinës, që është një vlerë e vogël, dhe asgjë tjetër. As shtëpi të siguruara, as apartamente. Ka ato sigurime që i kërkon banka dhe ato i nënvlerësojnë dhe i bëjnë në forma që përsëri janë të pambuluar dhe jashtë kontratës për të marrë vlerën e plotë. Për efekt të uljes së primit, ulin edhe vlerën e shtëpisë.

Kam një shembull shumë interesant: një klient, 19 vjet siguronte për shkak kredie. Në vitin e 20-të iu dogj apartamenti dhe erdhi të merrte paratë, por shuma e sigurimit nuk ishte… sepse çdo vit i kishte kërkuar bankës “ma ul shumën e sigurimit”. Nga 60 mijë euro që kishte në fillim, i kishin mbetur 2 mijë euro. Ai e kishte bërë sigurimin për 2 mijë euro dhe për apartamentin e djegur merrte 2 mijë euro. Kërkonte t’ia linte dikujt fajin, ose siguracionit, ose bankës. Jo. Faji është i yti, sepse ti firmose një kontratë. Sigurimet janë kontratë ligjore.

Tregu i sigurimeve ka mbikëqyrësin, njësoj si Banka e Shqipërisë. Ti ankohesh atje nëse s’je paguar. Nëse edhe ata nuk mund ta zgjidhin, pasi e shohin dhe kontrollojnë, madje ka raste që e urdhërojnë të paguajë, ti ke të drejtën të shkosh në gjykatë. Në gjykatë ndonjë klient thotë: “Unë nuk shkoj, se zgjat shumë”. Ky është sistemi. Gjykata vendos për gjëra shumë më të rëndësishme se pagesa e një dëmi. Dua të them se nëse në vit paguhen rreth 100 mijë klientë nga i gjithë tregu, në gjykatë mund të shkojnë 300–500–1000 raste. Një shifër shumë e vogël. Edhe ata që shkojnë në gjykatë janë, në përgjithësi, ata që abuzojnë ose janë të nxitur nga avokatët, sepse për avokatët ajo është biznesi i tyre.

Gogo: Si futen avokatët në lojë?

Ponari: Kërkojnë të rrisin vlerat e dëmeve. Pikë shumë e nxehtë. Pikë e parregulluar mirë me ligj. Ligji e ka përcaktuar, sepse në të gjithë botën nuk është biznes. Avokatët futen te sigurimet shëndetësore nga dëmet motorike. Dëmet motorike janë: çdo person që ndodhet në makinë, çdo i dëmtuar që ndodhet në makinë, jo kur është shkaktar, është përfitues i dëmit shëndetësor, i një vlere të caktuar. Avokatët, në këtë rast, përpiqen që dëmin e klientit ta rrisin. Nëse ai është i dëmtuar 20%, avokatët kërkojnë 50%, me ekspertiza private dhe e rrisin artificialisht.

Kjo bën që klientët të vonohen, sepse u thonë “do shkojmë në gjykatë”. Kur vjen një moment që gjykata zgjat dhe e shohin që nuk mund ta fitojnë, sepse s’kanë argumentet e duhura, i thonë klientit: “Sa të dha kompania?” – “Kaq”. “Merr gjysmën, të ta jap unë”. I paguajnë klientët dhe vazhdojnë procesin gjyqësor ose negociojnë me kompaninë për një shumë të caktuar.

Ajo që është abuzive është fakti që ata nënshkruajnë një kontratë, një prokurë, me klientin e dëmtuar dhe vendosin kushte të padrejta: “nëse ma heq prokurën, duhet të më paguash ose të më lësh pasuri”. Kjo është e padrejtë. Ti ke të drejtë ta heqësh prokurën në çdo moment.

Ligji ishte shumë i mirë për vlerësimin e avokatëve, sepse në gjithë botën është e përcaktuar sa merr një avokat për këto raste. Sigurimi shëndetësor nuk është biznes. As sigurimi i jetës. Në Evropë, gjykata vendos: vlera e dëmit për klientin 100 mijë euro, avokati merr p.sh. 2 mijë euro. Këtu ndodh që për 100 mijë euro, avokati merr gjysmën.

Si do të ishte rruga normale? Je në rrugë, u dëmtove, theve një krah. Çfarë duhet të bësh?

Klienti nuk bën asgjë tjetër veçse shkon në spital, merr dokumentet dhe shkon te kompania e sigurimeve, si për makinën e dëmtuar. Dëmi shëndetësor është i përcaktuar me ligj, sipas rregullores së AMF-së. Nëse dëmi është 10%, vlera është kaq; nëse është 20%, vlera është kaq. Gjithçka është e qartë.

Në gjykatë sjellin ekspertiza të ndryshme për të rritur pretendimet, por shpesh pjesa më e madhe e përfitimit nuk shkon te i dëmtuari. Duke shfrytëzuar paditurinë e klientit, krijojnë një skemë që është më shumë në favor të tyre.

Të kthehemi te pallati që u dogj. Nëse unë do të isha banor dhe do ta kisha siguruar apartamentin tim, në çfarë situate do të isha sot?

E para, sigurimi i apartamenteve dhe shtëpive është shumë i rëndësishëm. Ti ke krijuar një shtëpi dhe në një moment shpërthen një bombol gazi dhe gjithçka digjet. Ose bie tërmet, ose përmbytje. Njerëzit mendojnë se kostoja është e lartë, por maksimumi është rreth 1 euro për metër katror në vit. Një shtëpi 100 m² kushton rreth 100 euro në vit.

Por pse nuk sigurohen? Sepse mendojnë: “mua s’ma gjen gjë shtëpinë”. Ky është mentaliteti. “Kam 30 vjet që jetoj aty dhe s’më është djegur asnjëherë”.

Në atë pallat kishte vetëm dy apartamente të siguruara. Kishin një vit apo një vit e gjysmë. I kishte detyruar banka. Ne menjëherë përgatisim dokumentet dhe u themi: hajde merrni dëmshpërblimin. Procedura në një rast të tillë zgjat rreth dy javë. Pas ekspertizës së zjarrfikësve dhe aktit të prokurorisë, bëhet vlerësimi dhe pagesa.

Me një kosto kaq të ulët, përfitimi është shumë i madh. Nëse paguan 50 euro, ke të garantuara rreth 30 mijë euro. Nëse paguan 100 euro, deri në 50 mijë euro, e kështu me radhë.

Gogo: Qenka shumë lirë.

Ponari: Praktikisht, të gjitha apartamentet e Tiranës mund të sigurohen me 5–10 euro në muaj.

Gogo: Sikur të mos blesh paketat e reality show dhe të sigurosh shtëpinë.

Ponari: Nganjëherë më marrin në telefon njerëz që janë jashtë dhe kanë lënë shtëpitë. Po, mund ta sigurojnë. Madje duhet. Sepse nëse shtëpia jote digjet, mund të dëmtojë edhe fqinjin. Prandaj ekziston edhe sigurimi i përgjegjësisë ndaj të tretëve. Kostoja është shumë e vogël, rreth 10 euro në vit.

Nëse ke lënë çezmën hapur dhe i përmbyt shtëpinë fqinjit, do ta paguash. Nëse je i siguruar, paguan siguracioni. Si te makinat: njëra përplas tjetrën, paguan siguracioni.

Gogo: Kur sigurohet apartamenti, është i ndarë nga sigurimi i mobiljeve?

Ponari: Ti zgjedh çfarë do të sigurosh. Mund të sigurosh vetëm apartamentin ose edhe orenditë. P.sh. apartamenti 100 mijë euro, orenditë 20 mijë. Llogaritet sipas një përqindjeje të vogël. Bëhet inventar për vlerën përkatëse.

Gogo: Kam parë edhe sigurime online…

Ponari: Po, çdo klient, në Shqipëri apo jashtë, mund ta sigurojë apartamentin online. Futet në faqe, plotëson të dhënat dhe agjentët e verifikojnë më pas. Në pak ditë procesi mbyllet dhe shtëpia është e siguruar. Nëse do inventar të detajuar, duhet prania fizike, por për pjesën bazë gjithçka bëhet shpejt.

spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

REKLAME

spot_img

Me te lexuarat