15.5 C
Tirana
Saturday, October 5, 2024
spot_img
Faqe KryesoreLajmeAktualitetTurizmi 2020/ Në verë “shkëlqeu” Durrësi, në dimër Korça. Femrat preferuan Shqipërinë

Turizmi 2020/ Në verë “shkëlqeu” Durrësi, në dimër Korça. Femrat preferuan Shqipërinë

Situata e pandemisë e cila nisi dhe kulmoi përgjatë vitit të kaluar solli një ridimensionim total të lëvizjes së udhëtarëve dhe arsyeve të tyre si brenda vendit ashtu edhe mes shteteve.

Por kalimi në “sitë” më i kujdesshëm i atyre që hynë në vend dhe arsyeve si efekt i pandemisë nxori në pah se udhëtimet për pushime dhe kohë të lirë drejt vendit tonë ishin më të larta sesa në vitin 2019 që është viti më i mirë i turizmit në vend.

Statistikat e përpunuara nga anketa “Pushime dhe Udhëtime” e Institutit të Statistikave vlerësojnë se më 2020, udhëtimet e kryera në Shqipëri për qëllime “Pushime dhe kohë të lirë” dhe “Arsye të tjera” janë rritur përkatësisht me 16,9 dhe 2,6 pikë përqindje, krahasuar me vitin 2019.

Në vitin 2020, numri i udhëtimeve për qëllime personale apo biznesi (brenda apo jashtë Shqipërisë) të kryera nga individët banues në Shqipëri të moshës mbi 15 vjeç ishte 3.212.076. Numri mesatar i netëve të qëndrimit për udhëtime të kryera është 4,6 netë. Udhëtimet për qëllime personale përbëjnë 98,7 % të udhëtimeve gjithsej, ndërsa udhëtimet për qëllime biznesi 1,3 % të tyre. Përqendrimet më të larta të udhëtimeve të kryera janë regjistruar në muajt: Gusht (17,0 %), Janar (12,8 %), Qershor (12,1 %), Dhjetor (11,4 %) dhe Korrik (9,9 %). Siç vërehet edhe nga grafiku shuma e netëve të qëndrimit (në milion) ka regjistruar vlerat më të larta në muajt Gusht, Korrik dhe Janar” thuhet në publikimin e INSTAT.

I njëjti vlerëson në vitin 2020, janë regjistruar rreth 40 % më pak udhëtime në të gjithë Shqipërinë dhe jashtë saj, krahasuar me vitin 2019. Përgjithësisht është shënuar rënie për të gjitha llojet e udhëtimeve, ku rënia më e ulët është shënuar për udhëtimet për qëllime personale në Shqipëri.

Kohëzgjatja e udhëtimeve

Sa i takon kohëzgjatjes INSTAT vëren se nëse do të analizojmë shpërndarjen e udhëtimeve sipas kohëzgjatjes së netëve të qëndrimit, udhëtimet e shkurtra (1-3 netë) në Shqipëri zënë një peshë më të madhe (64,6 %) se udhëtimet e gjata (4+ netë). Ndryshe paraqitet situata për udhëtimet e kryera jashtë Shqipërisë ku peshën më të madhe të tyre e zënë udhëtimet e gjata (55,8 %).

Nëse do të analizojmë më në detaj kohëzgjatjen e udhëtimeve sipas qëllimit në Shqipëri dhe jashtë saj, vërejmë se udhëtimet me kohëzgjatje të shkurtër në Shqipëri për “Vizita te të afërm dhe miq” kanë përqendrim më të lartë 88,4 % ndërsa jashtë saj 60,5 % e këtyre udhëtimeve janë kryer për “Pushime dhe kohë të lirë”. Udhëtimet e gjata në Shqipëri janë kryer më së shumti për “Pushime dhe kohë të lirë” 56,4 %, ndërsa për udhëtimet jashtë vendit 68,2 % e udhëtimeve të gjata janë kryer për “Vizita te të afërm dhe miq”. Udhëtimet e kryera për qëllime biznesi kanë kohëzgjatje të shkurtër në Shqipëri (89,5 %) dhe të gjatë jashtë saj (96,6 %)”, thuhet në publikim.

Profili i udhëtarëve

Analizimi i udhëtimeve sipas grup-moshës në vitin 2020, na tregon se përqindjet më të larta të udhëtimeve brenda dhe jashtë Shqipërisë janë kryer nga grup-mosha 25-34 vjeç.

Analizimi i udhëtimeve sipas gjinisë së udhëtarit, në vitin 2020, na tregon se përqindjet më të larta të udhëtimeve brenda Shqipërisë janë kryer nga udhëtaret femra (50,6 %), ndërsa udhëtimet jashtë Shqipërisë janë kryer më shumë nga udhëtarët meshkuj (52,6 %).

Lidhur me kohëzgjatjen e udhëtimeve të analizuar sipas grup-moshave të udhëtarëve, në vitin 2020, vihet re që udhëtimet me kohëzgjatje të shkurtër (1-3 netë) kanë shënuar përqindjen më të lartë për grup-moshën 25- 34 vjeç. Ndërsa udhëtimet me kohëzgjatje të gjatë (4+ netë) janë kryer nga grup-mosha 75+ vjeç.

Pushimet dhe destinacionet e preferuara/ Në verë Durrësi, në dimër Korça

INSTAT nënvizon se në vitin 2020, destinacionet më të preferuara për udhëtime për qëllime personale apo biznesi në Shqipëri janë qarqet: Tiranë (26,3 %), Vlorë (16,1 %), Durrës (14,0 %) dhe Korçë (8,9 %).

Në udhëtimet e kryera jashtë Shqipërie përqindjet më larta janë regjistruar në: Greqi (2,1 %), Kosovë (2,0 %) dhe Itali (1,7 %).

“Nëse do të analizojmë udhëtimet e kryera në Shqipëri përgjatë tremujorëve të shpërndara sipas qëllimit “Pushime dhe kohë e lirë”, vihet re se në tremujorin e parë destinacion kryesor i udhëtimeve ka qenë qarku i Tiranës me 28,9 %, ndërsa udhëtimet që kanë si destinacion kryesor qarkun e Durrësit kanë regjistruar përqindjen më të lartë të udhëtimeve në tremujorin e dytë 39,0 %, dhe për tremujorin e tretë është regjistruar si destinacion i preferuar qarku i Vlorës me 51,9 %.

Udhëtimet me destinacion kryesor qarkun e Korçës kanë shënuar përqindjen më të lartë të udhëtimeve në tremujorin e të katërt përkatësisht 28,1 %.

Në vitin 2020, destinacionet më të preferuara të udhëtimeve të kryera jashtë Shqipërisë për “Pushime dhe kohë të lirë” për tremujorin e parë janë: Italia dhe Mali i Zi, për tremujorin e dytë: Mal i Zi dhe Maqedonia e Veriut, në tremujorin e tretë: Turqia dhe për tremujorin e katërt: Mal i Zi dhe Kosova”.

Udhëtimet sipas llojit të transportit

Rreth 3,1 milionë udhëtime janë kryer nëpërmjet transportit rrugor të cilët përbëjnë 96,4 % të të gjithë udhëtimeve të kryera në vitin 2020. Rritja më e lartë është regjistruar në transportin rrugor nëpërmjet makinave private me 15 pikë përqind” nënvizon INSTAT.

Format e rezervimit

“Në rezervimet e kryera për të gjitha llojet e udhëtimeve të kryera në Shqipëri vihet re se: për rezervimet mbi llojin e transportit dhe format e akomodimit përqindjet më të larta regjistrohen për udhëtimet të cilat kanë si destinacion qarkun Korçë (52,8 % dhe 40,1 %).

Sa i përket udhëtimeve të kryera jashtë Shqipërisë përqindjet më të larta të rezervimeve si për llojin e transportit ashtu dhe për format e akomodimit janë regjistruar për udhëtimet me destinacion: Kosovë dhe Mali i Zi”.

Lexo edhe: Kartoni Jeshil, pasaporta për të udhëtuar jashtë Shqipërisë

spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

REKLAME

spot_img

Me te lexuarat