20.5 C
Tirana
Tuesday, May 5, 2026
spot_img
Faqe KryesoreLajmeAktualitetTregu global i sigurimeve në 2026: kush vepron shpejt, përfiton më shumë

Tregu global i sigurimeve në 2026: kush vepron shpejt, përfiton më shumë

Tregu global i sigurimeve për bizneset hyri në vitin 2026 me kushte të favorshme për klientët.

Aon paralajmëron se rritja e tensioneve gjeopolitike, presioni ligjor dhe rritja e dëmeve mund ta ngushtojnë shpejt këtë avantazh për ata që vonojnë vendimmarrjen.

Sipas raportit “Global Insurance Market Insights” për tremujorin e parë 2026, tregu mbetet i butë dhe konkurrues në shumicën e rajoneve.

Kjo vjen si rezultat i fitimeve të larta të siguruesve dhe kushteve të favorshme në risigurim.

Çmimet kanë rënë nga 1% në 10% në Azi dhe Evropë, dhe nga 11% në 20% në Amerikën Latine dhe rajonin e Paqësorit. Në Amerikën e Veriut, çmimet kanë mbetur të pandryshuara.

Kapaciteti në treg vlerësohet i lartë dhe kushtet e sigurimit janë fleksibël, përveç Amerikës së Veriut, ku kompanitë po tregohen më të kujdesshme. Raporti thekson se bizneset kanë ende mundësi të sigurojnë limite më të larta, mbulim më të gjerë dhe struktura më të forta sigurimi.

Megjithatë, rezultatet po varen gjithnjë e më shumë nga cilësia e riskut, sektori, vendndodhja dhe aftësia për të menaxhuar rreziqet.

Drejtuesi i risk capital në Aon, Joe Peiser-i, thekson se kompanitë duhet të veprojnë menjëherë.

Sipas tij, tensionet gjeopolitike po tregojnë se sa shpejt mund të ndryshojnë kushtet e sigurimit, kapaciteti dhe mbrojtja financiare. Konfliktet, ndërprerjet e zinxhirëve të furnizimit dhe sanksionet po testojnë njëkohësisht tregun dhe kontratat e sigurimit.

Konflikti në Lindjen e Mesme ndikon tregun

Raporti identifikon konfliktin në Lindjen e Mesme si faktorin më destabilizues. Ai po ndikon në çmime, kapacitet dhe interesin e siguruesve në disa linja, si transporti detar, aviacioni, prona, sigurimet kibernetike dhe ato kundër dhunës politike.

Ndërprerjet në rrugët tregtare, përfshirë Ngushticën e Hormuzit, kanë rritur rrezikun në zinxhirët e furnizimit dhe luhatjet e çmimeve të energjisë. Kjo ka sjellë si dëme konkrete, ashtu edhe njoftime paraprake për rreziqe.

Eksperti i Aon për transportin dhe logjistikën, Phil Smaje, thekson se tensionet mes SHBA-së dhe Iranit kanë detyruar siguruesit detarë të rishikojnë kushtet.

Në disa raste, kjo ka ngritur pikëpyetje për vazhdimësinë e mbulimit dhe çmimet, edhe pse tregu mbetet përgjithësisht i qëndrueshëm.

Rritje e presionit nga paditë dhe dëmet

Përveç gjeopolitikës, raporti evidenton rritjen e kostove nga paditë dhe dëmet, sidomos në SHBA.

Vendimet gjyqësore me dëmshpërblime shumë të larta dhe kostot në rritje të mbrojtjes ligjore po ndikojnë negativisht në sigurimet e përgjegjësisë.

Në këtë kontekst, performanca në menaxhimin e dëmeve po bëhet faktor kyç. Kompanitë nuk po fokusohen më vetëm te çmimi, por edhe te aftësia e siguruesit për të reaguar dhe për të paguar dëmet në kohë.

Infrastruktura digjitale, një sfidë e re

Një tjetër zhvillim i rëndësishëm është rritja e ndërtimit të qendrave të të dhënave (data hub-et) në nivel global, e lidhur me inteligjencën artificiale.

Sipas Aon, tregu aktual i sigurimeve nuk është ende i përgatitur për të përballuar këtë kërkesë të re për mbulim risku. Megjithatë, kapitali alternativ pritet të hyjë në treg për të plotësuar boshllëkun.

Drejtuesja globale e ndërmjetësimit në Aon, Cynthia Beveridge, këshillon kompanitë të përfitojnë nga kushtet aktuale.

Ajo sugjeron përdorimin e analizave për të testuar programet e sigurimit dhe eksplorimin e alternativave si zgjidhjet parametrike, sigurimet captive dhe kontratat shumëvjeçare.

Në përfundim, Aon e cilëson fillimin e vitit 2026 si një dritare të kufizuar mundësish. Bizneset që veprojnë tani mund të forcojnë mbrojtjen e tyre dhe të përgatiten për një treg që pritet të bëhet më i ashpër në vijim.

spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

REKLAME

spot_img

Me te lexuarat