Ndryshimet klimatike po shihen gjithnjë e më shumë si një rrezik serioz për shëndetin e njeriut, paralajmëron Insurance Europe përmes një reagimi të fundit të përfaqësuesit të saj, Nikolas Zhanmar (Nicolas Jeanmart).
Në një postim në LinkedIn, Jeanmart-i, drejtues për sigurimet personale dhe të përgjithshme, i referohet edicionit më të fundit të raportit Lancet Countdown Europe, si dhe studimeve të reja që analizojnë ndikimin e drejtpërdrejtë të përqendrimeve të CO2 në organizmin e njeriut.
Sipas këtyre studimeve, rritja e nivelit të CO2 në atmosferë mund të çojë në rritjen e bikarbonatit në gjak, duke ngritur shqetësime për shëndetin. Studiuesit paralajmërojnë se, nëse trendi aktual vazhdon, kufijtë e sigurt mund të tejkalohen brenda 50 viteve të ardhshme.
Jeanmart-i thekson se këto gjetje rrisin urgjencën për uljen e emetimeve të gazeve serrë dhe ndryshojnë mënyrën si duhet parë rreziku klimatik. Sipas tij, ndryshimet klimatike nuk duhet të konsiderohen më vetëm si rrezik fizik për pronat, por si një faktor që prek të gjitha linjat e sigurimit, përfshirë sigurimet e jetës dhe të shëndetit.
Raporti i vitit 2026 i Lancet Countdown Europe evidenton disa zhvillime shqetësuese:
- rritje të ndjeshme të efekteve shëndetësore nga ekspozimi ndaj nxehtësisë,
- pasiguri ushqimore në rritje në Evropë dhe
- përhapje më të lehtë të sëmundjeve infektive për shkak të kushteve klimatike.
Gjithashtu, raporti nënvizon se rreziqet dhe pasojat nuk shpërndahen njësoj, por prekin më fort disa rajone dhe grupe të popullsisë.
Ky zhvillim pritet të ketë ndikim të drejtpërdrejtë edhe në industrinë e sigurimeve, duke zgjeruar konceptin e rrezikut dhe duke kërkuar qasje më të integruara në vlerësimin dhe menaxhimin e tij.




