22.5 C
Tirana
Monday, July 4, 2022
spot_img
Faqe KryesoreLajmeAktualitetSIGAL: Përdorimi i "Bonus-Malus" në kushtet e sotme, i vështirë

SIGAL: Përdorimi i “Bonus-Malus” në kushtet e sotme, i vështirë

Avni Ponari, Drejtor i Përgjithshëm i Sigal Uniqa Group Austria dhe kryetar i Shoqatës së Siguruesve Shqiptarë, mendon se aplikimi i sistemit bonus-malus në kushtet e tregut shqiptar është i vështirë.

Sipas tij, tregu ka problematika të shumta, të lidhura me numrin e lartë të mjeteve të pasiguruara, mungesën e besueshmërisë në përcaktimin e përgjegjësve të aksidenteve apo mungesën e bazave të detajuara të të dhënave, që do të mundësonin përcaktimin e primeve sipas faktorëve të rrezikut.

 

Ligji i ri për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit parashikon mundësinë e aplikimit të sistemit bonus-malus për përcaktimin e primeve të sigurimit TPL. A ka kompania juaj një strategji apo plan për aplikimin e këtij sistemi?

SIGAL UNIQA Group Austria, si kompania më e madhe në tregun e sigurimeve në Shqipëri, me numrin më të lartë të dëmeve të paguara, sipas raporteve të vetë AMF-së, e ka mirëpritur udhëzimin e këtij institucioni për aplikimin e sistemit “bonus-malus” për përcaktimin e primit të sigurimit TPL. Po çfarë është sistemi “bonus malus” dhe si mund të zbatohet në kushtet e vendit tonë, duke qenë se primi i sigurimit është akoma i ulët dhe dëmet në territorin e Shqipërisë janë të larta, rreth 30 mijë në vit, të cilat një pjesë paraqiten pranë kompanive e një pjesë jo.

Dhe duke qenë se sistemet informatike nuk janë akoma aq cilësore sa të përcaktojnë primin e sigurimit për çdo automjet edhe mbi bazën e kritereve të tjera: si mosha e drejtuesit të mjetit, kubikazhi i mjetit, vjetërsia, vendqëndrimi dhe përfshirja në aksidente. Pra, janë disa rrethana që e kërkojnë më përpara se “bonus malusi” të jetë i aplikueshëm dhe pastaj detyrues për çdo klient dhe kompani. Ky projekt është gjithëpërfshirës dhe kërkon nga mbikëqyrësit të ndërtojnë rregulla të qarta për të gjithë operatorët.

E dyta, flitet se në Shqipëri akoma ka 20% të mjeteve të pasiguruara, çka do të thotë që nuk mund të flasësh për një grupim për “bonus-malus” kur mbi 100 mijë makina janë të pasiguaruar, paregjistruara etj etj.

 

Besoni se sistemi bonus-malus mund të aplikohet nga të gjitha kompanitë mbi baza vullnetare? Mendoni se Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare duhet të luajë një rol ndihmues apo koordinues në aplikimin eventual të këtij sistemi?

Udhëzimi i AMF-së, që krijonte mundësinë e aplikimit vullnetar të bonus-malus nga kompanitë e sigurimeve ka hyrë në fuqi që në 1 prill 2019. Pra, ka kaluar diçka më shumë se 2 vjet dhe ende nuk kemi zbatim të sistemit “bonus-malus” në vendin tonë. Para se ky sistem të fillojë zbatimin duhet të jetë përgatitur një infrastrukturë e saktë, të mos ketë asnjë makinë të pasiguruar, çdo dëm të hidhet në sistem dhe çdo kompani duhet të ketë akses në të dhënat e çdo klienti për një periudhë minimale prej 5 vitesh dhe të jetë transparent dhe i aksesueshëm nga të gjithë operatorët.

Ne, sot i kushtojmë më shumë rëndësi Fondit të Kompensimit dhe përfituesve të pasiguruar se sa policëmbajtësve dhe atyre që janë korrektë në performancën e tyre. Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare jo vetëm që duhet të luajë një rol ndihmues dhe koordinues, por ai duhet të ndjekë procesin deri në fund me të gjitha kërkesat, duke përgatitur dhe manualet për përgjegjësitë e çdo drejtuesi mjeti.

 

Mendoni se sistemi bonus-malus mund të jetë një faktor që do të përmirësonte sjelljen e drejtuesve të mjeteve, duke ndikuar në uljen e numrit të aksidenteve?

Ky sistem po bie edhe në Europë pasi nuk është i lehtë të ndiqet, ndonëse disa vende e aplikojnë dhe e ndjekin me kujdes pasi kanë ndërtuar sisteme informatike me të dhëna të aksesueshme për çdo klient. Roli i mbikëqyrësit në këtë rast është shumë i madh.

Problemi është se, ne kemi shumë probleme edhe në përcaktimin e fajësisë. Ne godasim shoferët për shpejtësi në rrugë, ndërsa nuk i fajësojmë kur ka aksident. Ndryshimi i fajësisë e ka dëmtuar shumë imazhin e Policisë, pasi ai deformon të drejtën që duhet të jetë e saktë dhe në rrugë dhe të ndëshkojë fajtorin. Jo kush ka sigurim Kasko apo mini-Kasko.

Më pas, edhe vlerësimi i dëmit të shkaktuar duhet të jetë i saktë pasi ai që nuk ishte fajtor një vit më parë ndëshkohet vitin e dytë me prim shtesë për shkak se polici mbajti qëndrim të gabuar.

Nuk duhet harruar që në shtatë muajt e parë të këtij viti ka pasur një bilanc tragjik nga aksidentet në rrugët e vendit. Të dhënat e publikuara nga INSTAT konfirmojnë se deri në fund të korrikut numri i të vdekurve nga aksidentet rrugore është 118 persona nga 88 viktima në të njëjtën periudhë të një viti më parë, duke shënuar një rritje të frikshme me 34%.

 

Në vitin 2019, AMF miratoi një udhëzim për të mundësuar aplikimin e sistemit bonus-malus mbi baza vullnetare nga kompanitë e sigurimit. Pse ky udhëzim nuk funksionoi dhe bonus-malus nuk është aplikuar deri më sot?

E thashë më sipër. Ky sistem është realisht i rëndësishëm me shumë hallka, të cilat duhen lidhur për të nxjerrë një produkt të saktë që i shërben në fund të fundit vetë klientëve. Nuk duhet të ketë mjete të pasiguaruara. Ky është thelbi. Pasi ai që mund të shkojë të marrë siguracion me prim më te lartë, më mirë nuk sigurohet fare. Pra, që këtu bie interesi për “bonus-malus”.

 

Gjykoni se në tregun shqiptar ekzistojnë pengesa të tjera objektive për të përdorur sistemin bonus-malus në përcaktimin e primeve të sigurimit TPL?

Natyrisht të gjitha ato që thamë më lart janë të domosdoshme dhe të gjitha kanë rëndësinë e tyre. Ne i ofrojmë klientëve tanë edhe një mbulim shtesë brenda vlerës së primit të TPL, e cila, në fund të fundit është një bonus i madh për të gjithë klientët, janë apo jo fajtorë në aksident. Dhe përfituesit kanë qenë të shumtë. Gjatë dy viteve të fundit janë përfituar mbi 400 milionë lekë.

spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

REKLAME

spot_img

Me te lexuarat