11.5 C
Tirana
Sunday, April 28, 2024
spot_img
Faqe KryesoreLajmeAktualitetRritja e pagave/ "Raiffeisen Research": Mund të nxisë presione të reja inflacioniste...

Rritja e pagave/ “Raiffeisen Research”: Mund të nxisë presione të reja inflacioniste në ekonomi

Rritjet e njëpasnjëshme të pagave që po aplikon qeveria shqiptare mund të nxisin presione të reja inflacioniste në ekonomi dhe të ulin efektivitetin e lëvizjeve të politikës monetare.

Në analizën e fundit për ekonominë shqiptare, Raiffeisen Research, njësia e kërkimeve e grupit bankar Raiffeisen, parashikon që inflacioni në Shqipëri do të vazhdojë të jetë sipër objektivit të bankës qendrore edhe për vitin 2023 dhe kjo pritshmëri kushtëzohet edhe nga rritjet e pagave.

Ne parashikojmë që inflacioni dhe inflacioni bazë të qëndrojnë mbi objektivin gjatë vitit 2023. Këto pritshmëri mbështeten nga rritjet e vazhdueshme të pagës minimale dhe rritjet dyshifrore të pagave.

Qeveria vendosi që një rritje e pagës minimale do të zbatohet duke filluar nga prilli 2023, ndërsa lajmet e fundit tregojnë se një tjetër rritje e pagës minimale duhet të pritet vitin e ardhshëm. Këto rritje mund të pengojnë efektivitetin e politikës monetare në zbutjen e inflacionit.

Rritja e pagave do të nisë në prill për punonjësit e shëndetësisë, arsimit dhe sigurisë, ku përfshihen policia e shtetit, punonjësit e burgjeve dhe zjarrfikësit. Pjesa tjetër e sektorit publik do të ketë rritje pagash pas miratimit të ligjit nga parlamenti.

Në përgjithësi, përmes rritjes së pagës minimale, reformës së pagave dhe rritjes së mundshme të pagave nga sektori privat, qeveria pret që paga mesatare të arrijë në 900 euro deri në vitin 2024 dhe një rritje e tillë do të nënkuptonte një rritje të paprecedentë prej përafërsisht 50% nga nivelet aktuale prej rreth 580 euro në tremujorinm IV 2022,” thuhet në analizën e Raiffeisen Research.

Analiza vlerëson se Shqipëria ka arritur të dalë relativisht e padëmtuar nga vala dramatike e rritjes së çmimeve që ka përfshirë Evropën në dy vitet e fundit.

Megjithatë, edhe pse inflacioni u ngadalësua për të pestin muaj radhazi në mars (në 5.3% vjetor, nga 7.1% vjetor në shkurt), Raiffeisen Research gjykon se kjo ende nuk është një rënie e mjaftueshme për të ndaluar rritjet e mëtejshme të normës bazë të interesit.

Ngadalësimi erdhi kryesisht nga çmimi i grupit të transportit, i cili u ul me 7.5% në terma vjetorë dhe kontribuoi me -0.5 pikë përqindje në muajin mars, për shkak të lehtësimit të mëtejshëm të çmimeve të karburanteve.

Inflacioni i transportit reflektoi një efekt të fortë bazë, pasi konflikti gjeopolitik dhe kriza e energjisë shkaktuan një rritje të konsiderueshme të çmimeve të karburanteve në Shqipëri gjatë të njëjtës periudhë të vitit të kaluar.

Nga ana tjetër, çmimet e ushqimeve vazhduan të zgjerohen me rritje dyshifrore dhe u rritën me 11% në terma vjetorë (në rënie nga 13.5% në terma vjetorë në shkurt) dhe kontribuan me 3.9 pikë përqindjeje. Çmimet e banesave, ujit dhe energjisë elektrike dhe çmimet e mobilimit kanë kontribuar pozitivisht gjithashtu me përafërsisht. 0,5 pikë përqindje secila.

Në mbledhjen e politikës monetare të mbajtur në muajin mars, Banka e Shqipërisë rifilloi ciklin shtrëngues, me një rritje prej 25 pikësh bazë dhe tani norma bazë qëndron në 3%. Në deklaratën e BSH-së theksohet se presionet e brendshme inflacioniste mbeten të larta, të lidhura me rritjen e shpejtë të pagave dhe kostove të prodhimit, kërkesën e lartë për mallra dhe shërbime dhe rritjen e pritjeve inflacioniste.

Sipas mendimit të Raiffeisen Research, inflacioni i lartë bazë, rritja e mundshme e pagave dhe rritja e shpenzimeve përpara zgjedhjeve bashkiake të këtij viti do të rrisin më tej presionet inflacioniste dhe do ta detyrojnë bankën qendrore të vijojë kursin e shtrëngimit monetar.

Sjellja e politikës monetare të Bankës së Shqipërisë historikisht ka anuar drejt një qëndrimi të shtrënguar. Kjo është justifikuar me norma shumë të larta inflacioni pas rënies së komunizmit, të cilat shkaktuan një zhvlerësim të fortë të lekut dhe rrjedhimisht të kursimeve të popullsisë. Megjithatë, pas krizës financiare greke, ekonomia u zhvendos në një shpejtësi më të ulët me inflacion të vazhdueshëm nën objektivin prej 3% të vendosur nga banka qendrore.

Së fundmi, Banka e Shqipërisë ka kaluar në një qasje më akomoduese dhe ka pasur një pamje më të relaksuar në krahasim me vendet e tjera. Norma bazë nuk ka arritur ende nivelin neutral, megjithëse inflacioni bazë është më shumë se dyfishi i objektivit të tij. Ky qëndrim do të testohet më tej në dy vitet e ardhshme kur rritja e mprehtë e pagave do t’i shtojë “benzinë” “zjarrit” të inflacionit të brendshëm, i cili mbetet rezistent.

Ne besojmë se Banka Qendrore do të angazhohet për rritje të mëtejshme të normës bazë në periudhat në vijim, por në funksion të një qëndrimi më të relaksuar të BSH-së, parashikimet tona tregojnë tashmë se norma bazë do të arrijë nivelet deri në 3.75% në fund të 2023 kundrejt 4.25% e supozuar më parë,” thuhet në analizë.

spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

REKLAME

spot_img

Me te lexuarat