8.5 C
Tirana
Friday, April 19, 2024
spot_img
Faqe KryesoreLajmeAktualitetNdikimet e Inteligjencës Artificiale gjeneruese në sistemin shëndetësor

Ndikimet e Inteligjencës Artificiale gjeneruese në sistemin shëndetësor

Pavarësisht rritjes së vështirësive që sfidojnë sistemin shëndetësor, Inteligjenca Artificiale gjeneruese ndriçon si një far shprese. Me një mundësi tregu me vlerë kolosale 6 trilionë dollarë, sipas Morgan Stanley, është e pamundur të mos marrësh në konsideratë ndikimin që do të ketë kjo teknologji.

Inteligjenca Artificiale gjeneruese nuk është vetëm një tendencë kalimtare, por një ekosistem mjetesh në evolucion të shpejtë që po përhapet dhe ka potencial të madh për të revolucionarizuar sistemin shëndetësor në mënyra që nuk i kemi parë kurrë më parë.

Kjo teknologji shkon përtej thjesht ChatGPT dhe mund të menaxhojë lloje të ndryshme të dhënash, si tekste, imazhe, audio, video, modele 3D dhe madje edhe kodifikimin.

Edhe pse disa vlerësime sugjerojnë se ajo mund të rrisë PBB globale me 7% në 10 vjet, zbatimet potenciale të IA gjeneruese shkojnë përtej fitimeve të thjeshta ekonomike.

Pika e përkuljes – Pse është e rëndësishme të përballemi me të

Bota jonë po përballet me shumë sfida të sistemit shëndetësor. Me një incidencë në rritje të pandemive, rritjen e sëmundjeve kronike, problemeve të shëndetit mendor dhe plakjen e shpejtë të popullsisë, sistemi shëndetësor po lufton për të ruajtur të njëjtin hap me rritjen e kërkesës për shërbime shëndetësore me cilësi të lartë.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, probabiliteti që një person të lëndohet gjatë një udhëtimi me avion është 1 në 1 milion.

Për krahasim, probabiliteti që një person të lëndohet gjatë rrugëtimit të pacientit është 1 në 300. Ndër të tjera, raportohet se deri në 50% të të gjithë gabimeve mjekësore në kujdesin shëndetësor ndodh për arsye administrative.

Mungesa globale e personelit i përkeqëson më tej këto probleme. OBSH vlerëson se deri në vitin 2030, sistemit do t’i mungojnë 10 milionë punonjës shëndetësorë, veçanërisht në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme, duke e bërë gjithnjë e më të vështirë ofrimin e kujdesit për këdo që ka nevojë.

Zbatimet e IA gjeneruese në kujdesin shëndetësor

  1. Procesi i vendimmarrjes klinike

Inteligjenca Artificiale gjeneruese po ndihmon mjekët dhe profesionistët e fushës të bëjnë diagnoza të sakta. Inteligjenca Artificiale gjeneruese mund të analizojë të dhënat e kartelave klinike, rezultatet laboratorike, trajtimet e mëparshme dhe imazhet mjekësore, si rezonancat magnetike dhe radiografi, për të identifikuar problemet e mundshme dhe të këshillojë analiza apo trajtime.

Një shembull që vërteton këtë aftësi është Glass.Health, i cili ka krijuar një mjet të IA gjeneruese, i aftë të japë diagnoza dhe plane klinike bazuar në të dhënat e simptomave.

2. Parashikimi i rrezikut të parandalimit të pandemive

Sipas National Geographic, në univers ekzistojnë më shumë viruse se yje dhe, mesatarisht, çdo vit zbulohen rreth dy specie të reja virusesh njerëzore. Siç pamë në pandeminë e fundit globale, një virus i ri, që mund të transmetohet nga një njeri te tjetri, pa imunitet paraprak, mund të përshkallëzohet me shpejtësi në një pandemi, duke shkaktuar miliona vdekje.

Modelet gjeneruese të Inteligjencës Artificiale janë shfaqur si një burim jetik i njohurive për shkencëtarët që studiojnë pasojat në shkallë sociale të ngjarjeve katastrofike, si pandemitë e reja dhe marrja e masave parandaluese.

Për shembull, modele të reja të IA gjeneruese janë trajnuar në sasi të mëdha sekuencash të proteinave për të identifikuar antitrupa, që mund të luftojnë sëmundjet infektuese dhe të ndihmojnë në përgjigjen ndaj epidemive.

3. Ilaçe dhe kura të personalizuara

Aftësia për të ofruar kujdes të personalizuar është thelbësore në tablonë e sotme të sistemit shëndetësor. Pajisjet wearable mbledhin të dhëna të vazhdueshme dhe në kohë reale mbi treguesit e shëndetit të pacientit, si për shembull ritmi kardiak, niveli i oksigjenit dhe glukozës në gjak.

Të dhënat mund të përfshihen në algoritmet e IA gjeneruese, që mund t’i analizojnë dhe interpretojnë ato dhe të ofrojnë këshilla dhe mundësi trajtimi të personalizuar.

Në këtë mënyrë, IA mund të përdoret për të trajtuar sëmundjet e zbuluara nga pajisjet wearable, si për shembull, sëmundjet kardiovaskulare. Duke përdorur pajisjet wearable dhe pajisjet e monitorimit në shtëpi me IA gjeneruese, punonjësit shëndetësorë mund të largohen nga modeli tradicional reaktiv i kujdesit shëndetësor drejt një model proaktiv.

4. Përmirësimi i zbulimit dhe zhvillimi i medikamenteve

IA gjeneruese ka treguar rezultate premtuese në zbulimin dhe zhvillimin e medikamenteve. Një shembull i dukshëm është Insilico Medicine, një kompani e cila ka zhvilluar një platformë të IA gjeneruese e quajtur GENTRL.

Ajo përdoret për të krijuar medikamente të reja për sëmundje si fibrozat dhe tumoret. Rezultatet janë të jashtëzakonshme dhe përbëjnë një ndryshim të rëndësishëm për sektorin, që tradicionalisht është mbështetur te metodat e vjetra.

/World Economic Forum

spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

REKLAME

spot_img

Me te lexuarat