16.5 C
Tirana
Friday, October 4, 2024
spot_img
Faqe KryesoreLajmeAktualitetMinistri i Financave në konferencën e parë për mediat: Sfidë, çështja e...

Ministri i Financave në konferencën e parë për mediat: Sfidë, çështja e pensioneve

Në konferencën e parë për median si ministër i Financave, Petrit Malaj prezantoi sfidat dhe prioritetet e tij në krye të këtij dikasteri, si dhe treguesit financiarë dhe ekonomikë nga janari deri sot.

Ministri Financava sqaroi se ecuria e financave ka qenë pozitive në 7 muajt e këtij viti. Ndërkohë  deri në fund të vitit parashikohet ulje e nivelit të borxhit me 0.7 % krahasuar me vitin 2023, duke çuar atë në nivelin 58.2 %

Sfidë personale e tij por dhe e qeverisë mbetet adresimi i cështjes së pensioneve.

 

Ai premtoi se brenda tetorit do të përcaktohet një zgjidhje.

 

Sfidë personale do të jetë adresimi i çështjeve të pensioneve, një çështje që na përket të gjithëve, pa ngjyrim majtas apo djathtas. Po punojmë edhe me Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit për të gjithë skemën e pensioneve, e cila nuk është në ditët më të mira të saj. Na duhet një skemë vizibile që siguron pesione më të larta për njerëzit. Problem është skema aktuale e pensioneve që do të duhet ta rishikojmë.  Kemi ngritur grupet e punës dhe po punojmë me ekspertë të Bankës Botërore”, tha ai.

 

Mbi 700 mijë pensionistë në Shqipëri, shumë prej të cilëve pasi kanë punuar rreth katër dekada, të ardhurat nuk u mjaftojnë as për nevojat e përditshme elementare.

 

Sipas të dhënave të Institutit të Sigurimeve Shoqërore (ISSH), pensioni mesatar në vend përllogaritet në 15,600 lekë. Ky nivel është sa 39% e pagës minimale dhe 20% e pagës mesatare.

 

Në vitin 2022, Banka Botërore e rishikoi minimumin e varfërisë sipas rajoneve, duke e indeksuar këtë normë në rastin e Shqipërisë në 6.85 dollarë në ditë, çka në muaj rezulton në 205 dollarë. Kjo do të thotë që mesatarja e pensioneve në Shqipëri tashmë është zyrtarisht poshtë nivelit ndërkombëtar të varfërisë.

 

Por një pjesë e pensionistëve marrin shumë më pak se kaq. Bëhet fjalë për të moshuarit e zonave rurale. Sipas ISSH-së, pensioni në fshat është vetëm 10,888 lekë dhe ai në qytet 18,615 lekë.

 

Niveli i ulët i pensioneve është pasojë e drejtpërdrejtë e situatës së vështirë në të cilën ndodhet skema e pensioneve në Shqipëri. Një skemë deficitare, e cila gjithmonë e më shumë po kërkon mbështetje financiare nga buxheti i shtetit, duke qenë një barrë e drejtpërdrejtë mbi taksapaguesit shqiptarë.

 

Emigrimi masiv dhe i pandalshëm gjatë dekadave të fundit, ulja e numrit të lindjeve dhe rritja e jetëgjatësisë së të moshuarve, janë faktorët kryesorë që ndikojnë te gremisja graduale dhe e ‘qëndrueshme’ e skemës së pensioneve në Shqipëri.

 

Sipas Censit 2023, popullsia llogaritet në 2.4 milionë banorë, ose 420 mijë më pak se rreth një dekadë më parë. Kjo do të thotë se gjatë periudhës me realizimit të dy censeve, vendi ka humbur mesatarisht 35 mijë banorë në vit. Ndërkohë, mosha mesatare, në fund të 2023-it llogaritet në 42.5 vite, nga 35.3 vite që ishte në Censin 2011, duke rezultuar në një plakje të Shqipërisë prej 7.2 vitesh gjatë periudhës në fjalë.

 

Të dy këta tregues kanë efekt të drejtpërdrejtë në skemën e pensioneve, duke ulur numrin e kontribuuesve dhe rritur atë të përfituesve, thënë ndryshe, të pensionistëve.

 

 

Çfarë thonë ekspertët?

 

Sipas ekspertëve të fushës, Shqipëria ka nevojë për një reformë të plotë, e cila dijet të jetë një skemë pensionesh me tri shtylla: pensioni shtetëror, pensioni privat i detyrueshëm dhe pensioni privat vullnetar.

 

Një skemë të tillë e aplikojnë prej vitesh vendet e zhvilluara europiane por edhe disa nga rajoni i Ballkanit.

 

“Këto tri shtylla i kanë të gjitha vendet e zhvilluara të familjes së madhe të Bashkimit Evropian ku po shkojmë, por edhe disa vende të rajonit. Duhet ta kuptojmë sot shumë qartë që, në nivel të grupeve të popullsisë, armatën më të madhe nuk e përbëjnë më fëmijët deri në moshën 18 vjeç, as të rinjtë 18-35 vjeç, por pensionistët mbi 65 vjeç. Të tillë kemi sot mbi 600 mijë veta! Në tërësi, pensionistët e regjistruar dhe që marrin pension të plotë ose të pjesshëm te ne, tani që flasim janë 717 mijë veta. Duke pasur ne një pension mesatar 187 euro, buxhetit të shtetit i duhet të ndajë çdo vit 1,34 miliardë euro për të përballuar pensionet. Nga këto para, pagesat e sigurimeve shoqërore kontribuojnë me vetëm rreth 900 milionë euro. Pjesa tjetër, 434 milionë euro, është deficit kronik i skemës sonë publike të pensioneve, i cili përballohet nga taksat tona. Në nivel të raportit mes deficitit të pensioneve dhe të ardhurave buxhetore, jemi shteti me raportin më të lartë në rajon dhe ndoshta në të gjithë Evropën.

 

 

Kjo skemë ka funksionuar në vende shumë të ngjashme me ne për nga të ardhurat dhe fuqia blerëse e popullsisë, sikurse është Maqedonia e Veriut. Maqedonasit patën kurajën ta nisnin këtë reformë që në vitin 2005. Tani, gati dy dekada më vonë, pensioni mesatar në Maqedoninë e Veriut është 350 euro, ose gati dy herë më i lartë se tek ne.

 

Nëse, nëpërmjet pensionit privat të detyrueshëm, ti si qytetar merr vesh se pensionit tënd do t’i shtohen qoftë edhe 20 mijë lekë të vjetra në muaj, ngaqë me ligj qeveria pranon të japë vetëm 3 për qind nga 900 milionë eurot e të ardhurave të sigurimeve shoqërore kompanive private të sigurimit, atëherë të ngjallet brenda vetes një shtytje e madhe për ta rritur këtë shumë. Dhe përmes ofertave të këtyre kompanive private, ti edhe mund ta pesëfishosh atë, duke kontribuar çdo muaj me diçka. Ne kemi sot dhe do të vijojmë ta kemi plagën më të madhe ekonomike në deficitin e skemës së pensioneve shtetërore. Duhet të mendojmë fort seriozisht e me shumë kurajë se si ta përballojmë atë.

 

Duhet të kemi një kuadër ligjor që favorizon me taksa më të ulëta kompanitë private dhe ato shtetërore sha (shoqëri aksionere), që i shtyjnë punonjësit e tyre të investojnë për skemën e pensionit që në vitet e para të punës. Pjesën më të madhe të popullsisë e kemi të punësuar në privat, por një pjesë jo e vogël, mbi 340 mijë veta, është e vetëpunësuar në bujqësi. Për ketë sektor duhet të mendojmë nxitje të veçantë për skemat e pensioneve”, shkruante në një artikull gazetari i ekonomisë Fatos Çoçoli.

 

Sipas tij, nëse kjo realizohet, mund të arrijmë në pak vite shifrën e sotme të Maqedonisë së Veriut me një pension mesatar 350 euro në muaj.

 

 LEXO EDHE: “Monitor”: Fondet e pensionit, ligji i ri rrit stimujt për të investuar

spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

REKLAME

spot_img

Me te lexuarat