Është promovuar ditën e djeshme, në Ditën e Rinisë dhe të Lëvizjes së Dhjetorit ’90, libri “Midis krimeve dhe mirazheve”, i shkrimtarit Besnik Mustafaj.

Autori është ndër emrat e parë të intelektualëve që iu bashkuan dhe drejtuan protestën studentore të ‘90.

Ndërkohë, në promovimin e librit, ish kryeministri Sali Berisha ndër të tjera do të shprehej:

“Librat e mirë janë si qenie të gjalla, madje herë-herë edhe mbitokësore. I tillë është për mua “Midis krimeve dhe mirazheve” i shkrimtarit të mirënjohur Besnik Mustafaj. Ky është libri që më përpin si rrallë ndonjë tjetër. Kjo para së gjithash për rëndësinë përcaktuese të ngjarjeve në historinë e një vendi dhe të një kombi që u kushtohet, por edhe për vërtetësinë, forcën e përshkrimit dhe analizës së këtyre zhvillimeve nga autori. 

Librat janë, nuk ka asgjë që të jenë, asnjë univers më i gjallë se libri nuk është.

Në këtë kuptim ‘Midis krimeve dhe mirazheve’ i Besnik Mustafës, është një univers i jashtëzakonshëm, i pasur me jetë, ngjarje, zhvillime nga dy botë. Një botë që po vdiste dhe një botë tjetër që po lindte, një epokë që po shkonte dhe një epokë që po vinte”.

“Ky është botimi i fundit dhe përfundimtar i esesë time “Midis krimeve dhe mirazheve”, nën kujdesin e Onufrit. Sipas radhës, është botimi i gjashtë. Kësaj here, Sali Berisha, me cilësinë e protagonistit të ngjarjeve të vrullshme historike të treguara në libër, ka shkruar posaçërisht për Onufrin një parathënie shumë domethënëse. Po ashtu djali im i madh, Dardani, shprehu dëshirën të shkruante një pasthënie. Si unë edhe botuesi Bujar Hudhri e pranuam këtë qasje, ani pse për mua ky do të ishte njëfarë ushtrimi frojdist, ku babai i nënshtrohet gjykimit të birit. Në fjalë të fundit, besoj se parathënia ashtu si edhe pasthënia ia shtojnë vlerën librit”, deklaroi autori Besnik Mustafaj.

Kush është autori?

Besnik Mustafaj është poet, romancier, eseist, autor i disa librave për fëmijë. Pjesë e aktivitetit të tij ka qenë edhe politika dhe diplomacia

Ai lindi në qytetin e Bajram Currit, më 1958, ndërsa kreu studimet e larta për gjuhë dhe letërsi frënge në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja të Universitetit të Tiranës, më 1982.

Nga viti 1992-1997 shërbeu si ambasador i Shqipërisë në Francë, ndërsa në vjeshtë të vitit 2005 u emërua ministër i Punëve të Jashtme të Shqipërisë.

Prej disa kohësh ai ka hequr dorë nga politika dhe i është përkushtuar tërësisht krijimtarisë letrare.

Vepra e tij letrare përfshin poezi, tregime, proza për fëmijë, ese, skenarë filmash, romane dhe përkthime.

Besnik Mustafaj është vlerësuar nga kritika shqiptare dhe e huaj si një nga autorët më përfaqësues të letërsisë moderne shqipe. Botimet Toena gëzon të drejtën e paraqitjes të të gjithë veprës së tij në shqip dhe po punon për rikthimin në vëmendjen e lexuesit të librave të tij që mungonin prej kohësh nëpër librari. Në katalogun tonë kanë zënë vend esetë e tij politike “Midis krimeve dhe mirazheve” dhe “Bishti i Kometës”; ditari diplomatik “Fletorja rezervat”, përmbledhja e përkthyer me poezi të zgjedhura nga Nazmi Hikmet “Barra e shenjtë”, si dhe romanet “Boshi” dhe “Daullja prej letre”.