Siguria në punë vijon të mbetet një sfidë reale, si në Bashkimin Evropian ashtu edhe në Shqipëri.
Edhe pse në BE numri i aksidenteve jofatale ka pësuar rënie gjatë dekadës së fundit, sektorë si ndërtimi, transporti dhe industria përpunuese mbeten me risk të lartë.
Në Shqipëri, situata paraqitet edhe më shqetësuese: vetëm gjatë vitit të fundit u regjistruan qindra aksidente në punë, me dhjetëra viktima, ndërsa bizneset u përballën me gjoba të konsiderueshme për shkelje të standardeve të sigurisë.
Këto të dhëna tregojnë qartë se aksidentet në punë nuk janë vetëm një problem social, por edhe një kosto e drejtpërdrejtë ekonomike për bizneset, përmes ndërprerjeve të aktivitetit, humbjes së produktivitetit dhe penaliteteve financiare.
Në këtë realitet, sigurimi nga aksidentet në punë po merr një rol gjithnjë e më të rëndësishëm.
Me një kosto relativisht të ulët vjetore, bizneset dhe individët mund të përfitojnë mbulim të konsiderueshëm financiar në rast dëmtimi, duke përfshirë kompensime të larta dhe mbulim për trajtime spitalore.
Më shumë sesa një shpenzim, sigurimi duhet parë si një investim strategjik: ai mbron punonjësit, stabilizon financat e biznesit dhe redukton ndikimin e papritur të ngjarjeve të rrezikshme.
Në një treg pune ku risku mbetet i pranishëm, sigurimi nga aksidentet nuk është më luks, por një domosdoshmëri.
Bashkimi Evropian
Në vitin 2023, në Bashkimin Evropian u regjistruan 2.82 milionë aksidente jo-fatale në punë, duke treguar një rënie prej 3.8% krahasuar me vitin 2013 (2.94 milionë). Norma e incidencës ishte 1,393 aksidente jo-fatale në punë për çdo 100,000 të punësuar, nga 1,686 që ishte në vitin 2013.
Ndër 21 aktivitetet ekonomike, norma më e lartë e incidencës u shënua në sektorin e ndërtimit, me 2,899 aksidente jo-fatale në punë për çdo 100,000 të punësuar. Ky sektor pasohet nga furnizimi me ujë, kanalizimet, menaxhimi i mbetjeve dhe aktivitetet e rehabilitimit (2,819), si dhe transporti dhe magazinimi (2,366).
Dhjetë aktivitetet me normat më të larta të incidencës përfshijnë gjithashtu: aktivitetet administrative dhe të shërbimeve mbështetëse (2,043 aksidente për 100,000 të punësuar), nxjerrjen e mineraleve dhe guroret (1,834), industrinë përpunuese (1,687), artin, argëtimin dhe rekreacionin (1,646), bujqësinë, pylltarinë dhe peshkimin (1,610), shëndetin njerëzor dhe aktivitetet e punës sociale (1,507), si dhe akomodimin dhe shërbimet e ushqimit (1,468).
Midis viteve 2013 dhe 2023, normat e incidencës kanë rënë në të gjitha këto 10 aktivitete ekonomike, me përjashtim të sektorit të shëndetit njerëzor dhe punës sociale, i cili regjistroi një rritje të lehtë nga 1,502 në 1,507 aksidente jo-fatale për 100 000 të punësuar. Rënia më e madhe u regjistrua në aktivitetet administrative dhe të shërbimeve mbështetëse (-576 aksidente jo-fatale për 100,000 të punësuar).
Shqipëria
Gjatë vitit 2025 në Shqipëri u vendosën 268 gjoba me vlerë totale 64.5 milionë lekë për shkelje të sigurisë në punë. Në vitin e kaluar u regjistruan 275 aksidente, me 212 të lënduar dhe 48 viktima. Kontrollet për shkak aksidenti u rritën me 23%, ndërsa shkalla e raportimit arriti në 96%. Në total u inspektuan 9,532 subjekte dhe mbi 205 mijë vende pune, duke treguar përhapje të gjerë të problemit dhe kosto të drejtpërdrejta për bizneset
Sigurimi nga aksidentet
Sigurimi nga Aksidentet mbulon paaftësinë e përkohshme, paaftësinë e përhershme ose humbjen e jetës si pasojë e aksidenteve të ndryshme, duke ndihmuar në përballimin e situatave urgjente dhe shpenzimeve të paparashikuara.
Ofrohet për kategori të ndryshme:
Nxënës dhe studentë
Sportistë
Punonjës
Përfshihet edhe sigurimi vullnetar për drejtuesit e mjeteve motorike, me mbulim deri në 5 milionë lekë, ku parashikohet dëmshpërblim 3 milionë lekë në rast vdekjeje ose paaftësie të përhershme të plotë, si dhe dëmshpërblim proporcional për paaftësi të pjesshme.




