Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, AON Reinsurance dhe Shoqata e Siguruesve të Shqipërisë do të mirëpresin në Tiranë Forumin ndërkombëtar mbi manaxhimin e rreziqeve nga katastrofat natyrore dhe modelet efektive të sigurimit dhe risigurimit për mbulimin e tyre, në nivel global.
Forumi, i cili do të zhvillohet më 14 maj, organizohet në bashkëpunimin me AON Reinsurance dhe Shoqata e Siguruesve të Shqipërisë, duke sjellë në një platformë të përbashkët ekspertizën ndërkombëtare, institucionet publike dhe industrinë e sigurimeve.
Në event do të marrin pjesë përfaqësues të lartë të institucioneve qeveritare dhe politikëbërës, drejtues të autoriteteve mbikëqyrëse nga rajoni, përfaqësues të industrisë së sigurimeve dhe risigurimeve, si dhe ekspertë ndërkombëtarë nga AON Reinsurance dhe Hannover Re, përfshirë përfaqësues me përvojë në modele të sigurimit ndaj rreziqeve natyrore nga Italia, Rumani, krahas aktorëve të tjerë ndërkombëtarë dhe partnerë zhvillimi.
Diskutimet do të fokusohen në praktikat më të mira ndërkombëtare për menaxhimin dhe transferimin e rrezikut nga fatkeqësitë natyrore, përdorimin e modeleve të riskut dhe zhvillimin e mekanizmave të qëndrueshëm të sigurimit dhe risigurimit.
Një vëmendje e veçantë do t’i kushtohet vlerësimit të alternativave për zhvillimin e skemave të përshtatshme për tregun shqiptar, në funksion të rritjes së mbrojtjes financiare dhe përmirësimit të rezistencës ndaj rreziqeve komplekse, përfshirë katastrofat natyrore.
Forumi synon gjithashtu të forcojë bashkëpunimin ndërinstitucional dhe ndërkombëtar, si dhe të nxisë një dialog të strukturuar mbi ndërtimin e një kuadri më të integruar për menaxhimin e rreziqeve natyrore në Shqipëri.




