5.5 C
Tirana
Sunday, December 8, 2024
spot_img
Faqe KryesoreLajmeAktualitetAlternativa investimi/ Obligacionet 15-vjeçare, kuponi arrin në 8.39%

Alternativa investimi/ Obligacionet 15-vjeçare, kuponi arrin në 8.39%

Ministria e Financave zhvilloi këtë javë ankandin e dytë të obligacioneve me maturim 15-vjeçar, instrumenti më afatgjatë i borxhit i emetuar ndonjëherë nga qeveria shqiptare.

Ashtu siç pritej, yield-et vijuan rritjen dhe shënuan nivelet më të larta në historinë afërsisht 10 mujore të ktyre instrumenteve.

Sipas informacionit nga Banka e Shqipërisë, yield-i uniform i pranuar dhe kuponi i obligacioneve 15 vjeçare rezultoi 8.39%, nga 7.5% që kishte qenë kuponi indikativ i paraqitur në shpallje të ankandit nga Ministria e Financave.

Interesi i investitorëve në ankand u shfaq relativisht i lartë. Nga 1 miliardë lekë që ishte shuma e shpallur për financim, në ankand u paraqitën kërkesa totale në vlerën e pothuajse 1.8 miliardë lekëve. Ministria e Financave vendosi të rrisë shumën e huamarrjes me limitin e lejuar prej 15% të shumës së shpallur paraprakisht dhe vlera e pranuar arriti në 1.15 miliardë lekë.

Obligacionet 15-vjeçare ishin një mundësi e mirë për investitorët institucionalë, si bankat apo fondet e investimit dhe sidomos ato të pensioneve, që synojnë të rrisin kthimet afatgjata të portofoleve të tyre. Por, obligacionet 15-vjeçare me siguri kanë qenë një alternativë joshëse edhe për investitorët e vegjël. Në muajt e fundit, hendeku mes normave të interesit të depozitave dhe yield-eve të instrumenteve të qeverisë është rritur ndjeshëm.

Tregu i bonove dhe obligacioneve i reflekton shumë shpejt lëvizjet në kahun e politikës monetare. Nga ana tjetër, normat e interesit të depozitave e përcjellin këtë efekt në mënyrë më të ngadaltë dhe graduale. Kjo situatë mund të shtyjë shumë depozitues që t’i zhvendosin kursimet e tyre drejt tregut të bonove dhe obligacioneve, me qëllim për të siguruar kthime më të larta.

Ministria e Financave ka planifikuar të zhvillojë një rihapje të ankandit të sotëm në muajin nëntor, për një shumë të shpallur prej 1 miliardë lekësh. Kjo do të jetë një mundëis tjetër për investitorët e interesuar për këto instrumente, por njëkohësisht edhe një test për normat e interesit. Nëse Banka e Shqipërisë vendos sërish të rrisë normën bazë të interesit në muajin tetor, me shumë të ngjarë yield-et e bonove dhe obligacioneve do të shënojnë një rritje të mëtejshme.

Obligacionet 15-vjeçare u emetuan për herë të parë në nëntor 2021, me qëllim testimin e tregut, që reagoi mjaft pozitivisht. Nga 1 miliardë lekë që kishte qenë shuma e shpallur e obligacioneve për shitje, në ankand u paraqitën kërkesa totale me vlerë mbi katër herë më të lartë, gjithsej 4.295 miliardë lekë, ndërsa kuponi i obligacionit rezultoi 5.88%.

Kërkesa e lartë që shfaq tregu e nxiti Ministrinë e Financave të organizonte dhe një rihapje të këtij ankandi, në muajin shkurt të këtij viti. Në rihapjen e muajit shkurt, yield-i uniform i obligacionit rezultoi në nivelin 5.84%.

Në muajin maj, Ministria e Financave zhvilloi edhe rihapjen e dytë të ankandit të obligacioneve 15 vjeçare. Por, rihapja e dytë dëshmoi se kushtet e tregut kanë ndryshuar ndjeshëm pas shpërthimit të luftës në Ukrainë dhe rritjes së shpejtë të inflacionit. Në këtë ankand u vërejt shtrëngim i ndjeshëm të kërkesës së investitorëve dhe një rritje të fortë të normave të interesit. Yield-i mesatar i ankandit rezultoi 6.9%.

Ndërkohë, emetimi i ri i kësaj jave shënoi një rritje të ndjeshme, duke e çuar yield-in uniform dhe kuponin e obligacioneve 15-vjeçare në 8.39%. Ky kupon është 43% më i lartë se ai i emetimit të parë, të realizuar në nëntor 2021. /Monitor

spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

REKLAME

spot_img

Me te lexuarat