Drejtuesit e mjeteve që duan të kalojnë në Unazën e Madhe, nga ish-sheshi Shqiponja, në drejtim të pallatit me shigjeta dhe anasjelltas, do të duhet të devijojnë përkohësisht drejtimin, për shkak të punimeve për ndërtimin e lotit të 3.
Sipas një njoftimi të ARRSH-së, automjetet që do të kalojnë nga Sheshi Shqiponja në drejtim të Pallatit me Shigjeta, pas daljes nga nënkalimi i “Ozone”, do të devijojnë majtas duke përdorur karrexhatën e re të rrugës kryesore të lotit 3, duke shmangur kështu aksin kryesor deri pranë mbikalimit te pallatit me shigjeta, e duke vazhduar më pas sipas orientimit ekzistues.
Ndërsa automjetet që përdorin aksin e rrugës dytësore djathtas, nuk do të kenë ndryshim të lëvizjes. Gjithashtu automjetet që do të vijnë nga mbikalimi i pallatit me shigjeta në drejtim të rrugës “Teodor Keko”, do të devijojnë djathtas duke përdorur karrexhatën e re të rrugës dytësore të lotit 3, duke shmangur kështu aksin kryesor deri pranë nënkalimit të Ozone, e duke vazhduar më pas sipas orientimit ekzistues në lotin 2.
Për automjetet që do të kenë destinacion Yzberishtin, Bulevardin “Migjeni”, “Kombinatin” nuk do të ketë ndryshime në qarkullim.