“Scan Intelligence Unit” ka analizuar dhe përpunuar të dhënat e Institutit të Statistikave për të kuptuar se sa është raporti i sipërmarrësve me popullsinë.
Duke qenë se ekonomia e tregut në vendin tonë është e bazuar më së shumti në sipërmarrje të vogla, kryesisht familjare, atëherë edhe këtë analizë e kemi bërë në bazë të familjeve.
Pra, sa familje kanë një biznes?
Në rang kombëtar, rezulton se për çdo 100 familje, 21 të tilla kanë një biznes, pra 21%. Në këtë analizë ne kemi renditur edhe qarqet sipas atyre me më shumë biznesmenë, dhe atyre me më pak biznesmenë.
Në vend të parë, me më shumë familje sipërmarrëse mesatarisht, rezulton të jetë qarku i Fierit, me rreth 29 të tilla për 100 familje.
Në vend të dytë ndërkohë ndjek qarku i Beratit, me rreth 26 familje biznesmene ndër 100, pra rreth ¼-tën. Gjirokastra ndërkohë mban vendin e tretë, me rreth 24% të totalit.
Renditja vijon me Korçën dhe Tiranën, pranë 23.5% dhe 22.6% respektivisht.
Tre vendet e fundit në renditje ndërkohë, mbahen nga Lezha, Kukësi dhe Dibra, respektivisht me nga 16%, 12% dhe 10% familje në qark mesatarisht që kanë një biznes.
Në rast se këtë raport do ta bënim për banor, atëherë do të vinim re një ndryshim në tabelë, pasi vendin e parë do ta rrëmbente Gjirokastra, me rreth 8.2 sipërmarrës për 100 banorë, ndjekur nga Fieri dhe Berati, me 8.1 dhe 7.9 biznesmen për 100 banorë respektivisht.
Durrësi, Kukësi dhe Dibra ndërkohë mbajnë tre vendet e fundit, me 4.3, 2.8 dhe 2.6 sipërmarrës për 100 banorë respektivisht.
Vëmë re se në të dyja rastet, Durrësi është ndër vendet e fundit, paçka se bëhet fjalë për një prej qarqeve më të mëdha në vend dhe të dytin pas Tiranës sa i përket zhvillimit ekonomik në shumë indikatorë.
Mesatarja kombëtare ndërkohë fiksohet në 5.8 sipërmarrës për 100 banorë.