29.5 C
Tirana
Friday, May 29, 2026
spot_img
Faqe KryesoreLajmeAktualitetKonferencë për sigurinë dhe aksidentet në punë, Ponari: Kombinimi i disa sigurimeve...

Konferencë për sigurinë dhe aksidentet në punë, Ponari: Kombinimi i disa sigurimeve përmirëson kushtet e punës

Këtë javë u organizua një konferencë për sigurinë dhe aksidentet në mjediset e punës, e bashkëorganizuar nga SIGAL, EXTRABIS dhe EPTA. Në këtë konferencë, të organizuar në dy panele diskutimi, morën pjesë ekspertët dhe profesionistët më të njohur të sigurisë, legjislacionit, masave dhe pajisjeve të sigurisë në punë. Secili prej tyre solli përvojën dhe perspektivën e vet profesionale.

Perspektivën e sigurimeve e prezantoi z. Avni Ponari, CEO i SIGAL Insurance Group:

“Sot në botë, aksidentet personale pothuajse kudo janë të siguruara. Nuk mund të mendosh që dikush të jetë i punësuar diku dhe të jetë i pasiguruar. Së pari, është shumë e rëndësishme që vetë i punësuari të marrë masat e tij dhe t’i kërkojë punëdhënësit jo vetëm sigurimet shoqërore për pensionin, por edhe sigurimin nga aksidentet personale. Punëdhënësi është i detyruar ta bëjë këtë, edhe për të mbrojtur veten nga proceset ligjore.”

Avni Ponari solli në vëmendje faktin se, përveç sektorit minerar dhe sektorit të transportit, limiti i përgjegjësisë për rastet fatale nuk është i përcaktuar me ligj dhe se ky vakum ligjor ekspozon jo pak sipërmarrësit ndaj përgjegjësive financiare. Në këtë rast, sigurimi nga aksidentet do të ishte një kornizë kontraktuale shumë ndihmuese mes punëdhënësit dhe punëmarrësit.

Çmimi i sigurimit të punonjësve nga aksidentet varet nga mbulimi financiar që kërkohet, ndërsa janë punëmarrësit dhe punëdhënësit ata që e përcaktojnë atë:

“Siguracionin e zgjedh vetë. Ai fillon nga vlera minimale deri në 1 milion euro. Nuk ka limit të sipërm për t’u siguruar. Vlerën nuk e cakton kompania e sigurimeve. Vlerën e punonjësve në një kompani e cakton punëmarrësi së bashku me punonjësit.”

Përveç sigurimit të punonjësve nga aksidentet, z. Ponari solli në vëmendje edhe dy lloje të tjera sigurimesh që sipërmarrësit duhet t’i kenë parasysh.

“E njëjta gjë vlen edhe për sigurimin e projekteve të mëdha, si rrugët, kantieret, uzinat, fabrikat dhe qindra institucione të tjera, të cilat janë të gjitha të sigurueshme. Ato kanë dy lloje sigurimesh: sigurimin e vetë objektit, që është shumë i rëndësishëm dhe zgjidhet nga secili vetë, si edhe sigurimin e përgjegjësisë ndaj palëve të treta.”

Z. Ponari, CEO i SIGAL, apeloi gjithashtu për më shumë ndjeshmëri dhe vizion në qasjen e sipërmarrësve ndaj sigurimeve. Ai sugjeroi kombinimin e disa llojeve të sigurimeve, të cilat sjellin përfitime si për punëdhënësin, ashtu edhe për punëmarrësin, si: sigurimi nga aksidentet, sigurimi i pronës ku ushtrohet aktiviteti, sigurimi i përgjegjësisë, si dhe kontribute nxitëse për pensione private në formën e shpërblimeve të besnikërisë, të cilat mund të investohen në fondet e pensionit.

spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

REKLAME

spot_img

Me te lexuarat