8.5 C
Tirana
Thursday, November 21, 2024
spot_img
Faqe KryesoreLajmeAktualitetHyjnë në fuqi ndryshimet për tatimin e pasurive të paluajtshme; Ndërtuesit që...

Hyjnë në fuqi ndryshimet për tatimin e pasurive të paluajtshme; Ndërtuesit që përjashtohen nga tatimi 15%, si do llogaritet taksa për shkëmbimin e tokës

Ndryshon udhëzimi për tatimin e kalimit të së drejtës të pronësisë të pasurive të paluajtshme. Udhëzimi i përbashkët i Ministrisë të Financave dhe Ekonomisë dhe Agjencisë shtetërore të kadastrës është botuar në Fletoren Zyrtare.

Me kalim të së drejtës së pronësisë, kuptohet akti i shitjes, dhurimit apo heqjes dorë nga pasuria e paluajtshme.

Udhëzimi i ndryshuar përcakton se nuk do të jenë subjekte të tatimit mbi të ardhurat personale nga kalimi i së drejtës së pronësisë mbi pasuritë e paluajtshme: sipërmarrësit (ndërtuesit) në fushën e ndërtimit, të pajisur me NIPT, pavarësisht nga statusi (“person fizik” apo “person fizik tregtar”), të cilët ndërtojnë për qëllim shitjeje dhe investitorët në fushën e ndërtimit, të cilët financojnë produktin e ndërtimit me qëllim shitjeje, në rastet kur janë të regjistruar në QKR (janë të pajisur me NIPT) dhe u është caktuar përgjegjësia tatimore. Udhëzimi i mëparshëm parashikonte se vetëm investitorët në biznesin e ndërtimeve, të cilët janë regjistruar në organet tatimore si persona juridikë, (shoqëri tregtare) me objekt ndërtimin dhe shitjen e pasurive të paluajtshme, nuk janë subjekt i tatimit mbi të ardhurat personale nga kalimi i së drejtës së pronësisë mbi pasuritë e paluajtshme. Sakaq subjektet e mësipërme do të jenë pagues të taksës vendore mbi kalimin e së drejtës së pronësisë për pasuritë e paluajtshme, sipas parashikimeve në nenin 28, të ligjit nr. 9632, datë 30.10.2006, “Për sistemin e taksave vendore”, të ndryshuar.”.

Me qëllim eliminimin e shmangies së tatimit dhe të abuzimit me parimet e ligjit tatimor, përveç taksës vendore mbi kalimin e së drejtës së pronësisë për pasuritë e paluajtshme, do të paguajnë edhe tatimin mbi të ardhurat personale nga kalimi i së drejtës së pronësisë mbi pasuritë e paluajtshme, subjektet që gjenden në kushtet e mëposhtme, si:

a) investitorët në fushën e ndërtimit, të cilët financojnë produktin e ndërtimit, me qëllim shitjeje në rastet kur nuk janë të regjistruar në organin tatimor (nuk janë të pajisur me NIPT) dhe nuk u është caktuar përgjegjësia tatimore;

b) personat fizikë tregtarë, në rastet kur e kanë marrë këtë status dhe janë pajisur me NIPT në momentin që kanë nisur shitjen e produktit të ndërtimit. Personat, që lejen e ndërtimit dhe regjistrimin e pasurive e përfitojnë në emrin e tyre si individë, nëse në momentin që fillojnë shitjen e produktit të ndërtimit, pajisen me NIPT, “person fizik”, duhet të paguajnë edhe tatimin mbi të ardhurat personale nga kalimi i së drejtës së pronësisë mbi pasuritë e paluajtshme ose tatimin mbi fitimin nga veprimtaria tregtare; c) individët, të cilët lejen e ndërtimit, të shfrytëzimit/përdorimit dhe regjistrimin e ndërtimeve e kanë në emrin e tyre si individë, por në momentin kur fillojnë shitjen, pajisen me NIPT “Person fizik” dhe më pas e mbyllin dhe vazhdojnë shitjet po si individë. Këta individë duhet të paguajnë edhe tatimin mbi të ardhurat personale nga kalimi i së drejtës së pronësisë mbi pasuritë e paluajtshme ose tatimin mbi fitimin nga veprimtaria tregtare.”

Udhëzimi i 2018-s përcaktonte subjekt i tatimit mbi të ardhurat personale nga kalimi i së drejtës së pronësisë mbi pasuritë e paluajtshme janë vetëm investitorët në biznesin e ndërtimeve, të cilët janë regjistruar në organet tatimore si subjekte me status “person fizik tregtar”.

Për rastet e shitjes së ndërtesave me koeficient amortizimi mbi 50%, vlera e shitjes së pasurisë së paluajtshme për efekt të tatimit do të përcaktohet nga persona të licencuar për vlerësimin e pasurive të paluajtshme, dhe do të merren parasysh nga ASHK-ja vetëm një herë (për një transaksion të realizuar) nga vetëm në rastin e shitjes të parë që përcaktohej në udshëzimin e mëparshëm.

Udhëzimi përcakton se për rastet kur për truallin e këmbyer nuk ekziston një kontratë shitjeje apo akt rivlerësimi, si vlerë e truallit për metër katror të dhënë në këmbim të përfitimit të sipërfaqes së banimit / tregtisë/shërbimit do të konsiderohet vlera, sipas çmimeve për m2 sipërfaqe trualli të dhëna në VKM-në nr. 89, datë 3.2.2016, “Për miratimin e hartës së vlerës së tokës në Republikën e Shqipërisë”, apo të akteve vijuese nënligjore, që miratojnë çmimet referuese mbi tokën për metër katror. Për kontrata të tilla të shkëmbimit, si moment për përcaktimin e çmimit të truallit për metër katror, do të merret data e regjistrimit në ZVRPP të kontratës së shkëmbimit ndërmjet investitorit dhe pronarit të truallit.

Shembull nr. 7

Llogaritja e tatimit mbi kalimin e së drejtës së pronësisë

Pronari i truallit AA, me banim në Korçë, i cili ka përfituar disa apartamente në shkëmbim të truallit me shoqërinë e ndërtimit “Ndërtimi” sh.p.k. kërkon t’i shesë individit BB një apartament me sipërfaqe 72 m2 me çmimin 3,384,000 lekë, shitje të cilën e realizon me kontratë shitje të datës 12.1.2015. Pronari i truallit i ka përfituar apartamentet nga shoqëria ndërtuese me kontratë shkëmbimi të datës 5.7.2007 dhe të regjistruar në ZVRPP në datën 20.9.2008.

Vlera e apartamentit, sipas çmimeve të referencës është: 72 m2 x 47,000 lekë/m2 = 3,384,000 lekë

Duke qenë se vlera me çmimet e referencës është e barabartë me vlerën e apartamentit të pasqyruar në kontratën e shitjes, atëherë si vlerë në shitje do të merret vlera në kontratën e shitjes, pra vlera 3 384 000 lekë (vlera në shitje).

Si vlerë në blerje do të llogarisim vlerën, sipas çmimit të pjesës së truallit që i takon apartamentit prej 72 m2 që shet individi AA. Supozojmë se sipërfaqja e truallit që ai i ka dhënë shoqërisë së ndërtimit “Ndërtimi” sh.p.k. ka qenë 720 m2 . Këtë sipërfaqe trualli e ka shkëmbyer me 4 apartamente, secili nga 72 m2 . Pra, sipërfaqja e ndërtimit që ka përfituar nga këmbimi truallndërtesë është 288 m2. Supozojmë se vlera e truallit në datën 20.9.2008, kur është bërë regjistrimi në ZVRPP-në i kontratës së këmbimit, ka qenë 10,000 lekë m2 . Pra, vlera totale e truallit ka qenë 720 m2 x 10,000 lekë/m2 = 7,200, 000 lekë. Kjo vlerë trualli është këmbyer me: 72 m2 x 4 apartamente = 288 m2 sipërfaqe ndërtimi. Pra, për rrjedhojë vlera e 1 m2 sipërfaqe ndërtimi të përfituar është: 7,200,000 lekë : 288 m2 = 25,000 lekë m2. Meqenëse individi AA shet vetëm 72 m2 , vlera që do të llogaritet si çmim blerjeje për këtë apartament do të jetë: 25 000 lekë/m 2 x 72 m2 = 1 800 000 lekë Tatimi që duhet të paguajë shitësi AA është: (vlera në shitje – vlerën në blerje) x 15% (3 384 000 – 1 800 000 ) x 15% = 237 600 lekë.

Kalimi i së drejtës së pronësisë mbi pasuritë e paluajtshme, tokë (truall apo tokë bujqësore) dhe ndërtesë, tatohet 15 % të fitimit kapital të realizuara. Individi që kalon të drejtën e pronësisë mbi pasurinë e paluajtshme, paguan tatimin para kryerjes së regjistrimit të aktit të kalimit të pasurisë, në përputhje me aktet dhe procedurat ligjore në fuqi. Pasuria e paluajtshme e kaluar, nuk regjistrohet pa provuar pagimin e këtij detyrimi pranë zyrave vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme. /Monitor

spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

REKLAME

spot_img

Me te lexuarat