15.5 C
Tirana
Thursday, March 26, 2026
spot_img
Faqe KryesoreLajmeAktualitetSi mund të ndihmojë industria e sigurimeve veprat publike? Intervistë e ekspertit...

Si mund të ndihmojë industria e sigurimeve veprat publike? Intervistë e ekspertit Shkrepa me Monitor Business

Për të diskutuar mbi rolin që produktet e sigurimit mund të luajnë në mbulimin e përgjegjësive dhe në zbutjen e pasojave ekonomike për palët e përfshira në ndërtimin dhe mirëmbajtjen e veprave publike e veçanërisht për qytetarët dhe buxhetin e shtetit, podkasti Business Plus i revistës ekonomike Monitor, i moderuar nga gazetari Ersuin Shehu, zhvilloi një intervistë me z. Ogert Shkrepa, kryetar i Komitetit të Produkteve të Reja në Shoqatën Shqiptare të Siguruesve dhe ekspert në industrinë sigururese.

Sigurime. Online më poshtë ju sjell zbardhjen e plotë të intervistës:

Moderatori: Çfarë kontributi mund të japin produktet e sigurimit në zbutjen e rreziqeve që lidhen kryesisht me ndërtimin e veprave publike?

Kontributi është shumë i madh. Është e vërtetë që investimet publike janë të ekspozuara ndaj rreziqeve natyrore, si tërmetet, përmbytjet dhe rrëshqitjet e tokës, dhe qëllimi i kompanive të sigurimit është të mitigojnë dhe të minimizojnë riskun për dëmet që mund të ndodhin në të ardhmen, në mënyrë që të mos ketë shtesa në buxhetin e shtetit. Të mos jetë vetëm përurimi i një vepre qëllimi kryesor, por edhe garancia që ajo vepër ofron për të ardhmen. Dëmet që lindin si pasojë e defekteve të fshehura pas përfundimit të projektit zakonisht shfaqen brenda 10-vjeçarit të parë. Normalisht, ekziston një VKM, nr. 693, e cila përcakton që gjatë certifikimit të objektit dhe marrjes në dorëzim nga ana e autoritetit rrugor shqiptar apo ndërtuesit të veprës, duhet të merret një garanci 10-vjeçare. Kjo garanci nuk përdoret vetëm në Shqipëri, por në të gjithë botën; është një produkt evropian, me qëllim mbrojtjen e buxhetit të shtetit dhe shmangien e pagesave të dyfishta: njëherë paguhet nga taksat për ndërtimin dhe më pas të mos paguhet sërish për rindërtimin.

Moderatori: Ekziston si detyrim ligjor që subjektet që ndërtojnë një vepër publike duhet të kenë këtë sigurim për dëmtimet që vijnë si përgjegjësi e ndërtuesit. A zbatohet? Nuk është hera e parë që ka detyrime ligjore, por jo gjithmonë funksionojnë.

Zakonisht ka gjetur zbatim vetëm për pjesën e ndërtimeve të pallateve dhe banesave familjare. Pra, në momentin që certifikohen nga ana e bashkisë, bashkitë janë përgjegjëse dhe e kërkojnë që ky detyrim ligjor të zbatohet nga ana e ndërtuesve. Nga ana e veprave publike, edhe pse është detyrim ligjor që të sigurohen edhe gjatë ndërtimit, në shumë pak raste është kërkuar që të zbatohet kontrata e ndërtuesit dhe të detyrohet sigurimi i kësaj lloj vepre.

Moderatori: Ky lloj sigurimi në çfarë nivelesh dhe hallkash funksionon dhe në çfarë lloj përgjegjësish? Po t’u referohemi atyre episodeve që kemi parë muajt e fundit, kemi pasur edhe rrëshqitje rrugësh pa u mbushur viti nga ndërtimi i tyre. Si funksionon në mënyrë pak më konkrete?

Që në momentin e parë që një firmë ndërtimi merr projektin dhe lidh kontratën me institucionin buxhetor, ARRSH apo Ministrinë, ajo duhet të bëjë sigurimin e rreziqeve në ndërtim dhe përgjegjësinë ndaj palëve të treta. Është detyrim ligjor, i përcaktuar me ligj, dhe çdo dëm që mund të lindë gjatë fazës së punimeve paguhet nga kompania e sigurimit. Nuk paguhet nga buxheti i shtetit: qoftë tërmet, zjarr, përmbytje apo rrëshqitje toke. Kompanitë e sigurimit, në momentin që marrin një risk të tillë, kanë inxhinierët e tyre të ndërtimit dhe shkojnë e vlerësojnë riskun, analizojnë raportin gjeologjik të tokës, zonën ku po ndërtohet vepra. Përmes të dhënave online, përfshirë edhe ato të NASA-s, analizojnë sa herë kanë ndodhur rrëshqitje apo përmbytje në atë zonë dhe sa shpesh përsëriten. Mbi këtë bazë, përmes modeleve kompjuterike, përcaktojnë nivelin e riskut dhe primin përkatës, si edhe japin rekomandimet e tyre për ndërtuesin, për mënyrën se si duhet realizuar ndërtimi që të përshtatet dhe të mitigojë riskun.

Në momentin që objekti ndërtohet dhe përfundon, kuptohet që mund të ketë edhe defekte të fshehura. Një blerës, për shembull, nuk mund ta dijë si janë realizuar instalimet elektrike apo hidraulike, çfarë materialesh janë përdorur dhe nëse janë respektuar standardet për çdo ngarkesë. Kjo është arsyeja pse ndërhyn garancia që jep siguruesi: nga momenti që objekti certifikohet nga autoriteti përkatës, jepet një garanci për defektet për të ardhmen, një përgjegjësi 10-vjeçare e ndërtuesit. Në këtë mënyrë, edhe shteti është i qetë që, nëse ndodh një dëm në të ardhmen, p.sh. një rrëshqitje toke që shkakton dëme, kompania e sigurimit do ta dëmshpërblejë.

Kompanitë kanë kapacitete për ta përballuar këtë, pasi mbështeten nga risigurues ndërkombëtarë, ndër më të mirët në botë, si Swiss Re dhe Munich Re.

Në një situatë hipotetike, si rasti që ka ngritur shumë dyshime, rrëshqitja e unazës në hyrje të Burrelit, nëse kjo vepër do të ishte e siguruar për përgjegjësitë e ndërtuesit, sipas kushteve të kontratës, atëherë do të ishte kompania e sigurimit që do të paguante dëmin. Riparimi dhe kthimi i saj në gjendjen e mëparshme nuk do të rëndonte mbi buxhetin e shtetit dhe taksat e qytetarëve, si një pagesë e dytë, por do të mbulohej nga kompanitë e sigurimit dhe risigurimit, duke shmangur kështu koston për qytetarët.

Moderatori: Ligjërisht, do të duhej të ishte e siguruar, përse nuk funksionojnë mekanizmat?

Është e vërtetë. Edhe qeveria është si një orë gjigante, Big Bang, me ingranazhet e veta. Disa ingranazhe marrin pluhur, duhen vajosur, ose ndërruar që ora të ecë siç duhet. E përdor këtë si metaforë, por gjithmonë duhet rishikim dhe ngritje e kapaciteteve, edhe nga punonjësit e qeverisë. Ata nuk duhet të jenë thjesht inspektorë formalë, por të kenë kapacitet për të vlerësuar riskun dhe për ta bërë punën në mënyrë të saktë.

Moderatori: Përtej sigurimit të përgjegjësisë së ndërtuesit në veprat publike, a ekzistojnë edhe produkte të tjera që sigurojnë projektin në nivele të tjera, si në fazën e projektimit dhe të supervizionimit?

Edhe këto janë të përcaktuara me VKM, dhe që në momentin e parë që bëhet projekti, duhet të jetë e qartë përgjegjësia e projektuesit. Kjo përgjegjësi është përcaktuar deri në shumën 15% të vlerës së projektit. Shkencërisht është vërtetuar që gabimet e një projektuesi mund të shkaktojnë dëme deri në 15% të vlerës së veprës që ai po realizon.

Të gjithë projektuesit – konstruktorët, inxhinierët e zjarrit, gjeologjikë – duhet të kenë një policë sigurimi për përgjegjësinë profesionale, që mbulon çdo gabim, neglizhencë ose mosveprim gjatë ushtrimit të profesionit. Për shembull, në veprat si urat, nëse nesër del që ka gabim në projektim, dhe nëse sigurimi është vendosur, kompania e sigurimit do të paguante dëmin fillimisht, duke shmangur koston për shtetin, dhe më pas do të rimbriste shumën nga personi që shkaktoi dëmin. Pra, në thelb, nëse unë të shkaktoj dëmin ty, unë jam përgjegjës, edhe pse ndërmjetës është siguruesi, që të siguron që ti nuk humb dëmin.

Projektuesi dhe zbatuesi i punimeve duhet të mbajnë përgjegjësinë profesionale për ndërtimin. Ligjërisht kërkohet kjo, dhe më shumë e zbatojnë bashkitë, të cilat janë më të azhurnuara në kërkesat e tyre: kur japin lejen e ndërtimit, ajo duhet të shkojë së bashku me projektin, me përgjegjësinë e ndërtuesit dhe të zbatuesit.

Shumë hallka që ne si shoqatë kemi sugjeruar qeverisë për mitigimin e këtij risku, zakonisht zbatohen plotësisht vetëm për objektet e banimit. Në objektet e tjera, si rrugët, ka projekte ku sigurimi gjatë ndërtimit zbatohet, me inspektorët dhe specialistët e qeverisë që kërkojnë këto sigurime, duke siguruar që projekti të ecë normalisht pa kosto shtesë për buxhetin e shtetit. Por ka edhe raste ku këto sigurime nuk janë bërë, dhe detyrimet lindin më vonë, duke rritur kostot për buxhetin e shtetit, ose duke krijuar situata ku, nëse ndërtuesi bën gabim, ai duhet të përballojë pasojat deri në fund.

Moderatori: Ndodhemi në një paradoks: pse shteti, vetë, nuk kërkon përgjegjësi për zbatimin e ligjit?

Shteti funksionon si një korporatë gjigante, e cila ka anëtarë dhe aksionarë – qytetarët. Ne, 3 milion banorë, jemi aksionarët. Normalisht, ai duhet të jetë përgjegjës ndaj aksionarëve, të shfaqë fitim, të marrë kredi ndërkombëtare të favorshme për këta aksionarë, dhe të ndërtojë vepra publike: ujësjellës, kanalizime, ose çfarëdo që kërkojnë anëtarët e vet. Unë e shoh shtetin në këtë kuptim. Natyrisht, ekziston një bord drejtues, përbërë nga ministrat, drejtuesit e financave, drejtuesit e riskut kibernetik, drejtuesit e mbrojtjes, ashtu siç funksionon një korporatë gjigante, por në fund të ditës, ai duhet të mendojë për qytetarët dhe për interesat e tyre financiare.

Nga përvoja juaj, përtej detyrimeve ligjore që ekzistojnë dhe që nuk zbatohen rregullisht, a është ndërgjegjësimi i vetë subjekteve të angazhuara në këtë sektor i prekshëm, apo kultura e sigurimit vullnetar mbetet e dobët edhe në këtë segment?

Kultura është shumë e dobët. Projekte të huaja që kanë ardhur në Shqipëri kanë sjellë njëfarë kulture, për shkak të menaxhimit të huaj. Shumë projekte të huaja, me menaxhim të huaj, edukojnë në fushën e sigurimeve që nga klasa e parë fillore, duke shpjeguar pse sigurimet janë të domosdoshme. Ata kanë edukuar për sigurimet dhe kanë dhënë edhe dëmshpërblime, duke mësuar të mitigojnë riskun.

Për më tepër, ata kanë detyruar edhe nënkontraktorët shqiptarë që të bëjnë këto sigurime. Kur këta nënkontraktorë kanë marrë dëmshpërblime për ngjarjet që kanë ndodhur, kuptohet që janë motivuar të bëjnë sigurime edhe për projektet e tyre të tjera. Megjithatë, edukata qytetare mbetet e dobët në aspektin e sigurimit, ndoshta si pasojë e mentalitetit ballkanik, ku ne jemi më shumë mbajtës të riskut sesa duhet.

Në Shqipëri, penetrimi i sigurimeve është rreth 100 euro për frymë, ndërkohë që në Europë ai arrin mbi 1,000, 1,500 ose edhe 3,000 euro për frymë, duke përfshirë çdo gjë: shëndetin, apartamentin, pasuritë e tjera. Në këto vende, sigurimi nuk kufizohet vetëm te mjeti i transportit për shkak të detyrimit ligjor, por përfshin edhe pronën, punëtorët dhe çdo aset tjetër të rëndësishëm, duke krijuar një pavarësi më të madhe ndaj qeverisë.

Kur ke këto sigurime, nuk ke nevojë të kërkosh ndihmë financiare nga shteti për të mbuluar një ngjarje të papritur; përgjigjet vijnë nga kompania e sigurimeve. Në rast se kompania nuk përgjigjet brenda kohës, atëherë mund të drejtohesh tek shteti. Ky sistem është shumë i dobishëm; unë vetë e përdor. Paguaj rreth 1,500 euro në vit për frymë për sigurime dhe nuk qëndroj në radhë. Edhe nëse spitalet publike janë me pritje të gjata, unë zgjedh spitalet private, për të shmangur vonesat.

Kur mendon se kostoja e sigurimit është shumë e ulët krahasuar me riskun që merr kompania e sigurimit, është logjike të bësh sigurime. Një pronë që kushton vetëm 100 euro në vit, pse të mos e sigurosh?

Moderatori: Për të folur më specifikisht për sigurimin e përgjegjësisë, ai është një element shumë i rëndësishëm, sidomos kur palët mund të jenë të ekspozuara ndaj dëmeve. Po flasim për veprat publike, por ekzistojnë edhe shumë subjekte të tjera që mund të jenë të ekspozuara ndaj dëmeve që mund të shkaktojnë ndaj të tretëve, si mjekët, hotelet, restorantet, bare apo çdo strukturë akomoduese. Sa funksionon kjo vetëdije?

Vetedija nuk funksionon. Vetëm ato subjekte që kanë kapital të huaj, pra aksionerë të huaj, e kanë këtë lloj edukate dhe i sigurojnë aktivitetet e tyre. Qeveria ka nxjerrë disa vendime të Këshillit të Ministrave, duke përfshirë edhe sektorin e turizmit, që detyron sigurimin e strukturave akomoduese për përgjegjësinë ndaj qytetarëve dhe palëve të treta. Çdo gjë që ndodh brenda asaj strukture akomoduese dëmshpërblehet edhe nëse pronari i saj nuk ka mundësi financiare, pasi ekziston një kompani sigurimi që mbulon dëmin dhe rrit sigurinë dhe besueshmërinë e turizmit në atë zonë. Një turist i huaj mund të vijë duke ditur se ekziston një “back-up” dhe një kompani sigurimi që do të dëmshpërblejë në rast të një incidenti.

Sa i përket dëmshpërblimit profesional të mjekëve, aktualisht po përgatitet një draft-propozim për një ligj që do të bëjë të detyrueshëm sigurimin e infermierëve, mjekëve dhe spitaleve, si ato shtetërore, ashtu edhe private. Deri tani, shumë pak subjekte janë siguruar përmes kompanive të sigurimit, edhe pse produkti ofrohet. Ky sigurim është shumë i rëndësishëm, sepse mbulon çdo gabim ose neglizhencë të profesionistit gjatë ushtrimit të detyrës, me dëme që mund të arrijnë deri në 100 milion euro nga kompanitë e sigurimeve. Kapacitetet ekzistojnë, por kërkesa për sigurim është e ulët.

Bëhet fjalë për një praktikë që do të mbronte jo vetëm profesionistët, por edhe qytetarët, si subjekte të dëmeve. Nëse dikush ka një incident dhe kërkon dëmshpërblim nga një hotel, restorant apo mjek, kompania e sigurimit do të mbulojë dëmin. Në mungesë të sigurimit, personi i dëmtuar mund të marrë vetëm aq sa ka kapitali fillestar i subjektit; për shembull, nëse ka vetëm 1,000 lekë kapital, ajo është shuma që mund të sigurohet përmes gjyqit.

Moderatori: Proceset e zgjatura gjyqësore shpesh bëjnë që shumë qytetarë të humbasin durimin, të dekurajohen dhe të humbasin besimin në mundësinë e gjetjes së së drejtës përmes rrugës gjyqësore. Edhe pse ligjërisht qytetari mund të jetë i mbrojtur, vonesat dhe kompleksiteti i procedurave krijojnë një barrierë praktike.

Ka disa profesione, si noteri dhe avokat, për të cilat sigurimi është i detyrueshëm me ligj. Në fund të ditës, edhe ata kanë përgjegjësi ndaj qytetarëve. Po ashtu, projektet ndërtimore kanë një detyrim ligjor për sigurimin e përgjegjësisë. Ekzistojnë edhe lloje të tjera sigurimesh: vlerësuesit e pasurive të paluajtshme e kanë sigurimin e detyrueshëm, ashtu si edhe strukturat akomoduese. Përgjegjësia ndaj palëve të treta është e reformuar sipas strukturave evropiane; siç është praktikë në Perëndim, ashtu edhe këtu.

Shoqatat profesionale kanë sugjeruar që të ofrohen këto lloj produktesh sigurimi, në mënyrë që, kur të bëhemi pjesë e Bashkimit Evropian, qytetarët të kenë produkte të ngjashme me ato në BE dhe të mitigohet rreziku, duke e bërë qytetarin sa më të qetë në pronën dhe aktivitetin e tij.

Moderatori: Faleminderit për praninë dhe për intervistën.

 

spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

REKLAME

spot_img

Me te lexuarat