Sot u zhvillua në Tiranë konferenca ndërkombëtare për risqet dhe zgjidhjet në sigurime, përsa u takon menaxhimit të katastrofave natyrore në Shqipëri.
Në këtë konferencë të bashkëorganizuar nga AON, AMF dhe Shoqata e Siguruesve të Shqipërisë, të pranishëm si diskutues dhe panelistë ishin drejtorja ekzekutive e AMF, znj. Adela Xhemali; znj. Milva Ekonomi, kryetare e Komisionit parlamentar të Ekonomisë dhe Financave dhe znj. Delina Ibrahimaj, ministre e Ekonomisë dhe Inovacionit. Po ashtu, një fjalë hapëse mbajti edhe z. Ian Liska, si drejtues i Aon për Shqipërinë, kompanisë ndërmjetëse ndërkombëtare.
Z. Liska, në përfundimit të panelit të parë të diskutimeve, iu përgjigj interesit të mediave.
Pyetjet dhe përgjigjet e z. Liska i gjeni si vijon:
Si perceptohet Shqipëria nga perspektiva e tregjeve ndërkombetarë, përsa i takon ekspozimit ndaj riskut të katastrofave natyrore?
Ekspozimi ndaj riskut, veçanërisht ndaj riskut nga tërmeti, është ekzistent. Shkencëtarët e dinë këtë; u pa edhe në tërmetin e vitit 2019. Risku është i qartë. Unë mendoj që Shqipëria po bën shumë mirë në drejtim të transferimit të riskut të sigurimit. Penetrimi i sigurimeve është i ulët. Megjithatë, tregu i sigurimeve po punon shumë mirë, bashkëpunon me partnerë të fuqishëm ndërkombëtarë të risigurimeve.
Çfarë do të thotë për tregun shqiptar të ketë sot këtu një partner gjigant si AON?
Do të thotë shumë për ne, për AON, që të punojmë me Shqipërinë. Jemi krenarë për marrëdhënien tonë dhe bashkëpunimin tonë me tregun e këtushëm. Tregu këtu është treg shumë profesional, të gjithë njerëzit me të cilët punojmë janë shumë profesionistë, ata e njohin mirë punën e tyre. Unë mendoj që ata po bëjnë sa më shumë të jetë e mundur për të rritur penetrimin e sigurimeve. Për ne është e rëndësishme dhe, besoj, për tregun është shumë e rëndësishme të punohet me partnerë ndërkombëtarë si ne, për të pasur akses sa më të thjeshtë, më të mirë dhe më të lirë në tregjet ndërkombëtare të risigurimeve.
Ne jemi ndërmjetës mes risiguruesve dhe siguruesve, bëjmë ç’është e mundur qe klientët tanë të kenë mbulimin maksimal dhe në rast dëmi të kenë mbulim sa më të thjeshtë e të shpejtë të humbjeve. Kjo është provuar në Shqipëri në vitin 2019 pas dëmeve të mëdha, kompanitë e sigurimeve u paguan shume shpejt nga partnerët e tyre risigurues. Kjo i lejoi kompanitë e sigurimeve të paguanin shpejt të gjithe të prekurit nga tërmeti, të cilët ishin më shumë se sa 5 mijë. Ata u paguan shume shpejt pas humbjeve, falë qarkullimit të shpejt të parave që u siguruan nga kompanitë e risigurimeve. Kompanite e sigurimeve i paguan shumë shpejt klientët e tyre.
Lidhur me nivelin e ulët të penetrimit në Shqipëri dhe në Ballkan. Mentaliteti, apo arsye të tjera?
Unë nuk mendoj që Shqipëria është e vetmja me këtë nivel të ulët të penetrimit. Kemi dëgjuar për vende të tjera. Në Itali, për shembull, penetrimi është vetëm 7%, në Shqipëri 5%. Jo një diferencë e madhe. Janë shumë faktorë: historikë, historia është e qartë, situata ekonomike; edhe nëse çmimi i sigurimit është i lirë, është më i liri në rajon, njerëzve mund t’u duket një çmim i lartë. Nga ana tjetër, kostoja e dëmeve të pronave të pasiguruara është shumëfishi i tyre. Ne besojmë që do të ishte në përfitimin e të gjithëve të kenë një skemë që do të mbrojë njerëzit, Shqipërinë, të gjithë vendin.
Nje nga mesazhet per shqiptaret skeptike ne raport me sigurimet?
Unë mendoj që kompanitë e sigurimeve në Shqipëri janë efektive dhe ato i paguajnë humbjet. Eksperienca ime këtu është që, kur ne flasim për humbjet e mëdha, gjithmonë kompanitë e sigurimeve përmbushin detyrat e tyre, paguajnë shpejt, përpiqen të gjejnë zgjidhjen, përpiqen të ndihmojnë. Unë kam parë zjarre të mëdha në kompani të mëdha. Ishin kompanitë e sigurimeve që vinin me makina shuarjeje, që ndihmonin të minimizonin dhe të ndalonin zjarrin dhe me pas ndihmuan te stabilizoheshin humbjet, dhe në fund të paguanin humbjet. Nuk duhet të jemi skeptikë. Kompanitë e sigurimeve janë për përfitime, sepse është biznes, në fund të fundit, por janë pjesë e shoqërisë dhe janë këtu për të ndihmuar me humbjet.




