20.5 C
Tirana
Friday, May 15, 2026
spot_img
Faqe KryesoreLajmeAktualitetFjala e plotë e z. Ogert Shkrepa në konferencën e djeshme të...

Fjala e plotë e z. Ogert Shkrepa në konferencën e djeshme të organizuar nga AON, AMF dhe Shoqata e Siguruesve

Sigurime. Online po ju sjell sot të plotë fjalën e mbajtur në panelin e diskutimeve nga z. Ogert Shkrepa, drejtor i sigurimeve të pronës dhe garancive në SIGAL e njëherësh kryetar i produkteve të reja në Shoqatën e Siguruesve të Shqipërisë. 

“Tërmeti i 26 nëntorit ka qenë një ngjarje dramatike natyrore, jo vetëm për amplitudën dhe llojin e dëmeve që shkaktoi, por duke përfshirë edhe humbjet në jetë njerëzore.

Nga aspekti financiar, siç e thanë edhe kolegët, pothuajse një miliard euro dëme ekonomike, prej të cilave vetëm 39-40 milionë euro ishin të siguruara. Tregu në atë kohë, në vitin 2019, kishte kapacitete 200 milionë euro risiguruese. Kështu që, nëse do të ishin të siguruara, mund të ishin paguar edhe 15 mijë banesa të tjera dhe biznese të tjera në atë moment.

Nga aspekti i zhvillimit sektorial, tregu i sigurimeve demonstroi që kishte kapacitete profesionale, teknike dhe financiare për t’iu përgjigjur në kohë, me korrektesë dhe me transparencë të gjithë klientëve të vet.

Çdo kompani sigurimi aktivizoi procedurat e emergjencës, bazuar në planin e përgjigjes ndaj katastrofës dhe të vazhdimit të biznesit që kishin në fuqi.

Çdo kompani, që ditën e parë, caktoi koordinatorin e saj për katastrofën dhe nisi menjëherë njoftimin e risiguruesve, vlerësimin paraprak të ekspozimit, identifikimin e zonave të prekura, aktivizimin e qendrave operative të emergjencës dhe organizoi grupet teknike në terren, me objektiv demonstrimin e vlerës që kanë sigurimet në përgjigje të dëmshpërblimit financiar nga humbjet e katastrofave natyrore.

Risiguruesit ndërkombëtarë dhe brokerat e risigurimit demonstruan disponibilitet maksimal dhe korrektesë perfekte në respektimin e termave dhe kushteve të kontratave me kompanitë shqiptare të sigurimit, duke dhënë sinjale të forta për një treg të konsoliduar nga aspekti operacional dhe kapaciteti financiar për t’iu përgjigjur situatave të tilla të jashtëzakonshme.

Kjo ngjarje provoi në praktikë atë që është theksuar edhe sot në prezantimin e AON, që modeli i risigurimit funksionon dhe është thelbësor për stabilitetin financiar ndaj katastrofave.

Nga ana operative, kompanitë e sigurimit angazhuan inxhinierë ndërtimi, rreth dyqind inxhinierë për të gjitha kompanitë, supervizorë të licencuar, vlerësues dëmesh dhe ekspertë teknikë.

Tregu bashkëpunoi ngushtë me Institutin e Ndërtimit për të përcaktuar koston reale të rindërtimit sipas kushteve reale të tregut.

Një element i rëndësishëm ishte edhe bashkëpunimi me institucionet shtetërore. Tregu i sigurimeve mori akses në platformën Datech Albania të qeverisë shqiptare. Kjo na lejoi të krahasonim dhe harmonizonim klasifikimet e dëmeve, vlerësimet strukturore dhe kostot e rindërtimit midis grupeve të inspektimit të qeverisë dhe ekspertëve të sigurimeve. Gjithashtu bashkëpunuam me AMF për dhënien e informacionit për qytetarët dhe bizneset e siguruara, në mënyrë që qeveria të ndihmonte me dëmshpërblim vetëm rastet e pasiguruara.

Ky ishte një shembull shumë i mirë i bashkëpunimit privat-publik gjatë një emergjence kombëtare.

Në të njëjtën kohë, tregu i sigurimeve i shtoi ndjeshëm procedurat e njoftimit të dëmeve. Kompanitë pranuan njoftime paraprake me dokumentacion minimal, aktivizuan linja emergjente komunikimi, thjeshtuan procedurat e brendshme dhe mbajtën komunikim të vazhdueshëm me klientët. Të gjitha dëmet u inspektuan brenda dy muajve të parë pas ngjarjes. Rreth 90% e dëmeve u paguan brenda gjashtë muajve të parë.

Gjithashtu u kontaktuan dhe u trajnuan të gjitha bankat, në mënyrë që klientët e siguruar të trajtoheshin me procedura të qarta dhe të standardizuara.

Për mua personalisht, një nga arritjet më të rëndësishme gjatë kësaj periudhe ishte transparenca me klientët.

Çdo klient u sqarua individualisht për shumën e siguruar në policë, për mënyrën se si funksionon nënsigurimi, për mënyrën pse aplikohej pjesa e zbritshme dhe si aplikohej masa e dëmshpërblimit.

Në vitin 2019, kostoja mesatare e rindërtimit në Shqipëri ishte rreth 380 euro/m2. Të gjithë klientët që kishin siguruar pronën në vlerën reale të rindërtimit morën dëmshpërblim të plotë. Në rastet kur prona ishte siguruar për vlerën e mbetur të kredisë dhe kjo ishte vlerë më e ulët sesa vlera reale e rindërtimit, u aplikua klauzola e nënsigurimit. Ky ishte një nga mësimet më kritike për klientët dhe bankat, për të kuptuar që të paguash më pak prime në sigurime nuk do të thotë të marrësh maksimumin e vlerës së sigurimit. Sigurimet duhen bazuar në perspektivën e asaj që klienti projekton për t’u dëmshpërblyer financiarisht, që t’i përgjigjet pasojave të risqeve ndaj të cilave ekspozohet, sidomos kur ato janë të kategorisë së katastrofave natyrore.

Sot besojmë se sfida kryesore nuk është më nëse tregu shqiptar i sigurimeve funksionon apo jo.

Sepse sektori e provoi veten në vitin 2019.

Sfida reale sot është ndërgjegjësimi i popullatës, rritja e kapaciteteve teknike të ndërmjetësve, që janë multipliers, ambasadorë të shpërndarjes së njohurive në sigurime te klientët. Sipas analizës së prezantuar nga AON, vetëm rreth 5% e banesave në Shqipëri janë të siguruara dhe rreth 9% e bizneseve. Shqipëria ka rreth 1 milion banesa dhe rreth 250 mijë biznese. Kjo do të thotë që problemi nuk është mungesa e produkteve. Produktet ekzistojnë. Tregu ekziston. Tregu ka rreth 80 produkte dhe nënprodukte sigurimi. Kapaciteti ndërkombëtar i risigurimit ekziston.

Nga perspektiva ime, ka disa masa konkrete që mund të përmirësojnë ndjeshëm situatën.

Së pari, duhet të investojmë më shumë në edukimin financiar dhe ndërgjegjësimin publik për të ndryshuar mënyrën e të menduarit, që do të thotë të nisim ta shohim sigurimin si mekanizëm mbrojtjeje, për të cilin shpenzimi është i justifikuar.

Ky duhet të jetë një bashkëpunim kombëtar, që nis me Ministrinë e Arsimit dhe AMF, për të ndërtuar kurrikula akademike që të mësohet për vlerën e sigurimeve në moshë të hershme, minimalisht duke filluar nga niveli i arsimit të mesëm.

Njohja dhe familjarizimi me edukatën e produkteve të sigurimit ndërtohet në këtë moshë, për të pasur qëndrueshmëri dhe jetëgjatësi të investimit që bëjmë te kjo grupmoshë.

Asnjë buxhet shtetëror nuk mund të kompensojë vetëm humbjet katastrofike. Asnjë bashki nuk mund të rindërtojë çdo pronë të dëmtuar. Asnjë familje nuk duhet të mbetet vetëm përballë humbjeve katastrofike.

Së dyti, duhet të ndërtojmë seriozisht implementimin e një skeme kombëtare të sigurimit katastrofik. Ashtu siç është theksuar edhe në prezantimin e sotëm, skemat e detyrueshme kanë rezultuar ndërkombëtarisht ndër zgjidhjet më efektive për zgjerimin e tregut të sigurimeve. Tregu shqiptar po diskuton aktualisht mundësinë e krijimit të një skeme kombëtare katastrofash, me përfshirjen e kompanive të sigurimit, risiguruesve ndërkombëtarë, institucioneve shtetërore dhe AMF.

Kjo duhet të shoqërohet me një rritje të intensitetit të prezencës publike të AMF dhe qeverisë në konfirmimin e nivelit të sigurisë për kapacitetet paguese që kanë kompanitë e sigurimeve në vend, duke incentivuar sigurimet vullnetare, që janë sipari i kulturës së një shoqërie të zhvilluar, si ajo që aderojmë të bëhemi pjesë në familjen e madhe evropiane.

Së treti, Shqipëria duhet të konsiderojë krijimin e një pool-i kombëtar të ngjashëm me modelet e Turqisë, Rumanisë dhe Italisë.

Një strukturë e tillë do të diversifikonte riskun, do të përmirësonte aksesin në risigurim ndërkombëtar, do të forconte qëndrueshmërinë financiare dhe do të ulte presionin mbi financat pas katastrofave.

Së katërti, bankat dhe institucionet financiare duhet të kenë një rol më të madh në ndërgjegjësimin dhe edukimin cilësor financiar në sigurime për klientët e tyre. Të ridizenjojnë produktet bancassurance, në përputhshmëri me vlerat dhe produktet e sigurimit, që kanë jo vetëm funksionin e transferimit të pagesave të detyrimeve të borxhit të kredimarrësit, por edhe të sigurimit të mirëqenies së tij. Për shembull, sigurimi mbi kreditë hipotekore duhet të reflektojë gjithmonë vlerën e plotë të sigurimit të pronës dhe jo vetëm vlerën e mbetur të kredisë, siç nxorëm mësim nga tërmeti i vitit 2019.

Digjitalizimi i produkteve të thjeshta në mikrosigurime mund të luajë një rol të rëndësishëm për zgjerimin e aksesit në familje dhe biznese të vogla. Tërmeti i vitit 2019 tregoi qartë diferencën midis atyre që ishin të siguruar dhe atyre që nuk ishin. Ata që kishin sigurime morën likuiditete të menjëhershme, rikthyen më shpejt aktivitetin në jetën normale dhe u rikuperuan financiarisht shumë shpejt.

Ky është roli real i sigurimeve në shoqëri.

Jo vetëm pagesë dëmesh, por rikthim i stabilitetit ekonomik dhe normalitetit pas katastrofave. Katastrofat natyrore nuk mund të parandalohen, por katastrofat financiare për familjet, bizneset dhe shoqërinë mund të parandalohen përmes sigurimit.

Sot, këtu, jemi dëshmitarë që i kemi kapacitetet, në bashkëpunim me partnerët tanë risigurues, dhe garantojmë një treg sigurimesh të shëndetshëm.”

spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

REKLAME

spot_img

Me te lexuarat