Shoqata e Siguruesve të Shqipërisë publikoi sot në rrjetet sociale një apel ndërgjegjësues për rritjen e sigurimit në bujqësi.
Ky apel lidhet me kushtet kur reshjet intensive dhe përmbytjet e më shumë se një muaji kanë goditur ndjeshëm territorin e vendit.
Sipas raportimeve, dëmet kanë prekur veçanërisht sektorin bujqësor, ku qindra hektarë sera dhe toka janë shkatërruar, duke sjellë rënie të prodhimit dhe tkurrje të eksporteve të fruta-perimeve deri në 46% në kulmin e sezonit.
Në mesazhin e saj, shoqata thekson se fermerët kanë humbur të korrat, investimet dhe pajisjet, duke u përballur me pasoja të drejtpërdrejta ekonomike që ndikojnë edhe në zinxhirin e furnizimit ushqimor.
Në këtë realitet të ri klimatik, sigurimi i bujqësisë dhe blegtorisë paraqitet si domosdoshmëri, pasi ofron mbrojtje financiare nga përmbytjet, breshëri, ngricat, stuhitë dhe thatësira, si dhe siguri për investimet dhe stabilitet për familjet rurale.
Përmes këtij apeli, shoqata nënvizon se sigurimi mbetet instrumenti më efektiv për të kthyer pasigurinë në stabilitet dhe për të garantuar vazhdimësinë e prodhimit dhe furnizimit të tregut.
Zgjerimi i sigurimit bujqësor konsiderohet një nga shtyllat kryesore për zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit dhe përballimin më të mirë të rreziqeve klimatike në të ardhmen.




