Përfaqësues të Shoqatës së Siguruesve të Shqipërisë, me pjesëmarrjen e Kryetares së Asamblesë, znj. Fitnete Sulaj, si dhe Sekretares së Përgjithshme të Shoqatës, znj. Mimoza Hajdarmataj, zhvilluan sot një takim zyrtar me Kryetaren e Komisionit Parlamentar, znj. Milva Ekonomi, dhe deputetin z. Adi Qose. Këtë takim e njoftoi vetë Shoqata e Siguruesve të Shqipërisë në rrjetet e veta sociale ditën e djeshme.
Sipas këtij njoftimi, takimi u fokusua në çështje kyçe të aktualitetit të sektorit të sigurimeve, si edhe në vizionin dhe prioritetet e këtij sektori në kuadër të procesit të integrimit evropian të Shqipërisë.
Shoqata njoftonte se në takimin me kryetaren e Ekonomisë, znj. Ekonomi, u trajtuan sfidat dhe problematikat aktuale të tregut të sigurimeve, veçanërisht në kontekstin e ndryshimeve klimatike dhe rritjes së ekspozimit ndaj fatkeqësive natyrore.
“Një vëmendje e veçantë iu kushtua bashkëpunimit ndërinstitucional, ku u theksua roli thelbësor i marrëdhënies me ligjvënësin për krijimin e një kuadri ligjor dhe rregullator të qëndrueshëm dhe bashkëkohor. Po ashtu, u nënvizua kontributi i rëndësishëm që sigurimet japin në zhvillimin e qëndrueshëm të sektorëve strategjikë të ekonomisë, si bujqësia, turizmi, infrastruktura dhe sektorë të tjerë prioritarë. Takimi u zhvillua në një frymë konstruktive dhe mirëkuptimi të ndërsjellë, duke theksuar nevojën për vijueshmërinë e dialogut mes institucioneve publike dhe sektorit të sigurimeve, në funksion të një zhvillimi ekonomik afatgjatë dhe të qëndrueshëm të vendit”, shkruante njoftimi i Shoqatës.




