Moti ekstrem i ditëve të para të janarit ka rikthyer në vëmendje pasojat e mungesës së mbrojtjes financiare për qytetarët.
Përmbytjet, ngricat dhe akulli kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme në banesa, biznese dhe automjete, ndërsa kostoja përfundimtare shpërndahet te e gjithë shoqëria.
Sipas Mimoza Hajdarmataj, Sekretare e Përgjithshme e Shoqatës së Siguruesve të Shqipërisë, një kontratë sigurimi ofron mbrojtje reale financiare, falë mbështetjes nga risigurues seriozë që mundësojnë kompensimin e dëmit në nivelin e paguar.
Ajo shton se, me shpeshtimin e katastrofave natyrore, sigurimi i pronës duhet të konsiderohet një domosdoshmëri, madje me elemente detyrimi, ndërkohë që shteti duhet të veprojë si garantues dhe mbështetës për ata që nuk mund ta përballojnë pagesën e primit.
Situata në Durrës, ku mbi 1 mijë banesa dhe biznese janë prekur nga përmbytjet, vë në dukje rëndësinë e një partneriteti publik-privat midis shtetit dhe kompanive të sigurimit, për të mbuluar pjesërisht dëmet dhe për të siguruar mbrojtje financiare për qytetarët dhe ekonominë lokale.




