Nëse qytetari ka patur zgjuarësinë e duhur të identifikojë riskun nga zjarri dhe ta sigurojë atë, e nëse, po i njëjti, ka patur fatin e keq ta shohë të materializuar këtë risk, atëherë besojmë se ky artikull ka shumë vlerë:
Si veprohet në rast se zjarri dëmton banesën e siguruar?
Cilat janë hapat që duhen ndërmarrë?
Çfarë duhet mbajtur parasysh?
Së pari, duhet mbajtur parasysh që këto hapa e lehtësojnë, e thjeshtojnë e garantojnë dhe e përshpejtojnë përftimin e shumës së dëmit nga Siguruesi
Së dyti, hapat për t’u mbajtur parasysh janë këto:
- Njoftohet me shkrim kompania e sigurimit dhe specifikohen rrethanat e ngjarjes, si dhe njoftohen organet e rendit e njësitë zjarrfikëse. Një njoftim i tillë do të quhet i dhënë në rast se është dërguar brenda 24 orëve nga ngjarja.
- I jepet rajonit përkatës të Policisë një listë e objekteve të dëmtuara
- I dëmtuari nga zjarri duhet të shmangë ose të minimizojë humbjet ose dëmtimet me sa është e mundur dhe gjatë këtyre veprimeve të ndjekë udhëzimet e Siguruesit. I siguruari është i detyruar të kërkojë dhënien e këtyre udhëzimeve, për aq sa e lejojnë kushtet.
- Të bllokojë librat e llogarisë dhe dëshmi të tjera të pasurisë së tij.
- Të lejojë siguruesin, me kërkesën e tij dhe për sa është e arsyeshme, të hetojë lidhur me shkakun dhe shumën e humbjes si dhe masën e dëmshpërblimit, duke i dhënë çdo informacion që ndihmon hetimin.
- Në se është e mundur, të mos ndryshojë asgjë në vendngjarje pa miratimin e Siguruesit.
- T’i dorëzojë Siguruesit brenda 10 ditësh nga ndodhja e ngjarjes një listë të firmosur të të gjitha objekteve të humbura, dëmtuara apo shkatërruara, sipas formularit të dhënë nga Siguruesi, si dhe vlerën për të cilën kërkon të dëmshpërblehet.
KUJDES!
Nëse i Siguruari, në rastin konkret i dëmtuari nga zjarri, me qëllim apo neglizhencë, nuk i zbaton tërësisht apo pjesërisht detyrimet e mësipërme, Siguruesi çlirohet nga përmbushja e detyrimeve të tij.
Po ashtu, nëse organi i rendit nuk është njoftuar për objektet e humbura apo të dëmtuara në kohë, Siguruesi ka të drejtë të çlirohet nga detyrimi për zhdëmtim.
Nuk duhet harruar asnjëherë se blerja e riskut nga siguruesi është një kontratë, që të siguruarit i jep të drejta, përfitime, por i ngarkon edhe disa detyrime.