Tregu i sigurimeve dhe risigurimeve detare po përballet me rreziqe në rritje, të lidhura me plakjen e flotës globale dhe rritjen e ekspozimit nga transporti i automjeteve elektrike (EV).
Këto janë gjetjet e raportit gjashtëmujor të kompanisë Miller.
Më shumë se gjysma e incidenteve detare në vitin 2024 përfshinë anije mbi 20 vjeç.
Sipas raportit dështimet mekanike dhe lodhja strukturore ishin shkaktarët kryesorë.
Që nga viti 2021, çdo vit janë regjistruar mbi 2,200 incidente në flota detare.
Këto shifra, krahasuar me vitin 2018, dëshmojnë se numri i incidenteve është rritur me 42%.
Numri i kërkesave për dëmshpërblim me vlerë të lartë është rritur ndjeshëm.
Vetëm për grupin ndërkombëtar “Pool”, u raportuan 17 kërkesa mbi 10 milionë dollarë, me kosto trefish më të larta se dy vitet e mëparshme.
Ndërkohë, braktisja e marinarëve arriti nivelin më të lartë historik me 310 raste në vitin 2024, një rritje prej 118% nga 2023.
Një tjetër shqetësim janë zjarret në anijet që transportojnë automjete elektrike.
Bateritë e litium-jonit shkaktojnë ngrohje të vazhdueshme kur digjen, duke vështirësuar ndërhyrjet.
Rrjetet e mbingarkuara në anijet PCTC dhe mungesa e informacionit për vendndodhjen e EV-ve shtojnë rrezikun.
Edhe faktorët gjeografikë po ndikojnë reagimin ndaj incidenteve.
Rritja e lundrimeve në Arktik, veçanërisht përmes rrugës detare veriore, ka ardhur si pasojë e rritjes së tregtisë Rusi-Kinë pas luftës në Ukrainë.
Vetëm në vitin 2022, në rajonin Polar Code operuan 182 anije mallrash dhe 78 anije turistike.
Në të njëjtën kohë, ekspozimi ndaj sulmeve Houthi në Detin e Kuq ka rritur ndjeshëm primet e sigurimit për rrezikun e luftës.
Për një anije me vlerë 100 milionë dollarë, primi mund të arrijë deri në 1 milion dollarë.
Kalimet në Kanalin e Suezit janë rritur përsëri në 36–37 në ditë në maj 2025, por mbeten më poshtë se nivelet e para sulmeve (72–75).
Megjithatë, tregu po përjeton një rënie shumëvjeçare në primet për sigurimin e trupit dhe makinerisë së anijeve.
Hyrja e aktorëve të rinj ka shtuar konkurrencën, duke ulur tarifat.
Edhe pse strategjitë aktuale janë më të kujdesshme se në ciklet e kaluara, presioni për të ruajtur pjesën e tregut ka shtyrë siguruesit ekzistues të ulin normat për të qëndruar konkurrues.