Dërgesat e emigrantëve kanë shënuar rekord të ri absolut gjatë nëntë muajve të këtij viti, prej gati 772 milionë eurosh, tregojnë shifrat më të fundit nga Banka e Shqipërisë.
Shifra është edhe më e lartë se viti 2023 dhe viti 2008, kur regjistrohej rekordi i mëparshëm.
Rritja e ndjeshme e remitancave në vendin tonë ka nisur që me pandeminë, por është theksuar edhe më shumë me krizën e çmimeve të vitit të kaluar.
Në total për këtë vit, emigrantët kanë dërguar të paktën 96 milionë euro më shumë se viti 2023.
Bëhet fjalë për rreth 14% më shumë dërgesa nga emigrantët gjatë përiudhës Janar-Shtator të këtij viti, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Gjithashtu, shifrat tregojnë se tremujori i tretë i këtij viti ka thyer po ashtu një rekord historik, me rreth 262 milionë euro dërgesa.
Kjo shifër është ndjeshëm më e lartë se e njëjta periudhë e viteve të kaluara, raportojnë të dhënat e “Bankës së Shqipërisë”.