Korriku ka regjistruar sërish një numër më të lartë aksidentesh në raport me të njëjtin muaj të një viti më parë.
Të dhënat e publikuara sot nga INSTAT nga Instituti i Statistikave tregojnë se, në muajin Korrik 2024 janë regjistruar 146 aksidente rrugore, nga të cilët 191 janë të aksidentuar (të vrarë dhe të plagosur).
Ndërkohë gjatë këtij 7-mujori të 2024, janë regjistruar 913 aksidente rrugore me 84 viktima dhe mbi 1100 të plagosur.
“Aksidentet rrugore, në 91,1% të rasteve, kanë ndodhur si pasojë e sjelljes së drejtuesit të mjetit. Numri më i lartë i aksidenteve, në këtë periudhë, është kryer nga grup-mosha 25-34 vjeç, duke zënë 23,3% të numrit të aksidenteve gjithsej. Në muajin Korrik 2024, numri më i lartë i aksidenteve rrugore ka ndodhur përgjatë ditës së Mërkurë me 19,2%, ndërsa numri më i ulët i aksidenteve ka ndodhur përgjatë ditës së Enjte, me 8,9%”, thuhet në publikimin e INSTAT.
Po sipas INSTAT, numri më i lartë i aksidenteve rrugore ka ndodhur përgjatë harkut kohor 08:00-12:00, duke zënë 19,2 % të numrit të aksidenteve rrugore gjithsej.