14.5 C
Tirana
Friday, November 22, 2024
spot_img
Faqe KryesoreLajmeAktualitetPse Europa po kthehet në ditët e errëta të COVID-19?

Pse Europa po kthehet në ditët e errëta të COVID-19?

Kontinenti tani është përsëri qendra e epidemisë globale. Ndërsa vendet nga Baltiku në Mesdhe përgatiten për ashpërsimin e masave gjatë dimrit, ne do të shikojmë faktorët që po nxisin valën e katërt.

Ishte pothuajse sikur pandemia të mos kishte ndodhur kurrë. Në Këln, mijëra njerëz të dëfryer me veshje elegante shtyheshin krah për krah në një turmë të ngjeshur fort, teksa numëronin mbrapsht në pritje të fillimit të sezonit vjetor të karnavaleve, në orën 11 të mëngjesit të 11 nëntorit.

Në Paris, baret dhe klubet ishin të hapura deri vonë dhe të mbushura plot të mërkurën, në festën kombëtare të Ditës së Armëpushimit. Në Amsterdam, ishte punë si zakonisht në baret dhe kafenetë e tejmbushura përreth Leidseplein.

Por në vend që të paralajmëronin fillimin e një sezoni festimesh që do të kulmonin me Krishtlindjet dhe Vitin e Ri, ato netë mund të kenë qenë një festë e fundit ndërsa vala e katërt e koronavirusit po përfshin Europën.

Gjysmë duzine qytetesh holandeze kanë anuluar tashmë paradat popullore që, për gëzimin e fëmijëve të vendit, shënojnë ardhjen vjetore të Sinterklaas këtë fundjavë dhe tregjet e festave të Krishtlindjeve në Gjermani ende mund të anulohen.

Nuk mund të imagjinohet të qëndrosh në treg duke pirë verë të zier, ndërkohë që spitalet janë plot dhe duke luftuar për burimet e fundit”, tha javën e kaluar kryeministri i shtetit të Saksonisë, Michael Kretschmer, duke i kërkuar qeverisë federale të marrë vendimin e vështirë.

Me Holandën që të shtunën u bë vendi i parë i Europës Perëndimore, që nga vera, i cili vendosi një izolim të pjesshëm, me Berlinin që ndalon restorantet e tij për të pavaksinuarit dhe me Francën që vrapon për të përmirësuar fushatën e saj të vaksinës suplementare, Europa është përsëri qendra e pandemisë.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, infeksionet me koronavirus në të gjithë kontinentin u rritën me 7% dhe vdekjet me 10% përgjatë javës së kaluar, duke e bërë rajonin e vetëm në botë ku rastet dhe vdekjet janë në rritje të vazhdueshme.

Gati dy të tretat e infeksioneve të reja – rreth 1.9 milionë – ishin në Evropë, tha OBSH, duke shënuar javën e gjashtë radhazi që përhapja e virusit është rritur në të gjithë kontinentin, me disa vende që përjetojnë valë të katërt ose të pestë. Me përjashtim të Evropës Qendrore dhe Lindore, ku mbulimi me vaksina është dukshëm më i ulët, të shtruarit në spital dhe vdekjet në përgjithësi mbeten shumë më të ulëta se një vit më parë dhe dallimet e shteteve në masat parandaluese e bëjnë të vështirë nxjerrjen e përfundimeve më të përgjitshme.

Por ekspertët pajtohen se një kombinim i marrjes së ulët të vaksinave, i imunitetit të zvogëluar të njerëzve të vaksinuar më herët dhe i mungesës në rritje të vigjilencës për maskat dhe distancimin pasi qeveritë relaksuan kufizimet gjatë verës, është shkaktari më i mundshëm.

Mesazhi ka qenë gjithmonë: bëji të gjitha”, tha javën e kaluar Hans Kluge, drejtori rajonal i OBSH-së për Europën. “Vaksinat po bëjnë atë që u premtua: parandalimin e formave të rënda të sëmundjes dhe veçanërisht vdekshmërisë. Por ato janë aseti ynë më i fuqishëm vetëm nëse përdoren së bashku me masat parandaluese.”

Shifrat e vaksinimeve në kontinent janë më të larta në Europën Jugore, me Portugalinë, Maltën dhe Spanjën që kanë vaksinuar me dy doza më shumë se 80% të popullsisë së tyre, dhe Italia jo shumë prapa me 73%, sipas shifrave nga “OurWorldInData“.

Lexo edhe: Dhjetë çështjet që duhen parë gjatë 2022-ës

Mesatarja e lëvizshme shtatëditore e infeksioneve të reja ditore është më e ulëta në bllok në ato vende, në rreth 100 për një milion njerëz – por ato janë në ngritje dhe në pjesët ku marrja e vaksinave është e ulët, janë rritur.

Trieste, e cila muajin e kaluar pati protesta të mëdha kundër lejes së gjelbër të Italisë – më e ashpra e Evropës, që kërkon që punonjësit të tregojnë provën e vaksinimit, të imunitetit ose një test negativ të kohëve të fundit për të hyrë në vendin e tyre të punës – ka pasur më tepër se sa dyfishim të rasteve të përditshme. “Jemi kthyer në ditët e errëta të pandemisë,” tha kreu i një prej njësive të kujdesit intensiv të qytetit javën e kaluar pas një bumi në shtrimet në spitale, 90% e të cilëve ishin të pavaksinuar dhe të lidhur drejtpërdrejt me protestat.

Por Holanda, Franca dhe Gjermania, ku mbulimi i vaksinave është vetëm disa pikë përqindje më i ulët, kanë filluar gjithashtu të përjetojnë një rritje të infeksioneve, duke shfaqur sfidën edhe për qeveritë me norma relativisht të larta pranimi.

Holanda, e cila ka vaksinuar plotësisht 73% të popullsisë së saj, hyri në një karantinë të pjesshme tre-javore të shtunën, duke mbyllur baret, restorantet dhe dyqanet e domosdoshme në orën 8 të pasdites, duke mbyllur dyqanet dhe shërbimet jo të domosdoshme në orën 6 të pasdites dhe duke kufizuar grumbullimet në shtëpi deri në katër të ftuar. pasi numrat e rasteve shënuan rekorde të reja.

Vendi, i cili zbuti shumicën e kufizimeve gjatë verës, regjistroi një mesatare shtatëditore të infeksioneve të reja prej 609 për një milion njerëz këtë javë, duke e bërë qeverinë të tërhiqet nga premtimi i saj për të hequr të gjitha kufizimet deri në fund të vitit.

Pothuajse 69% e popullsisë është gjithashtu plotësisht e vaksinuar në Francë, sipas OurWorldInData (shifra e qeverisë, e cila përfshin ata që kanë bërë vetëm një dozë nëse kanë pasur më parë Covid, është pak më e lartë).

Lexo edhe: A e mbulon polica ime e sigurimit Variantin Delta të Coranavirusit?

Një leje shëndetësore që tregon provën e vaksinimit, të shërimit ose një test negativ, është dashur për të hyrë në dyqane, bare dhe restorante, për të hipur në avion ose për të marrë një tren të distancave të largëta që nga vera, ndërsa maskat mbeten të detyrueshme në hapësirat e brendshme publike – por raste të reja janë rritur me përqindje dyshifrore çdo javë prej një muaji.

“Ajo që po përjetojmë në Francë duket qartë si fillimi i një valë të pestë,” tha javën e kaluar Ministri i Shëndetësisë, Olivier Véran, pasi mesatarja shtatëditore e rasteve të reja, megjithëse ende relativisht e ulët, u ngjit në mënyrë të qëndrueshme në 134 për një milion banorë.

Emmanuel Macron tha se nga 1 dhjetori, personat mbi 65 vjeç dhe personat në grupet e rrezikuara që nuk kishin bërë dozën e tretë të vaksinës, nuk do të kenë më të drejtë për një leje shëndetësore dhe në të njëjtën kohë programi i vaksinës përforcuese do të zgjerohet deri në moshën mbi 50 vjeç.

Gjermania, ku 66.5% e popullsisë është plotësisht e vaksinuar, është në prag të një vale të katërt që mund të jetë më e rënda deri tani, duke regjistruar shkallët më të larta ditore të infeksionit të dy viteve të kaluara gjatë pesë ditëve të fundit, me 48,640 raste të reja të premten, duke e çuar mesataren e saj shtatëditore në më shumë se 381 për një milion banorë.

Kreu i agjencisë gjermane të kontrollit të sëmundjeve paralajmëroi se repartet e kujdesit intensiv po përballen me një shtrëngim të paprecedent, duke thënë se vendi ishte në “pesë minuta larg nga mesnata”, ndërsa landet më të goditura po mendojnë për bllokime.

Nga e hëna, në Berlin do të lejohen të vizitojnë restorante, kinema dhe parukeri vetëm personat që janë vaksinuar ose janë shëruar së fundmi. Ministri federal i shëndetësisë, Jens Spahn, propozoi të premten rregulla të ngjashme për hyrjen në eventet publike.

Christoph Spinner, një infektiolog në spitalin universitar Rechts der Isar të Mynihut, vuri në dyshim nëse edhe këto masa do të ishin të mjaftueshme. “Ajo që na duhet tani është një veprim i bashkërenduar dhe i rreptë nga qeveria, të cilin nuk jam i sigurt që aktualisht e kemi”, tha ai për Observer.

Në vetë spitalin e Spinner, tha ai, rreth tre të katërtat e atyre që trajtoheshin me pasoja të rënda nga Covid, ishin të pavaksinuar. Përafërsisht gjysma e tyre kishin sëmundje të tjera shoqëruese. “Ata që thonë se kjo tani është thjesht një pandemi e të pavaksinuarve, e kanë gabim,” tha ai.

Me shkallën më të ulët të vaksinimit (62.8%) dhe shkallën më të lartë të infeksionit (më shumë se 1000 raste ditore për një milion banorë) nga pothuajse të gjitha vendet e Evropës Perëndimore, Austria do të vendosë një izolim për njerëzit e pavaksinuar në dy rajonet e saj më të goditura këtë javë dhe mund të vazhdojë me masa të ngjashme në mbarë vendin.

Kancelari Alexander Schallenberg tha të premten se të pavaksinuarit në rajonet e Austrisë së Sipërme dhe Salzburgut do të lejohen të dalin nga shtëpia vetëm për arsye specifike të nevojshme, si blerja e ushqimeve apo shkuarja te mjeku.

Pjesa gjermanisht-folëse e Austrisë, Zvicrës dhe Gjermania kanë përqindjet më të larta të njerëzve të pavaksinuar në Europën Perëndimore, megjithëse arsyet specifike prapa hezitimit të njerëzve për t’u vaksinuar mund të jenë të vështira për t’u përcaktuar. Krahasuar me shtetet e Europës Jugore si Italia apo Spanja, të treja kanë përjetuar valë relativisht të buta deri më tani, ndoshta duke bërë që shumë të nënvlerësojnë se sa vdekjeprurës mund të jetë virusi.

Ata gjithashtu pranojnë relativisht, madje edhe e mbështesin “mjekësinë alternative”: në Gjermani, për shembull, ilaçet homeopatike mund të blihen në farmaci dhe mbulohen nga shumë fonde të sigurimit shëndetësor.

Në ish-Republikën Demokratike Gjermane socialiste, marrja e vaksinave ndaj fruthit dhe gripit ka qenë tradicionalisht e lartë – por Saksonia, Turingia, Brandenburgu dhe Saksonia-Anhalt aktualisht janë në fund të tabelës kombëtare të vaksinimit kundër Covid.

Komisioneri special i qeverisë për Gjermaninë Lindore, Marco Wanderwitz, ka sugjeruar se rezistenca ndaj vaksinave mund të ketë një dimension politik në rajonin e tij të lindjes në Saksoni, një bastion i partisë së ekstremit të djathtë Alternativa për Gjermaninë (AfD).

“Ekziston një lidhje e qartë midis mbështetjes për AfD-në dhe refuzimit të vaksinave,” tha Wanderwitz. Në Austri, Partia e Lirisë e ekstremit të djathtë (FPÖ) gjithashtu ka mbështetur me akoma më shumë entuziazëm pikëpamjet anti-vaksinim.

Ndërkohë, në Europën Qendrore dhe Lindore, pjesa më e madhe e së cilës doli nga sundimi komunist vetëm 30 vjet më parë, varfëria, edukimi i dobët shëndetësor dhe keqinformimi janë kombinuar me një mosbesim të rrënjosur ndaj qeverisë dhe institucioneve shtetërore dhe kanë sjellë nivelet më të ulëta të marrjes së vaksinave në Europë.

Si rezultat, nëntë vende të Europës Qendrore dhe Lindore aktualisht janë në dhjetëshen me normat më të larta të vdekjeve nga koronavirusi në BE. Rumania dhe Bullgaria kanë normat më të larta ditore të vdekshmërisë në bllok me rreth 22 për një milion banorë – mbi 30 herë më shumë se normat në Francë, Spanjë dhe Portugali.

Pavarësisht furnizimeve të bollshme me vaksina, të dy vendet kanë vaksinuar plotësisht përqindjen më të ulët të popullsisë së tyre nga të gjithë BE-27: vetëm 34.5% e banorëve të Rumanisë kanë marrë dy doza të vaksinës dhe 23.04% e Bullgarisë. Të dyja vendet kohët e fundit kanë vendosur kufizime më të ashpra, ndërsa Letonia, një tjetër vend me vaksinim të ulët, vendosi një izolim katër-javor që nga mesi i tetorit. Republika Çeke, Sllovakia dhe Rusia gjithashtu kanë shtrënguar masat.

Në Evropën Perëndimore, pyetja tani është nëse vendet mund ta frenojnë këtë valë të fundit pa pasur nevojë të përdorin izolimet e plota. Ekspertët thonë se përgjigjja është ndoshta po – masa të tilla si distancimi, maskat dhe mandatet e vaksinave për ambientet e brendshme do të jenë jetike.

Nëse mungon një nga këto gjëra, ne do të shohim situata të ngjashme me ato që po shohim tani në shumë vende europiane,” tha Antonella Viola, profesore e imunologjisë në Universitetin italian të Padovës.

Hans Kluge tha javën e kaluar se autoritetet duhet të përshpejtojnë përhapjen e vaksinave, duke përfshirë vaksinat përforcuese për grupet në rrezik dhe dozat për adoleshentët.

“Shumica e njerëzve të shtruar në spital dhe që vdesin nga Covid-19 sot nuk janë të vaksinuar plotësisht,” tha ai.

Por masat e shëndetit publik dhe ato sociale ishin po aq jetike, tha ai, duke shtuar se OBSH vlerësoi se përdorimi universal i maskave në masën 95% në Europë mund të shpëtonte pothuajse 200,000 jetë.

Të zbatuara “në mënyrë korrekte dhe të vazhdueshme”, masat parandaluese “na lejojnë të vazhdojmë jetët tona, jo e kundërta”, tha Kluge. “Masat parandaluese nuk i privojnë njerëzit nga liria, ato e sigurojnë atë.” /The Guardian

Lexo edhe: Sigurimi Privat i Shëndetit, shmangini vetes stresin e gjetjes së parave kur sëmureni

spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

REKLAME

spot_img

Me te lexuarat